– E nderuar Beskida Aliaj! Jam një nënë e interesuar për djalin i cili nuk ka mundur të mbarojë studimet në Itali dhe do të kthehet këtu për t’i përfunduar ato. Ai ka ndjekur degën Inxhinieri e proceseve teknologjike e materiale pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Padova. Më shqetësojnë disa pyetje të cilave shpresoj t’u përgjigjeni sa më parë të jetë e mundur. Dua të di:
1. A mund t’i vazhdojë ai studimet në Shqipëri në këtë degë?
2. A i njihen vitet e studimit të kryera në Itali? Në rast se po, çfarë dokumentesh duhet të marrë me vete? Çfarë dokumentesh të tjera i duhen për t’i plotësuar këtu? Kur është afati i dorëzimit të tyre? Ju lutem, më ndihmoni me përgjigjen e këtyre pyetjeve. Me respekt, Albina Kotonika.
Beskida ALIAJ, Koordinatore “INAS – ALBANIA”: – E nderuar, zonja Albina! Përsa i përket pyetjeve që ju parashtroni, duhet t’ju vë në dijeni që duhet t’i drejtoheni patjetër me një kërkesë universitetit përkatës të inxhinierisë për të aplikuar për transferimin pranë këtij universiteti. Universitetet tona në Shqipëri kanë autonomi të plotë për të vendosur nëse duan të pranojnë studentë të tjerë, përveç atyre që tashmë i kanë regjistruar dhe sidomos, nga universitetet jashtë vendit tonë. E them këtë pasi kanë kuota me numër të kufizuar. Vetë universiteti do të marrë një vendim për rastin e djalit, nëse do ta pranojë apo jo dhe do t’ju tregojë edhe dokumentet që duhet të plotësoni. Pra, le të themi se kjo ngelet në dorë të universitetit. Këtë fakt ma konfirmoi edhe Ministria e Arsimit, për t’u bindur plotësisht për problemin tuaj.
Advertisement