Sapo ka lançuar këngën “Pretty VVoman”, që bie në sy për ritmin dhe stilin ndryshe nga këngët e tjera që jemi mësuar të dëgjojmë prej këngëtarit simpatik nga Kosova. Kjo këngë, që shoqërohet nga një klip po kaq i bukur dhe i veçantë, është një bashkëpunim me Etnon dhe Dj Dagz. Yll Limani u bë i njohur në edicionin e parë të spektaklit të talenteve “The Voice of Albania” ku arriti deri në gjysmëfinale. Pas kësaj, Ylli ka realizuar edhe këngë të tjera, një ndër të cilat, në bashkëpunim me këngëtarin e mirënjohur, Capital T, me titull “Unë”. Këto dhe të tjera, do t’i zbuloni në intervistën që ne realizuam me Yllin, fama e të cilit ka shkuar deri në veshët e këngëtarit amerikan Ron Pope…
Fabjola Kuburi: – Ylli, çfarë duhet të na shkojë ndërmend kur dëgjojmë emrin tënd?
Ylli Limani: – Një djalë i buzëqeshur, plot jetë, i cili me vullnetin dhe dashurinë për muzikën e gjithmonë me përkrahjen e njerëzve që e rrethojnë, arriti ta bënte ëndrrën e tij realitet.
– Ti ke qenë konkurrent në “The Voice of Albania”. A mendon se suksesi yt lindi aty?
– Absolutisht. “The Voice” do të mbetet eksperienca që më hapi dyert e botës së muzikës.
– Çfarë do të kujtosh gjithmonë nga ajo eksperiencë?
– Çdo sekondë që kalova në të; njerëzit, skenën, shoqërinë e mrekullueshme. Gjithçka atje më formoi si artist dhe si njeri.
– Pas këtij spektakli, ke realizuar disa këngë… Je i kënaqur nga arritjet e tua në një kohë kaq të shkurtër?
– Kam realizuar tri këngë të cilat dolën ashtu siç kisha menduar gjithmonë se duhet të ishin këngët e mia të para. Jam shumë i lumtur me faktin që këngët depërtuan në zemrat e njerëzve dhe u përqafuan ngrohtësisht gjithandej.
– “Lart mbi yje”, është njëra nga këngët e tua që është pëlqyer që në momentet që ka dalë. Çfarë mund të ketë sipas teje, lart, mbi yje?
– “Lart mbi yje” është një titull shumë domethënës për mua. Gjithmonë sipas meje, është vendi ku ëndrrat bëhen realitet, ku ka lumturi, ku premtimet mbahen dhe dashuria është diçka e shenjtë.
– Po “Pretty VVoman”?
– Është një këngë ritmike e pëlqyer që në ditët e para kur është lançuar dhe shpresoj të vazhdojë kështu. Bashkëpunimi me Etnon ishte e sigurtë që do të kishte sukses. Uroj që publiku ta dojë këtë këngë po aq sa e dua edhe unë.
– Ndërsa një tjetër këngë që bëri boom ishte “Unë”, në bashkëpunim me Capital T. Pse “Unë”?
– Titullin këngës, në fakt, ia ka vënë Capital T. “Unë” sepse ishte shkruar nga Zoti të isha unë përkrah vajzës “imagjinare”, së cilës i është kushtuar kënga.
– Si ndodhi që bashkëpunuat ju të dy?
– Unë i kisha dërguar cover-at e mi shumë kohë para se të shkoja në The Voice dhe atij i kishin pëlqyer. Pastaj, biseduam dhe bëmë këngën. Më kishte pëlqyer gjithmonë të bashkëpunoja me të dhe doli ashtu siç e kisha menduar.
– Çfarë ke mësuar prej tij?
– Mësimi më i rëndësishëm që kam marrë prej tij është se si ta shoh dhe vlerësoj veten.
– Me çfarë syri e sheh ti muzikën?
– Muzikën nuk e shoh, muzikën e ndjej me çdo shqisë, me çdo qelizë, me mish e gjak. E shoh si një derë përmes së cilës arratisem nga kjo botë e çuditshme dhe futem në një botë timen, botë të cilën nuk mund të ma prekë askush dhe që më përket vetëm mua.
– Çfarë e shtyn një 19-vjeçar t’i këndojë kaq thellë dashurisë, femrës?
– Ndoshta eksperiencat e mia personale, ndoshta eksperiencat e njerëzve që më rrethojnë. Nuk mendoj se do ta gjej kurrë përgjigjen për këtë pyetje. Ajo çka di është që inspirimi për të shkruar këngë të tilla, më vjen vetvetiu dhe gjithmonë e hedh në letër e krijoj melodi.
– Të është dashur të bësh zgjedhje përjashtuese për muzikën?
– Jo, gjithmonë kam shkuar sipas asaj që unë mendoj se është e drejtë dhe më mirë për mua.
– Vlerësimet për ty janë pa mbarim. Si u je përgjigjur ti këtyre vlerësimeve?
– Në fillimet e mia, mërzitesha shumë kur dëgjoja se dikush më kishte sharë apo kishte thënë që nuk i pëlqente mënyra se si këndoja. Tani, kur dëgjoj komente negative, vetëm qesh. “Vraji me mirësi”, mendoj…
– Kush janë këngëtarët e tu të preferuar?
– Kam shumë dhe nuk di cilin ta vendos para tjetrit.
– Si i ke raportet me këngëtarët e tjerë dhe si i cilëson ti ata?
– Nuk është se kam raporte shumë me këngëtarë të tjerë shqiptarë, për shkak të ftohtësisë së tyre dhe ndoshta, frikës së konkurrencës, mirëpo mendoj se me kalimin e kohës, do formohen vetvetiu.
– Deri tani, gjithçka që i ke premtuar publikut, e ke realizuar. Kjo do të thotë që ti i futesh punës me themel, apo…
– Është shumë e vërtetë. Kurrë nuk flas diçka e pastaj të mos e bëj. Gjithmonë i përsëris vetes se duhet të jem serioz dhe i vendosur në lidhje me premtimet e mia.
– Cili është qëllimi yt në muzikë?
– Qëllimi im ishte të bëja një ndryshim në skenën e muzikës shqiptare dhe jam shumë i lumtur që ia arrita.
– A mban kontakte me miqtë e tu të “The Voice”?
– Patjetër. Ata janë familja ime!
– Tani që je personazh publik, ke dëgjuar thashetheme për veten?
– Tani që njerëzit më njohin pak a shumë, ka edhe fjalë të ndryshme që qarkullojnë lart e poshtë, por nuk u kushtoj shumë rëndësi. Ato vijnë si pasojë e imagjinatës së shfrenuar të njerëzve që u janë shterruar mundësitë për të rënë në sy dhe kësisoj, i cilësoj të parëndësishme.
– Këngëtari amerikan Ron Pope, na ka befasuar të gjithëve. Duke shfrytëzuar Tvvitterin, ai u ka bërë thirrje rreth 30 mijë ndjekësve të tij që të mos shikojnë askënd tjetër përveç këngëtarit nga Prishtina, Ylli Limani. Ç’mund të na thuash në lidhje me këtë?
– Ka qenë një ndër momentet e mia më të lumtura! Të marrësh vlerësim nga një artist si ai, është thjesht një ëndërr e realizuar. I jam shumë mirënjohës për vlerësimin e tij.
– Po ti, je adhurues i tij?
– Ron Pope është një nga këngëtarët e mi të preferuar, sepse vetëm me një piano, ai zë arrin të depërtojë menjëherë tek unë.
– Cili do ishte bashkëpunimi që ti ke ëndërruar gjithmonë?
– Nuk e di, ka shumë këngëtarë të mëdhenj me të cilët do ta doja një bashkëpunim.
– Në çfarë raporti qëndron muzika kosovare dhe ajo shqiptare në përgjithësi, me muzikën botërore, sipas teje?
– Janë larg, por po marr një shembull konkret. Kur njerëzit dëgjuan këngën “Lart mbi yje” para se të publikohej, nuk është se prisnin të ishte shumë e suksesshme, duke marrë parasysh shijet absurde të publikut shqiptar, mirëpo mendoj se deri diku, dëshmova që muzika e mirë, muzika e shpirtit, mund të arrijë të mbijetojë në këtë tollovi muzikore që është krijuar te ne.
– A të është shtuar suksesi me vajzat, pas sukseseve në muzikë?
– Patjetër që po, por nuk kam qenë keq edhe më përpara. (Qesh)
– Në fund, na thuaj, ku mendon se do të jetë Ylli pas shumë vitesh?
– Përkrah një gruaje të bukur, inteligjente, me tre djem të vegjël dhe me një karrierë të pasur artistike, duke u qëndruar bindjeve të mia muzikore deri në frymën e fundit.