Edhe 100 Etleva…
Përshëndetje! Quhem Lindita. Me datën 17 nëntor, mbesa ime Etleva Agalliu Topçiu bën 12 vjet martesë. I uroj unë, teza e saj, Lindita, edhe 100 vite të tjera të lumtura të bukura, me bashkëshortin dhe me fëmijët e saj që i ka si yje.
Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Kemi shkëmbyer urime, po ky që do të dërgoj këtë radhë, lidhet me 70 vjetorin e hapjes së shkollës në Bicaj. I dashur Hasan Halili, m’u bë shumë qejfi që paske qenë nxënës i kësaj shkolle. Të uroj gjithë të mirat edhe si Kryetar i Bashkisë Kukës.
– Kur të shoh që bën fizkulturë nga Liqeni, më bëhet zemra mal, i dashur pedagogu im Gjovalin Gruda. Ka dashtë Zoti, edhe me shëndet je kaq mirë, por zemrën dihet që e ke flori! Gjithë të mirat, i dashur Gjovalin.
– Janë vërtet një çift i mrekullueshëm Ilir Lula dhe bashkëshortja e tij. Çdo mëngjes i shoh të shkojnë bashkë në punë duke rrezatuar mirësi! Atë mirësi, që e kanë organike, që të dy. Ju uroj nga zemra gjithë të mirat!
– U takuam aty te klubi, afër Bashkisë së Shkodrës, i dashur Gëzim Kruja (mjeshtër i madh). Edhe pak ditë mbushke plot 75 vjeç! Edhe 100, i dashur Gëzim, artist i spikatur i humorit shqiptar!
– Dhe vjen vetë, i dashur Gudar! Vjen, si një ngacmues i brendshëm, që do të shpërthejë (dhe shpërthen). Është mall, por që unë e kthej në urim. Profesor Gudar Beqiraj, nënkryetar i Akademisë së Shkencave: Qofsh mirë me shëndet dhe gjithnjë në humor, i dashur miku im i shtrenjtë!
– E kam thënë, i dashur Ndoc Uci, por jo vetëm unë; je njeriu pa moshë, pa plakje. Ka një tregues shumë kokëfortë për këtë. Drita e fortë dhe e bukur në sytë e tu, miku im, që aq shumë i do minierat dhe njerëzit e saj. Të përqafoj fort.
– Janë dy motra. Dikur mësuese. Rajmonda jepte matematikë, Liria Histori. Tani janë pensioniste, por lëvizjes së shpejtë andej nga liqeni, nuk i ndahen, edhe pse janë bërë gjyshe. Dhe kanë mbetur aq të bukura! Ju uroj të dyjave!
– U takova më në fund me ty, i dashur At Nikolla Marku. Aty te Kisha e Shn Markut, në lagjen “Kala”, në Elbasan. Dhe lulishten e kishe ngritur vetë. Dhe dhomen e ndenjjes si ekspozitë. U kënaqa shumë, Nikolla, po edhe ti besoj! Të uroj, gjithë të mirat, ty, shqiptar i madh!
– Kur ti flet për miellrat integrale, unë të dëgjoj me shumë vëmendje. Kam qenë hamall në Fabrikën e Miellit, kur ti ishe drejtor. Më pas, unë u bëra gazetar dhe pak shkrimtar, ti pedagog dhe profesor doktor. Fabrika jonë ka nxjerrë ca, apo jo, i dashur Abdyl Sinani, që të dua aq fort! Urime.
– Kur shoh atë makinën e vogël me targë 274, një gjë e ngrohtë më ngre në ajër, duke mposhtur gravitetin. “Ajo, është aty”, “flet” truri. Truri apo zemra?! Ej, ç’më gjeti, në këtë moshë! Po sa e pastër është! Zot, ia kalon dhe Mondës sime, për rroba të lara. Përditë, përditë. Ç’të them unë për ty, që më ke hedhur sehirin? Urime dhe u bëfsh 100 vjeçe, ja, këtë them!
– Përmirësimi i kushteve financiare të minatorëve (rroga, pensione) po edhe ulja e moshës, na gëzon të gjithëve. Vendimi është i Qeverisë dhe Parlamentit, por unë e di se edhe Sindikata e Minatorëve dhe Industrisë, që drejton ti, miku im, Taf Koleci, ka bërë të sajën. Të uroj gjithë të mirat, miku im!
– Dhe vjen një moment, që më merr malli për lokalin “Sarajet”, ku rrija me miqtë e mi Nard Ndoka ose Behar Malaj. Nuk e di a është më ajo menaxherja zemërflori, shkodrania me emrin Vera! I jepte nur gjithë lokalit, pa rënë në sy. Të uroj gjithë të mirat, kudo që të jesh, e nderuar Vera!
– Të mirëkuptoj që nuk e hap telefonin, miku im Ahmet Muçaj! Të mirëkuptoj, por nga ana tjetër të them: Të kam patur, të kam dhe do të të kem gjithnjë mik. Nuk është “Kristali”, por je ti, Meto! Mos e harro këtë! Të përqafoj.
Kam një urim, siç di unë, për Konti Monte Kriston. Është kënaqësi kur pimë kafe bashkë te dyqani yt i këpucarisë, afër 21 dhjetorit, pas bankës. Je shumë origjinal. Aty është vendtakimi edhe për ca forumistë të tjerë. Ju, ëmbëlsia e forumit. Arturi i Kafazit.