Një egjiptolog mendonte se kishte zbuluar misterin e vdekjes së faraonit Tutankhamon. Në nëntor 2013, Kris Naunton, drejtor i Shoqatës së Eksplorimit të Egjiptit, pasi bëri një autopsi virtuale, tha se Tutankhamoni kishte vdekur në moshën 19 vjeçare, për shkak të një aksidenti me kaloshinë. Kjo hipotezë është hedhur poshtë nga rezultatet e një tjetër studimi të ngjashëm, rezultatet e të cilit janë botuar në gazetën britanike “The Indipendent”, më 20 tetor. Profesori Albert Zink, drejtor i Institutit të Mumjeve dhe Njerëzve të Akullit në Itali, ka thënë në gazetë se faraoni i famshëm nuk ka mundësi të ketë vdekur në një aksident me kaloshinë, pasi sipas tij, ai nuk ishte në gjendje të drejtonte një të tillë. Shkaku, sipas shkencëtarit, është se Tutankhamoni çalonte, bile “e kishte të pamundur të ngrihej pa ndihmë”. Jo më kot, në varrin e tij, janë gjendur afro 130 bastunë për të ecur. Sipas tij, Tutankhamoni ka më shumë gjasa të ketë vdekur nga një stërlodhje, e shkaktuar nga një problem gjenetik. Ky i fundit duhet të ketë rrjedhur nga fakti se prindërit e tij ishin motër e vëlla, siç është zbuluar më parë.
Advertisement