Thonë që në jetë, ç’të mbjellësh do të korrësh dhe nuk u desh shumë kohë që të kuptoja se kjo funksiononte vërtet. Jam rritur vetëm me mamin, por nuk e kam ndjerë shumë mungesën e babait pasi ime më m’i ka plotësuar të gjitha. Nuk e kam ndjerë mungesën e asgjëje, më ka llastuar. Ndryshe nga moshataret e mia, kam studiuar në shkollë dhe universitet privat, kam IPhone, makinën time dhe gjithë çka do të dëshironte të kishte një moshatare e imja. Ndoshta pikërisht këto lukse bënë që unë, që në adoleshencë, të bëj një jetë të shthurur. Edhe pse e rritur mes të mirave, kërkoja gjithnjë e më shumë nga jeta, isha gjithmonë në kërkim të kënaqësive të reja. Edhe vetë mami çuditej që nuk më bënte përshtypje mungesa e babait, por edhe ajo nuk ma vinte në dukje mungesën e tij, përkundrazi…
Isha një fëmijë i lumtur, i llastuar, me të cilin fati ishte treguar tepër bujar. Mami udhëton shumë dhe shpesh, më merr me vete në vendet që viziton për shkak të punës. Në moshën 14 vjeçare, unë përjetova lidhjen time të parë! Nuk e dija se si funksiononte, por nuk kisha frikë! Me mamin flisja për gjithçka, madje shpeshherë është ajo që më pyet e para: “Era, ndonjë të re?” dhe që aty nisnin rrëfimet e mia për lidhjet me djemtë. Më pas njoha djalin me të cilin qëndrova e lidhur për 3 vjet. Mendoja se kisha gjetur dashurinë e vërtetë deri në momentin që ai më tradhtoi duke i dhënë kështu fund historisë 3 vjeçare. E përjetova si mos më keq, ajo ndarje më ndryshoi plotësisht. Po përjetoja diçka shumë të bukur, isha shumë e lumtur dhe kurrë nuk e kisha menduar se do të përfundonte në atë mënyrë. Unë vërtet isha tip shumë i hedhur dhe jeta që bëja nuk ngjasonte aspak me atë të vajzave të tjera, për mua nuk ishte çudi që të nisja një lidhje dashurie në moshën që e nisa unë apo të kisha më shumë se një histori me djemtë (me një frymë të tillë më kishte rritur ime më, e cila gjithashtu ishte pa komplekse), por pavarësisht këtyre, pas tradhtisë së tij, erdhi edhe tradhtia ime. “Të kam qëndruar besnike edhe atëherë kur nuk e ke merituar, por tani nuk mundem më”, i thashë me lot në sy kur e pashë për herë të fundit. “Era, mendohu mirë sepse unë po të kërkoj të falur”, vazhdonte të këmbëngulte ai, por ishte e kotë. E kisha vendosur që ndarja do të ishte përfundimtare, edhe pse e dija që do të vuaja. Me ndihmën e mamit u mundova ta kaloja atë moment të vështirë të jetës sime; ajo ka qenë mbështetja më e madhe për mua. Pa praninë e saj nuk e di nëse do t’ia dilja dot në jetë. Ditët kalonin dhe unë vazhdoja ta vuaja humbjen e dashurisë sime, por nga ana tjetër, u bëra edhe më moskokëçarëse, më e pandjeshme dhe e mora jetën më lehtë. “Një jetë ka njeriu dhe nuk ia vlen ta harxhosh duke qarë për një të shkuar”, i thoja vetes. Asnjë ditë e jetës sime nuk i ngjante tjetrës, asnjë ditë nuk më gjente në të njëjtin vend. Për mua, jeta monotone nuk ekzistonte. Nuk kaloi shumë kohë dhe njoha Florin, djalin me të cilin u dashurova. Pranë tij e harrova shpejt lidhjen që kisha dhe jeta ime ndryshoi 360 gradë. Flori ishte tipi im, nuk i kishte aspak problem çmenduritë e mia, madje ndodhte shpesh që këto të fundit i bënim bashkë: Qëndronim deri në orët e para të mëngjesit bashkë jashtë, konsumonim edhe lëndë narkotike, deheshim dhe na dukej sikur bota ishte e jona. Kisha nisur një kapitull të ri në të cilin po kaloja momentet më të bukura, edhe falë tipit tim moskokëçarës. “Sa dua që kjo të vazhdojë përgjithmonë dhe të mos ketë fund kurrë!”, i thoja Florit, personit të vetëm që arrinte të më kuptonte edhe vetëm me një shikim, atij që më kuptonte sa herë ndihesha keq, atij që më jepte një shpatull për t’u mbështetur në momentet e mia më të këqija. “Ti je ajo që unë dashuroj dhe nuk do të të braktis kurrë”, më thoshte. Fjalët e tij ma shtonin edhe më shumë besimin në dashurinë tonë, por edhe kësaj here, në momentin kur po dukej sikur gjërat po shkonin më mirë nga sa e kisha pritur, çdo gjë shkoi në dreq!
“Mendoj se nuk duhet të takohemi më, të paktën për disa kohë. Kam nevojë të reflektoj mbi lidhjen”, më shkruante ai. E gjitha kjo më ra si bombë! Ai po ndahej nga unë vetëm me një sms?! Po më dridhej i gjithë trupi, nuk dija ç’të bëja. Provova ta merrja në telefon, por nuk u përgjigj. “Të gjitha shpresat u shuan apo e gjithë ajo që kisha jetuar deri tani nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një ëndërr?”, pyesja veten me lot në sy. “Pse më ndodhin mua të gjitha këto? Çfarë kam bërë që t’i meritoj gjithë këto vuajtje?”, i thoja mamit e cila mundohej të më qetësonte sa mundej. “Çdo gjë është e përkoshme në këtë jetë, duhet të mësohesh që edhe gjërat që ti do, një ditë largohen papritur, pa të lajmëruar”, më thoshte, por unë nuk doja të dëgjoja justifikime për atë që kishte ndodhur. Asgjë nuk mund ta justifikonte ikjen e tij ashtu, pa dhënë asnjë shpjegim! Kjo ndarje në fillim më dobësoi shumë, por në vazhdim më bëri edhe më të fortë. Tanimë isha më parullën: “Vajza e mirë, u bë e keqe” dhe kjo nënkuptonte se nuk doja t’ia dija më për askënd, në vend të zemrës kisha një gur. U betova se nuk do të dashurohesha më për një kohë derisa të merrja hak për braktisjet që kisha pësuar. U mundova shumë që të afrohesha me të dashurin tim të parë, e ula edhe krenarinë time dhe arrita që t’i afrohesha atij. Kur e takova për herë të parë, ndjeva nostalgji pasi m’u rikthyen të gjitha kujtimet që kisha patur me të. Dukej që ende më dashuronte dhe ky ishte një avantazh për mua. Ndoshta e njëjta gjë ndodhte edhe me mua, por tani nuk isha më ajo e para, ndjenjat ua kisha lënë personave më të dobët sepse kjo nuk ishte në tipin tim.
“Çfarë ka ndodhur me jetën tënde gjatë kësaj kohe?”, ishte kurioz të mësonte sa më shumë ai. Vazhdoja të luaja rolin sikur kisha vuajtur gjatë gjithë kohës mungesën e tij dhe se askush nuk kishte arritur ta zëvendësonte deri në atë moment. E pashë që kjo e fundit i pëlqeu shumë dhe i shtoi shpresat e mia për t’u rikthyer me të. “Jam e sigurtë që do të ndjesh atë që ndjeva edhe unë kur ti më tradhtove”, mendoja me vete teksa ai fliste. E shikoja dhe më dukej sikur nuk kishte kaluar fare kohë e gjërat kishin mbetur po aty ku kishin qenë mes nesh. Filluam të takoheshim në fillim vetëm si miq dhe gjatë kësaj kohe e kuptova se ai kërkonte diçka më tepër nga unë. Në fund të fundit, edhe unë këtë kërkoja, madje ky ishte misioni im. Edhe pse ende kisha ndjenja për të, nuk mund t’ia lejoja vetes që të lëndohesha përsëri. Jo më!
Ai u dashurua përsëri me mua, madje këtë herë më shumë se herën e parë, ndërsa unë, për ta shmangur këtë, dilja edhe me djem të tjerë njëkohësisht. Sigurisht, ai nuk dinte asgjë dhe megjithëse kishin kauar dy muaj që ne ishim lidhur, nuk e kishte kuptuar që e tradhtoja. Këtë herë ne nuk kalonim shumë kohë me njëri-tjetrin si në fillim sepse unë u angazhova me një projekt televiziv i cili më merrte pjesën më të madhe të kohës. Edhe ai kishte angazhimet e tij të përhershme dhe kjo ishte në avantazhin tim. Arrita ta bëja që të ndahej nga e dashura dhe të dashurohej sërish me mua. Kjo ishte kënaqësia ime më e madhe, madje këtë herë vendosa edhe të sillesha më keq me të dhe, nga kjo, ai u dashurua edhe më shumë. Po prisja momentin e duhur kur do t’i thoja se nuk doja ta vazhdoja më lidhjen me të. Doja të shihja në fytyrën e tij të njëjtën shprehje që pa ai në fytyrën time në një moment të ngjashëm. Duhet ta çoja hakmarrjen time në vend. Atëherë do të isha ajo Era e mëparshme e kryelartë. Dhe, kështu ndodhi! Në një lloj mënyre unë po bëja një jetë të dyfishtë, e gjitha në shërbim të hakmarrjes. Filluam të udhëtonim bashkë shumë shpesh, më blinte dhurata dhe surprizat nuk mungonin pothuajse asnjë ditë. Të gjitha këto më bënin të lëkundesha ndonjëherë dhe ta lëshoja veten duke u dashuruar sërish me të, por jo. Nuk mund ta bëja sërish atë gabim! Edhe mamasë sime që gjithmonë kishte ditur gjithçka për mua, këtë herë nuk i tregova asgjë sepse doja ta bëja gjithçka e vetme, sipas mënyrës sime. E dija që do të më ndalonte, do të ma mbushte mendjen që të mos e bëja sepse e njihja ndikimin që kishte tek unë, prandaj nuk i fola për asgjë.
“Mendon se ka ardhur momenti që ne të fejohemi?”, i thashë.
“Nuk jam gati për fejesë”, ishte përgjigjja që nuk prisja ta merrja kurrë!
“Pse?”
“Nuk jam gati ta marr atë përgjegjësi mbi veten”, ma preu shkurt.
“Po unë mendova se më dashuroje”. Këtë për pak sa nuk ia thashë me zë të lartë, por e mbajta veten. Nuk po e kuptoja çfarë po ndodhte me të sepse nëse vazhdonte kështu, do të m’i prishte të gjitha planet.
“Ke ndonjë tjetër?”, fillova të luaja rolin e xhelozes.
“Si mund të kem tjetër kur të dashuroj vetëm ty? Duhet të më kuptosh se ky nuk është momenti që unë të hedh hapin e madh. Kur ta bëj këtë, dua të jem shumë i përgjegjshëm”.
Nuk kisha çfarë t’i thoja sepse do të prishja gjithçka, ndaj e lashë me aq. Gjatë kësaj kohe isha pajtuar edhe me Florin dhe dilja edhe me atë njëkohësisht. Me të e kisha më të lehtë rikthimin, edhe pse gjithashtu iu desh të ndahej nga e dashura për t’u rilidhur me mua. Jam e sigurtë që shumë prej jush pasi ta lexoni historinë time do të më quani të shthurur, por nëse i shikoni gjërat në këndvështrimin tim, do të më jepni të drejtë. Nuk është gabim nëse shkon me dy, tre apo katër meshkuj, gabim është të gënjesh dhe të lëndosh. Dhe, erdhi dita që unë e shijova në maksimum hakmarrjen time. U lashë takim që të dyve në të njëjtin vend dhe në të njëjtën orë.
“Të pres në orën 13.00 fiks, mos u vono”, u thoja të dyve sepse duhet të vinin që të dy në të njëjtën kohë. Meqë të dy ishin dashuruar sërish me mua, tani ishte moment final i hakmarrjes. Në kafen ku e lashë takimin, kisha vajtur e shoqëruar me një tjetër shok me të cilin u putha sapo ata të dy u shfaqën në derën e lokalit. Atë skenë nuk do ta harroj kurrë në jetën time, mbetën të shtangur në vend! Ashtu siç ishin, të xhindosur, u afruan te tavolina ime. Aty u bë një lëmsh i vërtetë kur mësuan edhe për njëri-tjetrin.
“Çfarë je ti kështu?”, më tha Flori. “Çfarë loje po luan?”
“Po luaje…, do të ishte më e saktë fjalia”, i thashë. Aty u tregova se që në rikthimin me ta gjithçka ishte qenë e shtirur, për t’u hakmarrë ndaj atyre që më bënë të vuaja. Ata nuk e donin veten teksa më dëgjonin dhe pasi thanë një thes me sharje, u larguan, por e dija shumë mirë që po vuanin. Po ndjeja një kënaqësi të brendshme që e arrita atë që doja. Ju mund të thoni që unë jam e pashpirt, por ishin ata që më bënë të tillë. Që prej asaj dite nuk i kam parë më, ka kaluar një vit, megjithatë edhe unë i druhem ndonjë hakmarrjeje nga ana e tyre. Është e lehtë të mashtrosh dhe ta bësh një femër të vuajë, por nuk duhet harruar që, kur ajo lodhet, nuk ka më kthim pas dhe hakmarrja është ajo që i shijon më tepër. Shoh vajza që rikthehen me ish-të dashurit apo gra me ish-bashkëshortët e tyre, por nuk e kuptojnë se ky është gabimi më i madh që mund të bësh në jetë. Pas një ndarjeje, asgjë nuk është më si më parë, sepse është njësoj si të lexosh dy herë të njëjtin libër, fundin e të cilit e di tashmë.