Një tendencë e re na vjen nga vendet anglo-saksone, e quajtur “cleansing reduction” (reduktimi i pastrimit). Bëhet fjalë, pra, për t’u larë më rrallë sesa lahemi tani, mundësisht, një herë në javë. Kjo tendencë ka marrë përmasa të mëdha, duke u kthyer në një fenomen të vërtetë. Parimi është i thjeshtë; për arsye ekologjike, shëndeti dhe bukurie, duhet të lahesh një herë në javë, jo më shumë. Duhet të marrin fund pra dushi i përditshëm e larja e flokëve dhe duhet të kthehemi disa kohë prapa, atëhere kur laheshim një herë në javë, të shtunën, që të hënën të shkonim të pastër në shkollë apo punë! Në fakt, larja e përditshme është një fenomen i kohëve të fundit edhe në Evropë, sepse para 50 vjetësh, ishte normale të laheshe 1-2 herë në javë.
Është e qartë se sa më pak të lahesh, aq më pak ujë dhe energji harxhon, gjë që përbën një gjest të vërtetë ekologjik. Kjo ndihmon edhe në uljen e ngrohjes globale. Sot, sipas revistës “Daily Mail”, 41% e burrave dhe 33% e grave britanike nuk lahen çdo ditë, sidomos për arsye ekologjike. Edhe dermatologët janë unanimë përsa i përket faktit se larja e shpeshtë dëmton lëkurën dhe shkatërron barrierat e saj natyrale ndaj infeksioneve. Sipas një studimi të Universitetit të Kalifornisë, larja e shpeshtë dëmton florën natyrale të lëkurës dhe sekrecionet e saj mbrojtëse, gjë që na bën më të brishtë ndaj agresioneve të jashtme. Edhe flokët këshillohet të lahen 1-2 herë në javë. Larja e shpeshtë i than flokët dhe lëkurën e kokës, që sekreton edhe më shumë yndyrë. Edhe VIP-at i janë bashkuar kësaj tendence. Anxhelina Zholi ka vite që deklaron se lahet vetëm një herë në javë, në vaskë. Kristen Stjuart, Princi Herri, Xhesika Simpson apo binjakët Olsen janë kategorikë: Për flokë të pastër pa harxhuar ujë, më e mira është shampoja e thatë.