Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Të zezën ma bëri shoqja

Shpeshherë përdorin shprehjen “më mirë një mik sesa një thesar”, por për mua miqësia nuk ka asnjë vlerë. Në biseda mes miqsh, dëgjoj se shoqëria në kohën e komunizmi ishte më e sinqertë dhe jo në bazë të interesit, por nga eksperienca kam vërtetuar se në asnjë kohë nuk ka shoqëri të vërtetë; shoqëria ndërtohet në bazë të interesit dhe gjithmonë e tillë ka për të qenë. Njerëzit naivë si puna ime, janë djegur nga shoqëria e tepërt. Qëkur isha vajzë e vogël, unë zura një shoqe që e kisha edhe komshije njëkohësisht. Ajo më donte dhe unë e doja shumë. Ishim në një klasë dhe bashkë shkonim e bashkë ktheheshim nga shkolla. Edhe detyrat i bënim bashkë dhe asnjëherë nuk kisha vërejtur që ajo të kishte shenja xhelozie ndaj meje. E donim dhe e respektonim njëra-tjetrën, pasi edhe prindërit të tillë kulturë na kishin ushqyer. Shkollën e mesme e mbaruam në vitin ’83. Në atë kohë ne jetonim në fshat, kështu që ishim të detyruara të punonim në kooperativë dhe nuk u ndamë asnjëherë deri në një kohë kur mes nesh hyri një djalë.
Në atë periudhë në fshatin tonë erdhi një piktor. Me sa duket, ai më kishte pikasur mua ndër vajzat e tjera, po unë këtë nuk e dija. Në atë kohë, në fshatin tonë, kujt vinte nga qyteti, i vardiseshin të gjitha vajzat dhe mundoheshin kush e kush ta bënte për vete. Piktori do rrinte në hotelin e fshatit tonë gati dy javë sepse do të bënte një punë të pavarur për kooperativën tonë. Një ditë, teksa po shkonim për në shtëpi me shoqen time, unë kisha marrë një krah me bar për ta çuar në shtëpi dhe ai më ndaloi në rrugë e më tha:
– Prit të të ndihmoj…
– Të lutem, ma hap rrugën se do bëj skandal – i thashë unë, me shprehjet që përdornim atëhere kur na afrohej një mashkull.
Ai qeshi dhe më tha se do të takoheshim prapë. E kuptova që ai nuk ishte nga fshati ynë, po nuk e dija se ai ishte pikërisht piktori për të cilin shoqet e punës flisnin me shumë dashuri. Gjatë rrugës, pashë se Afërdita, shoqja ime, dukej e mërzitur dhe shumë e heshtur. E pyeta se çfarë kishte dhe m’u përgjigj se ai ishte piktori që kishte ardhur në fshat. Një ndjenjë e bukur më përshkoi trupin dhe atë ditë nuk më zuri gjumi fare. Mendoja: “Si ka mundësi që ai preferoi të më ndalojë mua, kur të gjitha vajzat vdesin për t’i folur atij?”. Atëhere isha e re dhe shumë e bukur, me flokët e gjata të zeza, sytë e zinj dhe buzët të trasha e me formë, por asnjëherë nuk më binte në mendje të vishesha e të bëhesha e bukur për të shkuar në punën e kooperativës. Nejse, me këtë dua të them se dalloja shumë nga vajzat e tjera dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse piktori filloi të kishte simpati për mua. Lefteri (kështu e quanin) kishte tentuar edhe dy herë të tjera që të më ndalonte, por unë nuk kisha pranuar sepse në fshat njerëzit t’i hapnin fjalët kot e jo më plot! Në momentet që ai më ndalonte, më shumë fliste Afërdita sesa unë. Ajo donte të dukej para tij, ose të paktën këtë përshtypje më kish lënë mua. Përveç kësaj, kisha kuptuar se ajo kishte filluar të ftohej me mua, fliste më pak, vishej më bukur, sikur nuk po shkonte në punë kooperative. Lefteri më kish dërguar një letër me një shoqen tjetër që e kisha në punë aty dhe më shkruante: “Të pres në mbrëmjen e vallëzimit, sot në darkë”. E lexova letrën dhe më kapën disa të dridhura. Nuk dija si të bëja. Prindërit nuk më linin asnjëherë të shkoja në mbrëmjet që organizonte fshati, pasi ishin shumë fanatikë. Afërdita më tha se do shkonte në atë mbrëmje, ndërsa ditën tjetër më tha se piktori na kish kërcyer me gjithë vajzat e fshatit, por kjo nuk ishte e vërtetë se unë pyeta shoqet e punës dhe ato më thanë që ai nuk ishte ngritur asnjëherë për të kërcyer. Një ditë në mëngjes, po përcillja mamanë time në autobus dhe përballë pashë Lefterin, i cili nuk m’i ndante sytë për asnjë çast. Edhe ai, me sa kuptova, nisej për në qytet. Më vonë, mami më tregoi se ai i kish lëshuar vendin nga dritarja, pasi atë e zinte autobusi. Lefteri kishte kërkuar shumë mundësi për të më takuar, por asnjëherë nuk ia arriti qëllimit, derisa ai kishte kapur xhaxhanë tim dhe i kishte treguar për ndjenjat e tij ndaj meje. Xhaxhi foli me tim atë dhe ai u interesua për Lefterin. Të gjithë i kishin folur fjalët më të mira, kështu që ai pranoi të fejoheshim. Lefteri më erdhi në shtëpi pa më takuar asnjëherë. Edhe pse ishte hera e parë që e takova, më dukej sikur e kisha njohur prej vitesh, fillova ta doja shumë. Ai ishte me shkollë të lartë dhe dinte si të më bënte për vete, ndonëse unë isha shumë e ndrojtur para tij. Rrobat që ai më solli në fejesë, nuk krahasoheshin me ato të shoqeve të mia. Ai kishte rrogën dhe, plus kësaj, dinte të zgjidhte, se kishte shoqërinë që i ruante çdo gjë të mirë. Me të, jeta ime ndryshoi shumë. Lefteri më nxori një raport mjekësor dhe unë nuk shkoja më në kooperativë. Shoqet e punës u çmendën fare kur morën vesh se unë isha fejuar me djalin që ato e mbanin si idhull, por më shumë u çmend shoqja ime e ngushtë, Afërdita. Ajo vinte tek unë sa për sy e faqe; e kuptoja se nuk më duronte dot. Më vonë, Lefteri më tregoi se në dhomën e hotelit ku ai jetonte në fshatin tonë, i kishin futur një letër ku shkruhej: “E fejuara jote ka dështuar një fëmijë”. Ai e kishte grisur këtë letër dhe nuk më tha asgjë në atë kohë, sepse ai kishte besim tek unë. Kur u martuam, ne shkuam me pushime në malin e Dajtit dhe në ditën e pestë të qëndrimit atje, na erdhi një letër ku thuhej: “E pata unë. Tani mbaje ti”. E pashë që ai u prish në fytyrë dhe më pyeti se kush nga të njohurit e mi e dinte që ne ishim në atë hotel. I thashë se e dinin vetëm prindërit e mi, por ia mora letrën nga dora dhe kur e lexova, menjëherë e kuptova se ai ishte shkrimi i Afërditës, ndonëse ajo ishte përpjekur ta ndryshonte. Lefteri më tha se ishte i njëjti shkrim që i kishte dërguar letër edhe në hotelin e fshatit tim… Sa shumë u zhgënjeva! Nuk e besoja që shoqja ime më e ngushtë, ajo të cilën unë e konsideroja si motër, po më bënte gjëra të tilla. Ajo kishte pyetur prindërit e mi se në cilin hotel kishim shkuar dhe na kishte dërguar atë letër. Që prej asaj dite, unë nuk i fola më asaj. Asnjëherë nuk e kisha kuptuar se ajo e kishte shpirtin kaq të zi, por kur në mes hyn një mashkull, vërtet femra u tjetërsuaka, ndonëse unë nuk do t’ia kisha bërë kurrë një gjë të tillë shoqes sime.
Letrat e saj nuk ndikuan fare në lidhjen time me Lefterin, pasi ai e dinte se si isha unë dhe fjalët e saj ishin pa vlerë. Ne sot kemi dy fëmijë, ndërsa Afërdita, ashtu si ka shpirtin, ashtu ka mbetur. Zilia ia kishte verbuar sytë dhe nuk dinte çfarë kërkonte nga jeta, ndaj pretendimet e saj për t’u martuar në qytet e kanë lënë edhe sot e kësaj dite pa martuar…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Babai ka probleme me prostatën

Next Post

NDRYSHIMI I VIP-ave: NORA

Advertisement