Më të pasurit e botës, që përbëjnë 1% të popullsisë së saj, po bëhen edhe më të pasur, duke zotëruar 48% të pasurisë botërore, sipas një raporti të botuar kohët e fundit, në të cilin thuhet edhe se rritja e pabarazisë mund të jetë një shkak për ecjen prapa. Sipas raportit mbi pasurinë botërore, të bankës Credit Suisse, një person nevojitet të ketë 36500$ të ardhura në vit për të bërë pjesë në 50% e më të pasurve në botë, por më shumë se 77 000$ për të qenë në 10% e më të pasurve dhe 798 000$, për të bërë pjesë në 1% e më të pasurve. “E marrë së bashku, 50% e popullsisë së botës zotëron më pak se 1% të pasurisë totale. Në kontrast me këtë, më të pasurit zotërojnë 87% të pasurisë dhe vetëm 1% e më të pasurve zotërojnë 48,2% të aseteve botërore”, është shkruar në raportin vjetor, i cili përpilohet për herë të pestë.
Në raport është përllogaritur edhe se pasuria botërore është rritur, duke arritur një rekord të ri, 263 triliardë$ në krahasim me vitin 2000, kur ishte 117 triliardë$. Gjithashtu, është treguar se 85 njerëzit më të pasur të botës zotërojnë një pasuri prej 1 triliardë paundë, po aq sa zotërojnë 3.5 miliardë njerëzit më të varfër të globit. “Këto shifra tregojnë qartë se pabarazia është ekstreme e në rritje dhe se rimëkëmbja ekonomike pas krizës financiare, po anon në favor të më të pasurve. Në vendet e varfra, pabarazia në rritje tregon mundësitë që kanë fëmijët për të shkuar në shkollë dhe të sëmurët, për të marrë ilaçe që u shpëtojnë jetën.
Pasuria botërore është rritur me 20,1 triliardë vitin që shkoi dhe kjo është rritja më e madhe e regjistruar që prej vitit 2007. Sipas raportit, totali është rritur çdo vit që prej 2008-s dhe tani është 20% më e lartë se në pikun para krizës.
Kina ka më shumë pjesëmarrës në 10% të pasurisë globale se çdo vend tjetër, pas SHBA-së dhe Japonisë, duke zënë kështu vendin e tretë dhe duke ia kaluar Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe.