– Kam një shqetësim me lëkurën dhe dua të pyes mjeken tuaj dermatologe, Albanën. Prej një kohe të gjatë kam të çara në lëkurë (strija) nga mbipesha. Të çarat i kam në ije, kofshë, bark dhe gjoks. Dua të di: Çfarë mjekimesh duhet të përdor dhe a hiqen përfundimisht këto shenja? Me respekt A.
Dr. Albana Lufi, mjeke – dermatologe: – Strijat ose të çarat në lëkurë janë formuar si pasojë e këputjes së fijeve kolagjene. Shtresa e mesme e lëkurës ose derma, përbëhet kryesisht prej fijeve kolagjene. Ndërmjet tyre shtrihen fijet elastike dhe retikulare. Fijet kolagjene zgjaten më tepër se fijet elastike, prandaj këputen duke shkaktuar shfaqjen e strijave ose të çarave në lëkurë. Strijat shfaqen kryesisht te femrat që pësojnë luhatje në peshë (kryesisht, shtim në peshë), gjithashtu në moshën e pubertetit, por edhe gjatë shtatzanisë. Ato vihen re edhe te meshkujt që merren me stërvitje të sforcuar, e cila ndikon në këputjen e fijeve të kolagjenit. Në fillim, strijat kanë ngjyrë të kuqe ose vishnje, pastaj zbardhen. Trajtimi i tyre jo gjithmonë është i lehtë. Ka kremra specifike për t’i trajtuar (kremi antismaliature), por efekti i përmirësimit është i vogël. Procedura të tjera që përdorim për t’i trajtuar janë: pilingu kimik, dermoabrazioni, lazeri i fraksionuar dhe dermapeni. Të gjitha procedurat e përmendura bëhen nga mjeku dermatolog. Në Klinikën Dermatologjike dhe Estetike Dermovita, për të trajtuar strijat, përdorim dermapenin, efekti i të cilit është mjaft i mirë.
– Dermapeni është një sistem terapie me mikrogjilpëra që shpon lëkuren në mënyrë vertikale, duke shkaktuar stimulimin natyral të kolagjenit dhe elastinës, me dëmtime minimale në lëkurë. Kjo terapi rrit rezultatet e rinovimit të lëkurës dhe është terapi e sigurtë për klientin, për shkak të dëmtimeve shumë të vogla në lëkurë. Pas një periudhe të shkurtër kohore, 24 ose 48 orë, eleminohet skuqja e shkaktuar në lëkurë. Për të patur rezultate të mira, nevojiten disa seanca, që bëhen me interval dy javor nga njëra-tjetra. Dermapeni është efektiv dhe mund të përdoret edhe i kombinuar me lazerin e fraksionuar ose pilingun kimik.
Advertisement