10% e evropianëve vuajnë nga pagjumësia kronike. Çfarë duhet bërë kur kemi probleme me gjumin, të cilat mund të vënë në rrezik ekuilibrin tonë psikologjik, por edhe fiziologjik?

Anila, 38 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, filloi të kishte probleme me gjumin para një viti. «Në fillim e kisha të vështirë, nuk më zinte gjumi, ndodhte të rrotullohesha një orë në shtrat. Pak nga pak, gjumi i natës u bë me copa. Tani e kam të vështirë të më zërë gjumi, zgjohem disa herë dhe në orën 5 të mëngjesit, më del gjumi fare». Këto janë pagjumësi që i «prishin jetën» asaj. «Jam gjithë kohës e irrituar, e kam të vështirë të përqendrohem, ndjehem e këputur, prandaj pi shumë kafe, gjë që nuk i rregullon problemet. Kam përshtypjen edhe se sëmurem më shpejt dhe jam e pafuqishme». Anila nuk është e vetmja që vuan nga kjo e keqe. Sipas një studimi evropian, një në tre vetë nuk fle aq sa duhet dhe vetëm 13% e personave të prekur nga problemet e gjumit, trajtohen nga mjeku. Pse gjumi bëhet kaq i vështirë për disa? Ka ndonjë zgjidhje si të biesh më lehtë në krahët e Morfeut?
«Quajmë pagjumësi edhe një gjumë të keq», shpjegon Silbi Parola, psikiatre, specialiste e gjumit. «Kjo gjë mund të karakterizohet me vështirësi për të fjetur, zgjime gjatë natës, një zgjim shumë herët në mëngjes, ose përshtypjen se ke qenë gjysmë zgjuar gjatë gjithë natës. Pagjumësia karakterizohet si sëmundje nëse ajo ka pasoja në jetën e ditës». Me një fjalë, dikush që thotë se ka fjetur keq, por që ndjehet mirë gjatë ditës, nuk është medoemos një i pagjumë. Ai është thjesht një njeri që nuk ka nevojë për shumë gjumë, por që nuk e di këtë.

Shkaqet fiziologjike
Shkaqet e këtij problemi janë të shumta. Ato mund të jenë sëmundje të lidhura me gjumin, ku në krye qëndron «sindroma e lëvizjes së pakontrolluar të këmbëve». Kjo sindromë i prek të sëmurët pasdite, por edhe natën, duke ua penguar gjumin për shkak të ndjesive të pakëndshme që u shkakton, duke i detyruar të zgjohen, pa dëshirën e tyre, për shkak të lëvizjeve të pakontrolluara, që dëmtojnë cilësinë e gjumit. «Të parët që e vënë re këtë fenomen janë bashkëshortët e personave të prekur», shpjegon doktoresha. «Ekzistojnë trajtime mjekësore ndaj këtij problemi të kontrollit të muskujve». Përgjegjëse për problemet e gjumit janë edhe apnetë e gjumit (ndalimi i frymëmarrjes për disa sekonda). «Kur një njeri gërhet shumë, ai mund të vuajë prej tyre», shton doktoresha. Shkaqe të tjera janë refluksi gastrik (kur kthehet ushqimi mbrapsht), hipertiroidja, dhimbjet e trupit ose disa sëmundje të frymëmarrjes, si astma, etj.

Shkaqet psikologjike
Nga njëra anë janë, pra, shkaqet fiziologjike, por nga ana tjetër, janë ato psikologjike. «Shkaqet më të shpeshta të pagjumësisë janë të lidhura me trurin dhe gjendjen tonë emocionale», thotë doktoresha. Sidomos depresioni nervor bën pjesë ndër shkaqet që të pengojnë të flesh si duket dhe karakterizohet shpesh me një zgjim shumë herët në mëngjes. Ndërsa ankthi i madh shkakton zgjime natën ose një vështirësi për të të zënë gjumi. «Në psikologji, gjërat nuk janë të prera me thikë, prandaj është e rëndësishme të flasësh gjatë me pacientët dhe të bësh një pyetësor skrupuloz për të dalë me një diagnozë të saktë». Me një fjalë, para se të japësh këshilla për të fjetur më mirë, duhet të zbulosh shkakun e pagjumësisë.
Pagjumësia shpesh cilësohet si «psiko-fiziologjike» dhe «rezulton si një frikë se nuk arrin të flesh, për shkak të një eksperience të pakëndshme të një nate pa gjumë». Pak nga pak, fillojnë problemet me gjumin dhe ne kemi tendencë të shtyjmë orën e fjetjes, duke rënduar kështu pagjumësinë. Ky është një rreth vicioz që e njeh mirë Arbeni, 32 vjeç: «Kur fillova punën time të re, para 6 muajsh, isha si në ethe dhe e kisha të vështirë të më të zinte gjumi shumë net rresht. Pak nga pak kisha frikë të shkoja në shtrat dhe rrotullohesha e rrotullohesha në të. E di mirë se, sa më shumë frikë të kem, aq më pak fle, por kjo është më e fortë se unë».

Vrojtoni gjumin tuaj, për të fjetur më mirë
Ka site interneti me pyetësorë të kompletuar, që të lejojnë të testosh cilësinë e gjumit që bën (si për shembull, siti francez, Reseau Morphee). Gjithashtu, propozohet të shkarkohet nga interneti një axhendë gjumi. Ajo është shumë e dobishme kur shkon të vizitohesh te mjeku i familjes, personi i parë që duhet kontaktuar kur pagjumësia kthehet në problem, këshillon doktoresha. «Në këto raste, mjeku do të dijë me metodat e tij të ndihmojë pacientin të identifikojë përsëri sinjalet e gjumit dhe të rivendosë një higjienë të mirë të të fjeturit». Në mënyrë të përgjithshme, shton ajo, të njohësh gjumin tënd, të ndihmon ta rigjesh atë: Të pëlqen të flesh më shumë në mëngjes, apo në darkë? Ke nevojë të flesh 8 orë, apo vetëm 6? Po kështu, të vrojtosh zakonet e tua gjatë pushimeve, të ndihmon të rigjesh gjumin e humbur. «Nëse zgjohesh herët, edhe kur fle vonë, provon, për shembull, se je njeri i mëngjesit. Duke e ditur se gjatë pushimeve flemë mesatarisht një orë e gjysmë më shumë sesa kemi nevojë, mund të vlerësojmë kohëzgjatjen e duhur të gjumit për të cilën kemi nevojë në përgjithësi». Pasi kemi zbuluar këtë të dhënë, «është e rëndësishme ta respektosh dhe të mos shkosh në shtrat atëhere kur nuk duhet». Nëse është vërtetuar se duhet të flemë herët, duhet ta fikim dritën para orës 23.00. Përkundrazi, nëse e dimë se dëshira jonë për të fjetur shfaqet vetëm në mesnatë, është e kotë ta detyrojmë veten ta provojmë më herët.

Evitoni në darkë sportin, kafeinën dhe mos u zini besë ilaçeve të gjumit
Megjithëse duket e thjeshtë, eksituesit si kafeja, pijet me kafeinë, çaji, etj., duhen evituar kur ke probleme me gjumin, ashtu si ilaçet «të cilat me kalimin e kohës e humbasin efektin e tyre gjumëndjellës dhe kthehen në shkak për pagjumësinë». Përsa i përket gjumit të drekës, ai është mirë të evitohet, ose të mos e kalojë një gjysmë ore. Një këshillë tjetër: Mos bëni sport në darkë dhe evitoni kompjuterin të paktën një orë e gjysmë para se të flini.

Dhoma e gjumit, një vend i mbrojtur
Mbi të gjitha, këshillon doktoresha, duhet të relaksohesh para se të shkosh për të fjetur. Kjo mund të bëhet në çift, ose vetëm, duke larguar prej vetes stresin e ditës. Pikërisht falë këtij momenti e kupton se ke gjumë. Përsa i përket dhomës së gjumit, ajo duhet të jetë një vend i mbrojtur, ku ndjehesh mirë, ku bëhet shkëputja nga bota e jashtme. Temperatura në të nuk duhet të jetë shumë e lartë e gjithashtu, këshillohet ajrosja. Doktoresha këshillon gjithashtu të mos kesh në dhomë televizor apo kompjuter. «Në shtrat shkon për të fjetur, ose lexuar pak, por jo për të vazhduar ditën e punës», thotë ajo.
Në fund, kur nuk arrin të të zërë gjumi, këshillohet të ngrihesh për pak kohë, bile edhe natën kur zgjohesh. Ndërsa ata që zgjohen shumë herët, ajo i këshillon të ngrihen nga shtrati, nëse ndjehen krejtësisht të zgjuar. «Nëse përpiqesh të të vijë gjumi me zor, nuk do të arrish asgjë, vetëm se do të ndjehesh më i pafuqishëm gjatë ditës». Në përgjithësi, të luftosh kundër pagjumësisë do të thotë të ndryshosh higjienën e jetës, të dëgjosh trupin tënd, në mënyrë që të mos e lësh gjumin «të të ikë».

Të reja
Paradiabeti mund të shkaktojë kancerin
Studiuesit kanë zbuluar se, nëse ke paradiabet, mund të shtohet rreziku për kancer. Studiuesit morën në shqyrtim 16 studime që përfshinin afro 900 mijë njerëz në gjithë botën dhe zbuluan se njerëzit me paradiabet, rrezikon në masën 15% më shumë për të pasur një kancer. Njerëzit me paradiabet kanë nivele sheqeri në gjak që janë më të larta se normalet, por jo aq të larta sa të konsiderohen diabet. Studimi tregoi gjithashtu lidhjen domethënëse mes paradiabetit dhe tipeve specifike të kancerit, si ai i stomakut, i zorrës së trashë, mëlçisë, pankreasit, gjoksit dhe kancerit endometrial. Ata nuk gjetën lidhje mes kësaj sëmundjeje dhe kancerit të mushkërive, prostatës, vezoreve, veshkave apo fshikëzës së urinës. Kjo lidhje nuk ishte e drejtpërdrejtë, e tipit shkak-pasojë, por gjithsesi, e pranishme. Këto rezultate janë të rëndësishme, sidomos në kohën tonë, kur rastet e njerëzve të sëmurë me diabet dhe paradiabet janë në shtim në shumë vende të zhvilluara dhe në zhvillim. Për shembull, niveli i paradiabetit mes amerikanëve të moshës 18 vjeç e më shumë, u rrit nga 29% në vitet 1999-2002, në 36%, në 2007-2010.
“Duke konsideruar nivelin e lartë të rasteve me paradiabet, si edhe lidhjen mes tij dhe kancerit të treguar në studimin tonë, mund të bëhen ndërhyrje të suksesshme te popullsia, për të evituar këtë problem”, kanë thënë studiuesit. Autorët e studimit kanë shtuar se ilaçi i diabetit, metformina, mendohet se të mbron kundër kancerit. “Metformina redukton në masën 30% në rrezikun e kancerit te pacientët diabetikë”, kanë thënë studiuesit. Nuk dihet ende nëse metformina do të reduktonte rrezikun e kancerit edhe te njerëzit me paradiabet. Për këtë duhen bërë studime afatgjata dhe në shkallë të gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *