“Without you” titullohet kënga që merr më shumë replay për momentin. Muzika, teksti dhe klipi mjaft interesant e bëjnë këtë këngë të preferuarën e të gjithëve. Ajo që e bën edhe më interesante baladën ku janë ndërthurur mjaft bukur gjuha angleze me atë indiane, është se i gjithë skenari i klipit është bazuar në jetën reale. Që të mos i themi të gjitha, lexoni intervistën e Serxhos…
– Serxho, kemi vënë re se ti nuk nxjerr shpesh klipe, ama kur del, i vendos pikat mbi i! Kënga jote e fundit është mjaft e bukur. Si mori jetë ajo?
– Së pari, do të doja të të falënderoja për intervistën dhe, njëkohësisht, për vlerësimin. Midis shumë projekteve, vendosa të lançoja pikërisht këtë këngë. Idea ishte totalisht e imja dhe u soll në jetë më së miri nga kompozitori Alfred Sula.
– Kënga është e gjitha anglisht. Me ç’qëllim?
– Nuk di të them saktësisht… Ndoshta ngaqë gjatë gjithë këtyre viteve kam studiuar dhe vazhdoj të studioj në një shkollë ku çdo lëndë zhvillohet në gjuhën angleze. E gjej veten më të plotësuar në të dhe më jep mundësinë që të jap maksimumin tim.
– …po përdorimi i gjuhës indiane, zgjedhja e kujt ishte?
– E imja, sigurisht.
– Jam shumë kurioze të di çfarë do të thotë: “xhane xhane tu Raxha”?
– (Buzëqesh) “Xhane xhane tu”, nënkupton “e di, e di ti”, ndërsa Raxha është përdorur si emër…
– Sipas fabulës së këngës, e dashura nuk ta fal tradhtinë. Po historia jote e dashurisë, shkon ashtu si në klip?
– Skenari i këngës është shkruar nga unë dhe çdo gjë është bazuar në jetën reale…
– E dashura jote i ngjan të dashurës së klipit apo asaj me të cilën e tradhton?
– Asnjërës! Ato në klip janë aktore profesioniste dhe i falënderoj për realizimin perfekt.
– Si do të silleshe ti në një situatë të ngjashme me atë të klipit?
– Në të njëjtën mënyrë siç e kam treguar edhe në videoklip.
– Pse meshkujt tradhtojnë, por nuk ia falin tradhtinë partneres?
– Ndoshta ngaqë meshkujt kërkojnë të jenë gjithmonë superiorë!
– Çfarë mendon për një mashkull që e fal tradhtinë?
– Nuk kam kohë të mendoj për gjëra të tilla, thjesht do t’u uroja jetë të lumtur.
– Makina të shtrenjta, shtëpi luksoze, luk i kuruar… Kjo është jeta që bën edhe në realitet, Serxho?
– Ndihem shumë me fat që jam djali i një familjeje e cila më përkrah në çdo aspekt. Theksoj se më pëlqen thjeshtësia dhe në jetën e përditshme jam shumë i thjeshtë, por kur bëhet fjalë për të reklamuar produktin tim, duke pasur mbështetjen maksimale, mundohem të sjell më të mirën.
– E ke gjithnjë dyshimin se miqtë mund të të afrohen edhe për interes apo i njeh miqtë e tu të vërtetë?
– Jam i rrethuar nga një mori njerëzish, kam shumë miq, shumë bashkëpunëtorë, por çdokujt i jap vendin që i takon.
– Sa persona të mrekullueshëm njeh në jetë?
– S’do të doja të përdorja shifra… Personat e mrekullueshëm për mua janë ata që më qëndrojnë pranë dhe më përkrahin më së miri në realizimin e projekteve të mia. God bless the good people (Zoti i bekoftë njerëzit e mirë)!
– Zakonisht, këngëtarët priren të paraqesin luks nëpër klipe. A është e përshtatshme kjo për realitetin tonë?
– Unë përfaqësoj Serxhon dhe besoj se është më shumë sesa e përshtatshme që këngës “VVithout you” t’i bashkangjitej ai videoklip.
– Mendon se nëse nëpër klipe do të paraqitej më shumë thjeshtësi, ato nuk do të bënin të njëjtin efekt te publiku?
– Unë vetë, vlerësoj muzikën e bukur. Realiteti vërteton që në Shqipëri muzika nuk dëgjohet, por shikohet. Besoj se kjo është një nga arsyet që i shtyn artistët shqiptarë të përdorin sa më shumë luks në klipet e tyre.
– A e ke ti më të lehtë se të tjerët të bësh muzikë?
– Jam shumë kërkues për atë që dua. Konkretisht, me këngën “VVithout you” është punuar 6 muaj dhe, pasi çdo gjë u arrit aty ku unë kërkoja, iu bashkangjitën edhe 5 ditë xhirime. Është shumë e vështirë të realizosh një punë të përkryer.
– Të pëlqejnë sfidat? Cila ka qenë sfida jote më e madhe?
– Jeta të bën të përballesh çdo ditë me sfida të ndryshme dhe, duke qenë se edhe unë jam pjesë e kësaj jete, sfidoj e sfidohem çdo ditë. Si sfidën më të madhe do të veçoja integrimin më së miri në tregun muzikor. Kam dhënë maksimumin tim dhe besoj se ia kam arritur.
– Ka patur momente gjatë xhirimeve kur të është dukur vetja si në ndonjë film?
– Më pëlqen aktrimi, madje akoma më shumë se muzika. Ndryshe nga dy klipet “Delisia” dhe “Emanuela”, në klipin “VVithout you” është ndjekur një tjetër procedurë xhirimi, e ngjashme me atë të filmave. Falënderoj regjisorin Aleksandër.
– Nëse të kërkoj të më thuash një kuriozitet…
– Jam binjak! (Buzëqesh)
– Udhëtimet e tua më të bukura? Viza më interesante në pasaportën tënde?
– Jam non stop në lëvizje dhe secili udhëtim është i mbushur me surpriza pafund. Kur isha 13 vjeç, shkolla ku unë studioja organizoi një udhëtim në Mbretërinë e Bashkuar. Do ta veçoja dhe si udhëtimin më të bukur, duke qenë se isha 13 vjeç dhe kisha marrë vizën për të udhëtuar drejt Anglisë. (Buzëqesh)
– Zakonisht, realizohet ajo që thua apo përkundrazi, ajo që e mban për vete?
– Në rast se dua diçka, i qëndroj deri në fund.
– Pse njerëzit interesantë janë kaq të pakët në ditët e sotme?
– Çdokush tenton të duket interesant për x arsye, ama jo çdokush mund t’ia arrijë më së miri.
– Çfarë të bën të dashurohesh me dikë?
– (Qesh) Nuk është kohë për dashuri… Synimet e mia në lidhje me muzikën shkojnë shumë larg. Kjo më bën t’i përkushtohem totalisht realizimit të ëndrrës sime.
– Në cilat gjëra po fokusohesh më shumë këtë kohë?
– Vazhdoj studimet në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë për Shkenca Politike. Njëkohësisht po bashkëpunoj me studion “AS Records” për finalizimin e disa projekteve muzikore që do të lançohen shumë shpejt.
– Cilat janë gjërat që i harron më shpesh?
– Jashtë dëshirës sime, i lë njerëzit të më presin, edhe pse është e vetmja gjë që nuk e duroj.
– Në një party surprizë, cila do të ishte surpriza e vërtetë për ty?
– Më pëlqejnë surprizat sepse ashtu si çdokujt, edhe mua më falin një ndjesi të veçantë. Surpriza më e madhe do të ishte sikur të pranishëm në atë “party surprizë” të ishin: Neyo, sepse ai është këngëtari im i preferuar dhe, që surpriza të ishte më e këndshme, do të shtoja edhe Rita Orën. (Qesh) She Shine (Ajo shkëlqen)!
– Ke dashur ndonjëherë të të gënjejnë sepse gënjeshtra ka qenë më e ëmbël se e vërteta në ato çaste?
– Sigurisht që po dhe më i fundit ishte kur dy ditë pasi publikova klipin “VVithout you”, mora lajmin që kanali Arkiva Shqip është pezulluar. Fatmirësisht, çdo gjë u rregullua në kohë.
– Mendjen e kujt do të doje të lexoje në këto momente?
– Do të doja të lundroja qoftë edhe për një moment të vetëm në mendjen e Barak Obamës. Është idhulli im dhe më pëlqejnë jashtë mase strategjitë e tij. I vetmi njeri që më frymëzon dhe më inspiron!
– Po të kishe një kopje të dytë, për çfarë do ta “shfrytëzoje”?
– (Qesh) Për koncerte. Do të zhvilloja nga dy koncerte njëkohësisht, por ju siguroj që ndihem më mirë kështu.
– Edhe kënga dhe klipi i radhës, duhet të vonojnë që të jenë po kaq të bukur?
– Për të arritur lançimin e një pune në mënyrën perfekte, detyrimisht, nevojitet kohë.
– Është më sensuale një puthje apo një përkëdhelje?
– Një përkëdhelje.
– Është më origjinale një pikturë apo një ndjenjë?
– Një pikturë.
– Të frikëson më shumë ligësia, tradhtia apo budallallëku?
– Budallallëku është i frikshëm, po ta mendosh.
– Më mirë të nxisësh kuriozitetin apo oreksin?
– Kuriozitetin.
– Të marrësh duartrokitje apo një premtim?
– Duartrokitje, sepse vlerësojnë punën e mirë.
– Të japësh llogari apo të kërkosh të falur?
– Llogari.
– Të durosh do të thotë të nënshtrohesh apo të tolerosh?
– Varet nga situata. Konkretisht, jam i mendimit që “kush duron, fiton”.