Mbrëmë, kur ju dolët lakuriq nga banjoja, partneri as që ju vuri re. Tashmë, ju shkëmbeni me njëri-tjetrin vetëm pyetje të jetës së përditshme, të tipit “Çfarë kemi sot për drekë?”. Ku shkoi pasioni i dikurshëm, bisedat pa fund, përqafimet sensuale dhe të qeshurat e përbashkëta? Mos u trembni, thjesht rutina dhe zakonet kanë përfshirë çiftin tuaj. Asgjë nuk është e humbur, me kusht që të dini si të luftoni kundër saj. Zbuloni disa mënyra shumë të thjeshta që kanë dhënë prova në rigjallërimin e flakës në çift dhe mbi të gjitha, në mbajtjen gjallë të saj. Ia vlen të përpiqeni, pasi rezultatet do të ndryshojnë jetën tuaj…
1. Fikni ekranet
“Çfarë bëtë mbrëmë në darkë?”, pyesin kolegët në kafene. “Asgjë, pamë televizor”. E thoni edhe vetë, “asgjëja” tregon në fakt se ndjeheni paksa e zhgënjyer dhe se ju shkoi dita kot. Mos e ndërprisni dialogun me njëri-tjetrin! Ky ekran i vogël dhe çdo lloj aparati tjetër elektronik kthehen shpejt në një kurth, sidomos nëse i merrni me vete edhe në dhomën e gjumit. Televizori, kompjuteri, smartfoni, kthehen atëhere në varrin e jetës suaj seksuale, pasi ato pengojnë çdo lloj dialogu. Nuk themi se duhet të shisni menjëherë televizorin, as të evitoni çdo lloj kontakti me internetin, por të paktën të pakësoni përdorimin e tyre ose ta ndryshoni. Kështu, zgjidhni një program televizori që do ta shihni që të dy; kështu, do të krijoni një lloj takimi. Transmetimi i një seriali tërheqës kthehet atëhere në një rast, për të bërë një festë të vogël. Mund të porosisni një picë, ose të përgatisni ushqime që mund t’i konsumoni para televizorit, me një shishe verë dhe shijojeni plotësisht mbrëmjen. Idealja është ta zëvendësoni me aktivitete të tjera: Vajtje në kinema, në teatër, një lojë… Ja, përsëri po zhvilloni aktivitete të përbashkëta. Do të befasoheni kur të konstatoni se sa e lehtë është të heqësh dorë nga aparatet elektronike, sidomos kur kjo bëhet për kauzën e duhur!
2. Krijoni një ritual
Ky do të jetë një zakon që nuk ka të bëjë me banjon e fëmijëve, pazarin e së shtunës dhe faturat për t’u paguar! Bëhet fjalë të caktoni një takim të rregullt, të këndshëm dhe në çift. Për shembull, të enjten e parë të muajit, do të dilni: Në një restorant, në kinema, një ekspozitë, një shëtitje nën dritën e hënës… Programin që do t’ia propozoni tjetrit, do ta imagjinoni secili me radhë. Nëse njëri nga të dy nuk e bën detyrën e tij atë ditë, duhet të gjejë një mbrëmje tjetër dhe do të duhet të bëjë një punë angari: Të lajë enët, të përsërisë tabelat e shumëzimit me djalin, të rregullojë depon…
Është e domosdoshme të gjeni kohë edhe për veten, por nuk është e nevojshme të jeni të pasur, për t’i bërë qejfin tjetrit dhe vetes. Mund të përgatisni një darkë në dritën e qirinjve, të gatuar në shtëpi, një mbrëmje masazhesh me dritën e mpakur… Për ata që kanë mundësi: Merrni një bebisiter këto mbrëmje, ose bëni shkëmbim me fqinjët; ju mbani fëmijët e tyre dhe ata tuajët, për një mbrëmje në muaj. Që të dyja palët, do të dilni të fituara.
3. Gjeni një aktivitet të përbashkët
Sigurisht, ju bëni shumë gjëra së bashku: Shkoni në supermarket, drekoni të dielën te prindërit tuaj, shihni dëftesat e fëmijëve… Por, a janë këto aktivitete të këndshme? A ndani ju momente të mëdha lumturie kur rrini në radhë në arkën e supermarketit? Jo tamam. Ka ardhur koha ta rregulloni këtë. Mësoni të kënaqeni në çift. Zgjidhni një aktivitet që u korrespondon dëshirave të të dyve dhe sidomos, për të cilin jeni në të njëjtin nivel. E kotë të regjistroheni në një kurs tenisi, nëse zotëria është tenist i sprovuar dhe zonja nuk ka kapur raketë tenisi me dorë, pasi do të nervozoheni dhe zhgënjeheni të dy. Mund të merrni mësime kërcimi së bashku… Jo vetëm do të perfeksiononi hapat e salsës, por do të jeni edhe në kontakt fizik me njëri-tjetrin. Nëse partnerit tuaj nuk i pëlqen kjo, mos e detyroni dhe gjeni diçka tjetër, si kopshtaria, kuzhina, vrapi të dielën në mëngjes, shëtitja me biçikletë… Kryesorja është të ndani së bashku një moment të këndshëm. Nëse aktiviteti është në grup, kjo ju jep mundësinë të inkurajoheni reciprokisht, të tregoni talentet tuaja të fshehura e pastaj të komentoni, në intimitet, paaftësinë e pjesëmarrësve të tjerë! Bile, këshillohet të takoheni atje dhe të mos shkoni së bashku. Kështu, do të keni përshtypjen se do të keni një takim me të dashurin… si në kohërat e vjetra!
4. Luani pak me zjarrin
Këtu duhet të veproni me kujdes. Pa dyshim, e keni kuptuar se duhet të luani pak me xhelozinë e tjetrit, duke ngacmuar sedrën e tij. Nëse ai nuk ju sheh më (dhe ka sy vetëm për të tjerat), jepini të kuptojë se ka të tjerë që ju shohin juve… Vetëm kujdes, mos abuzoni me këtë nëse partneri juaj është posesiv, ose nëse rrezikoni të përkeqësoni xhelozinë e tij… Me një fjalë, merreni shtruar.
Etapa 1: Ju jeni para televizorit dhe partneri e ka mendjen vetëm te ndeshja. Lavdëroni me zë të lartë trupin e fuqishëm të një futbollisti. Mos hezitoni të thoni me një zë ëndërrues: “Sa e lezetshme, më sjell ndërmend shefin e ri që na ka ardhur në zyrë…”.
Etapa 2: Të nesërmen, vini mbi tavolinë kalendarin e “Perëndive të Stadiumit” dhe psherëtini me zhurmë para fotove gati lakuriq të sportistëve.
Etapa 3: Zotëria është para një ndjeshjeje tjetër dhe ende nuk jua hedh sytë. Ashtu si rastësisht, thuajini atij: “A të kam thënë se edhe shefi im i ri, që i ngjan Ronaldos, ka qenë lojtar futbolli? E çuditshme për një inxhinier, apo jo?”. Lëreni pastaj të ziejë përbrenda…
Etapa 4: Të enjten thuajini se do ta kaloni të premten mbrëma me kolegët në një restorant ku jepet finalja e Kupës së UEFA-s. Një ide gjeniale e shefit tuaj… E vëmë me bast se shumë shpejt, partneri juaj do ta harrojë topin e futbollit, për t’iu dedikuar më shumë formave tuaja të rrumbullakëta! Ky skenar mund të ndryshojë sipas shijeve sportive apo artistike të zotërisë.
5. Thyeni rutinën, mos flini gjithmonë së bashku
Ideja mund t’ju duket e çmendur, megjithatë ajo mund të jetë sekreti i martesave që zgjasin dhe duket se josh shumë të dashuruar amerikanë, që flenë në dhoma të veçanta. Një studim i bërë nga shoqata amerikane e ndërtimit të shtëpive, parashikon se, duke filluar nga 2015-a, më shumë se 60% e shtëpive që do të ndërtohen, do të kenë dy dhoma për një çift. Sigurisht, në shoqërinë tonë individualiste mund të shpjegohet pse çifti do të flejë veç e veç; sepse secili do të ruajë anën e tij sekrete dhe personale…
Evitoni gërhitjet! Kush nuk ka fjetur pranë një gërhitësi të madh, nuk mund ta kuptojë ferrin që përjetojnë disa çdo natë… Në vitin 2001, një studim i bërë nga Passion For Life Healthcare, tregoi se 31% e gërhitësve mendonin se ky problem kishte një ndikim të pafavorshëm në lidhjen e tyre. Atëhere, për të evituar këtë, është mirë që secili të flejë në dhomën e tij. Përveç aspektit pragmatik, kjo zgjidhje paraqet edhe disa përparësi romantike. Ju kujtohet skena mitike e filmit francez “Zebra”, ku aktori Tierri Lermit bënte të kërciste dyshemeja para dhomës së gruas së tij, me qëllim që ta lajmëronte për mbërritjen e tij në dhomë? Këto janë zhurma premtuese të një nate sensuale, pa u zënë për një jorgan që na i lë këmbët jashtë. Kështu, dhoma merr një tjetër kuptim, atë të një vendi dedikuar kënaqësive dhe ritakimit të dy të dashuruarve. Sigurisht, diçka e tillë kërkon një shtëpi me hapësirë, nuk është kollaj të bëhet kur jetoni katër vetë në një dhomë e një kuzhinë! Atëhere, në varësi nga mundësitë, zgjidhni një shtëpi pushimesh me dhoma të mjaftueshme, ose flini një herë në javë te mamaja, me qëllim që atë ta marrë malli për ju… Me një fjalë, thyejeni pak rutinën!
6. Kujdesuni për veten
Nga zakoni, shpesh e lëmë veten pas dore. Kështu, mund të shkojmë në banjo dhe nuk e mbyllim derën me kyç, mbllaçitemi me gojën plot, depilohemi në kanape, ndërkohë që ai sheh futboll, apo presim thonjtë mbi karrigen e sallonit… Ku është ajo gruaja joshëse dhe misterioze që e joshte? Bëjeni të ëndërrojë, duke mos ia treguar të gjitha sekretet tuaja. Nëse e keni zakon të shëtisni gjysmë lakuriq nëpër shtëpi, duke bërë punët, vishuni. Në fakt, ju e banalizoni lakuriqësinë tuaj dhe i hiqni erotizmin. Duhet ta dini tashmë se nuk ka gjë më eksituese sesa diçka e nënkuptuar. Atëhere, ruajini për vete gjithë ritualet tuaja të bukurisë, që duhet t’i bëni në intimitetin e banjos. Kështu, do të zgjoni më shumë kureshtinë e tij.