Rozmarina e zakonshme (Rosmarinus officinali) është një bimë mjekësore në formë gjysëm-shkurreje, me veti të larta shëruese. Ajo është vlerësuar për këto veti që në kohët më të lashta. Grekët e vjetër e vlerësonin aq shumë këtë bimë saqë i dhuronin kurora me rozmarinë edhe Afërditës, perëndeshës së dashurisë dhe të bukurisë. Degët e saj të thata i digjnin në tempujt fetarë, në shenjë bekimi. Në gjuhën greke, fjala rozmarinë ka kuptimin “shkurre balsamike”. Edhe romakët e lashtë, të cilët e quanin rozmarinën me respekt “vesa e detit”, e adhuronin, duke menduar se ajo është një bimë e shenjtë që rritet më mirë se kudo, në viset ku dëgjohet muzika e valëve të detit… Dijetarët romakë mbanin mbi krye kurora me rozmarinë sepse mendonin se ajo do t’u kthjellonte mendimin, ndërsa gladiatorët e quanin atë “simbol të fitores”, ajo ka domethënien e dashurisë dhe të besnikërisë. Edhe në shekullin e XVII thurnin me rozmarinë kurora për dhëndrrin dhe nusen sepse sipas besimit popullor, kështu, ata do të siguronin një dashuri dhe bashkëjetesë të gjatë, plot dashuri dhe besnikëri. Në dasma, para se të pihej gota e parë e verës, hidheshin në kupa gjethe rozmarine…
Rozmarina ka një sistem rrënjor mjaft të zhvilluar dhe mund të rritet deri në dy metra. Lulet e saj janë të dendura dhe kanë një ngjyrë të këndshme në gurkali të thellë. Në gjethet e saj si gjilpërë, ajo ka disa “gjendrra” që prodhojnë vaj eterik mjaft aromatik. Nga aroma ato të kujtojnë pishën dhe bredhin sepse kanë, sikurse edhe ato, rrëshirë aromatike… Erë shumë të këndshme kanë edhe lulet e rozmarinës, të cilat kanë shumë nektar dhe i tërheqin shumë bletët. Mjalti i rozmarinës vlerësohet shumë… Sipas klimës së viseve ku rritet, ajo lulëzon në muajt shkurt e mars dhe vetëm në disa vende të ftohta vazhdon lulëzimi deri në muajin maj. Në fakt, rozmarina ka një periudhë vegjetacioni shumë të gjatë: Lulëzimi i saj vazhdon më shumë se tre javë, po nuk janë të rralla rastet kur ajo çel lule për herë të dytë në muajin shtator. Në vise me klimë të ngrohtë, ajo, në fakt, qëndron e lulëzuar gjatë gjithë verës.
Rozmarina përdoret në shkallë të gjerë në industrinë kozmetike dhe për këtë, përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës saj.
Atdhe i rozmarinës mendohet se janë vendet e Mesdheut, por ajo rritet tani pothuajse kudo, në Meksikë, në SHBA, në Kaukaz dhe në të gjithë Evropën. Sipas shkencëtarëve, atë e kanë përhapur nëpër Evropë fiset gjermane që në shekullin e tretë të erës sonë, kur luftonin me Perandorinë Romake. Thuhet se në Mesjetë kishte livadhe të tëra me rozmarinë, ku kullotnin dhentë dhe jepnin një qumësht me aromë fantastike. Edhe mishi i qengjave të këtyre dhenve kishte gjithashtu një shije shumë të mirë dhe aromë shumë të këndshme.
Duke patur besim të patundur në vetitë e saj shëruese, rozmarina u përdor në shkallë të gjerë në shekullin e XVII në luftën kundër epidemisë së kolerës… Kronikat saksone kanë ruajtur për rozmarinën materiale të shumta në të cilat flitet për vetitë shëruese të kësaj bime duke vënë në dukje aftësitë e saj dezinfektuese, traditë që vazhdon në ato vise edhe sot e kësaj dite…
Vlerat reale të rozmarinës, shpeshherë kanë marrë kuptim mitik. Kështu, për shembull, ajo përdorej si mjet për të parashikuar fatin. Vajzat vinin nën jastëk monedha argjendi e degë rozmarine dhe u dilte në ëndërr bashkëshorti i tyre i ardhshëm… Aq famë të madhe kishte rozmarina në Mesjetë saqë e përdornin atë edhe si mjet për të shpëtuar nga veset e këqia, si vjedhja, etj. Për këtë, njerëzit duhet t’i lanin këmbët me uthull dhe me rozmarinë. Anglezët mendonin se rozmarina i ndihmon gratë për të siguruar dashurinë dhe besnikërinë e bashkëshortëve të tyre, prandaj mbanin gjithmonë në shtëpitë e tyre nga një trumbë degësh rozmarine.
Që në kohët më të lashta, rozmarina është përdorur edhe si behare për gjellët. Ajo, në fakt, është shumë e pasur me vitamina A, B, C, me antioksidantë të ndryshëm, fllavonoidë, vajra eterike, rrëshirë, acide organike, hekur, magnezium, fosfor, kalium, natrium, etj., por kryesorja është se rozmarina u jep një shije origjinale supave, salcave, gjellëve me kërpudha, patateve, picave, madje edhe verës.
Rozmarinën e quajnë “aromë e zemrës” sepse ajo përmirëson punën e zemrës, trurit, qarkullimin e gjakut, normalizon veprimtarinë e koronareve dhe tensionin e lartë të gjakut. Shumë e dobishme është rozmarina edhe për stomakun, mëlçinë, tëmthin, heq dhimbjet e kokës, parandalon të fiktit, madje përmirëson shumë edhe shëndetin e syve. Por, kryesorja, ajo forcon trurin dhe kujtesën.
Rozmarina mund të përdoret edhe si çaj. Për këtë, përdoret rozmarina e thatë. Një lugë ekstrat hidhet në një gotë ujë të porsavluar, mbulohet dhe lihet derisa të ftohet. Ajo gotë mund të pihet disa herë ditën, duke e shtuar me ujë tjetër ose: 2 lugë çaji me gjethe rozmarine i ziejmë me dy gota ujë deri në valim, i lëmë 15 minuta dhe i kullojmë. I pimë nga një gjysëm gote 3-4 herë në ditë.
Rozmarinën, për kurim, nuk rekomandohet ta përdorin grate shtatzëna.
Deri në ditët tona ka ardhur legjenda se Mbretëresha Elisabeta, e shoqja e Perandorit të Austro-Hungarisë, në moshën 72-vjeçare dukej si një vajzë njëzet vjeçe vetëm e vetëm sepse pinte të ashtuquajturin “ujë hungarez”, i cili përgatitej me vajin eterik të rozmarinës. E, meqë ra fjala për vajin, duhet thënë se ai pastron lëkurën e yndyrshme, zbut lëkurën e thatë, e zbukuron atë, i jep freski dhe elasticitet. Vaji i rozmarinës mbahet si një mjet efikas kundër celulitit, ndihmon në shëndetin e flokëve, etj. Vaji i rozmarinës rrit imunitetin, ka veti antiseptike dhe mund të përdoret kundër diabetit. Shumë mjekë e rekomandojnë atë edhe si një mjet efikas kundër shqetësimeve shpirtërore dhe depresioneve.