Pse më ndodhin këto gjëra mua? Gabimet e njëpasnjëshme, sidomos në dashuri, janë veçanërisht të dhimbshme. Megjithatë, në shumë raste, ne bëjmë të njëjtën gjë të gabuar: Dashurohemi me një njeri që na bën të vuajmë, takojmë një tip egoist, që mendon vetëm për vete, ose dikë që është i lidhur dhe nuk ka ndërmend të lërë gruan/partneren/të fejuarën e kështu me radhë. Po sikur problemi të qëndronte te ne? Ose më saktë, sikur gabimi në dashuri të mos ishte gjë tjetër veçse përsëritja e një mekanizmi të gabuar, për të cilin nuk jemi të ndërgjegjshme? Kemi pyetur një psikolog e psikoterapeut çiftesh dhe ja, cilat kanë qenë këshillat e tij…
1. Mundohu të bashkërendosh anën racionale me atë emotive
Një nga problemet më të mëdha, thotë specialisti, lind kur ana logjike dhe ajo emocionale kërkojnë gjëra të ndryshme. Logjika më thotë të kërkoj një burrë besnik, emotiviteti kërkon ato tensione që lindin vetëm me dikë që më mban si mbi gjemba, nuk më jep siguri, më tradhton. E rëndësishme është pra të bashkërendojmë anën tonë racionale me atë emotive. Sigurisht, ky është një proces gradual që fillon duke dalluar emocionet që “na bëjnë keq” dhe duke i vënë ato nën kontroll. Me një fjalë, mundohuni të mos dashuroheni me djalin e prapë, që ju duket maço, etj., por me dikë me të cilin ju lidhin parime dhe ideale të njëjta për jetën.
2. Zëvendësoji emocionet negative me ato pozitive
Për të evituar përsëritjen e të njëjtave gabime në dashuri, këshillon specialisti, është e rëndësishme të mbushemi me emocione pozitive. Nëse ana jonë emocionale është “e uritur”, duhet ta kënaqim me emocione pozitive, që na bëjnë të ndjehemi mirë. Me një fjalë, është pak si ushqimi: Duhet të mësojmë të vlerësojmë ushqimet e shëndetshme dhe nuk është e thënë se kështu duhet të heqim dorë nga gjërat e shijshme…
3. Faktori kohë është thelbësor
Duhet të identifikojmë emocionet që na bëjnë keq dhe t’i zëvendësojmë me të tjera, të kuptojmë arsyen e gabimeve tona të përsëritura. Megjithatë, kjo nuk bëhet menjëherë. Nëse je mësuar me “emocione të forta”, por në të njëjtën kohë, shkatërrimtare ose negative, nuk mund të kalosh menjëherë tek emocione më të shtruara, por ajo që ka rëndësi është të identifikohet mekanizmi dhe të mundohesh ta thyesh atë.
4. Analizo lidhjet e jetës tënde
Duhet të analizojmë dashuritë tona, t’i shohim me një sy sa më “objektiv”, sepse kjo na ndihmon të dallojmë skemën e sjelljes që, duke u përsëritur, na shtyn të bëjmë gjithmonë të njëjtat gabime. Është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë na tërheq dhe pse, cilat nevoja duam të kënaqim dhe çfarë kërkojmë te të tjerët. Për shembull, jeni e ndrojtur dhe kërkoni një djalë të shkathët, të “prapë”, që të plotësojë ato gjëra që nuk i arrini dot vetë? E keni menduar se çfarë pasojash mund të ketë kjo? Apo ju pëlqen të urdhëroni dhe gjeni një partner të shtruar e të butë, për të cilin e humbisni pastaj shpejt interesin dhe dëshirën?
5. Lejoja vetes përjetimin e emocioneve
Siç e thamë, zgjidhja e gabimeve kërkon durim dhe një punë të gjatë të analizimit të vetvetes. Lejoja vetes luksin e përjetimit të emocioneve deri në fund, duke mos patur frikë nga ajo që ndjen. Vetëm kështu mund të evidentojmë nevojat më të thella të anës sonë emocionale dhe të mund t’i “korrigjojmë” me ato që na bëjnë mirë.
5. Kurseji pak energjitë e tua
Pasioni që të konsumon gjithë energjitë, të jep idenë se po jeton në mënyrë intensive, por shpesh të lë pa energji dhe të hutuar. Edhe t’i dedikohesh krejtësisht një personi është një gabim që e bëjmë shpesh dhe na bën të themi se kemi dhënë më shumë sesa kemi marrë. Nuk bëhet fjalë të vësh në provë partnerin, por të identifikosh se çfarë dëshiron dhe ta kërkosh atë. Kështu, mund të kuptosh sa i përfshirë është tjetri në lidhje. Nëse përgjigjja është negative edhe ndaj kërkesave të vogla, duhet të shohësh në sy realitetin dhe të mos krijosh iluzione të kota. Nga ky person nuk do të marrësh atë që dëshiron nga një lidhje dashurie.
6. Lejoji vetes thyerje të vogla rregullash
Një tjetër gabim që bëjmë shpesh dhe që qëndron në bazë të disa dështimeve dashurore, sidomos në lidhjet afatgjata, është tendenca për të nxjerrë në pah imazhin më pak joshës të vetes. Ne kemi tendencë të shkarkojmë te tjetri gjithë problemet tona, duke harruar rëndësinë që ka vazhdimi i lojës së joshjes që u pëlqen të dyve dhe si përfundim, rrimë vetëm duke u ankuar. Një shembull? Sa herë i je ankuar partnerit se ke shtuar në peshë, se të janë krijuar tulet aty dhe atje, duke krijuar një imazh jo joshës në sytë e tij? Kundër këtij gabimi, e vetmja zgjidhje është t’i kushtosh vetes momente të shkurtra, thyerje të vogla rregullash në mënyrë që të mos e shohim veten gjithmonë në të njëjtin këndvështrim. Sigurisht, nuk po të themi të tradhtosh, por të thyesh zakonet e konsoliduara në mënyrën se si e shohim veten dhe ia tregojmë atë të tjerëve. Nganjëherë, mjafton të veshim një fustan, të cilin nuk e kishim imagjinuar se do të ishte i përshtatshëm për ne…