Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më donte vetëm për interes!

Sot ndihem jo vetëm e lënduar dhe e braktisur, por mbi të gjitha, shumë naive. Ndihem e shfrytëzuar në maksimum prej një njeriu që e kam dashur me gjithë shpirt dhe për të cilin kam sakrifikuar shumë. Tani që e kuptoj se si nisi lidhja jonë dhe se si e ndërtuam atë, arrij t’i jap kuptim çdo gjëje që ka ndodhur. Shumë gjëra që nuk i kam kuptuar dhe që shpesh i kam përkthyer ashtu siç më ka pëlqyer, sot i kam shumë të qarta. Por, në fund të fundit, ç’vlerë ka të kuptoj tani atë që ndodhi, kur vetëm kam harxhuar kot 4 vite të jetës sime? Nganjëherë mendoj se e kam fajin vetë. Po të isha treguar më e arsyeshme, do ta kisha kuptuar me kohë se si qëndronin punët, por unë iu dorëzova dashurisë, si një adoleshente që provon dashurinë e parë. E di që nuk më falet ky gabim. Nga ana tjetër, si mund të ishte kaq i papërgjegjshëm ai, që më la të flija mbi dafina, për të më tronditur më pas gjithë jetën?

Unë jam 30 vjeçe dhe kam 10 vjet që jetoj në Tiranë. Familja ime është nga një qytet në Veri të Shqipërisë. Erdha në Tiranë me shkollë. Më pas u rregullova edhe me punë dhe vendosa të qëndroja këtu. Nuk e konceptoj dot të kthehem prapë në qytetin tim, sidomos tani që e kam ndërtuar jetën këtu. A-në e njoha në punë dhe u miqësuam shumë shpejt me njëri-tjetrin. Ndryshe nga unë, ai ishte tip më i rezervuar. Shumë shpejt, mes nesh lindi një tërheqje që i kalonte caqet e miqësisë, por ai ngurronte të fliste hapur për këtë. Sot e kuptoj se ai mund të jetë frenuar për të tjera arsye e jo prej natyrës të mbyllur që kishte, siç mendoja unë. Unë prisja që ta hidhte ai hapin e parë. U zvarrit për pothuajse 4 muaj kjo histori, derisa më në fund, pa i thënë asnjë fjalë njëri-tjetrit, shkëmbyem puthjen e parë dhe ashtu, pa folur se çfarë prisnim nga njëri-tjetri, e vazhduam këtë histori. Kalonim shumë kohë bashkë. Ai jetonte me familjen. Në atë kohë, mundësitë e mia financiare ishin më të mëdha dhe nuk kufizohesha kurrë që ta ndihmoja edhe financiarisht. Kam sakrifikuar gjëra për veten time vetëm e vetëm për ta ndihmuar. Sa herë takoheshim, ai fliste vetëm për hallet e veta, sa më dukej sikur isha i vetmi njeri mbi tokë që nuk kisha asnjë shqetësim. E ndihmoja vetëm e vetëm që ai të ndihej mirë. Doja ta shikoja të lumtur, por rrallëherë e pashë kështu. Megjithatë, kur je në një marrëdhënie sentimentale, rrallë i vëren gjëra të tilla. U dashurova çmendurisht pas tij, edhe pse dukej qartë se unë jepja më shumë në këtë marrëdhënie. Nuk e kam fjalën vetëm për anën financiare, por mbi të gjitha, për atë emocionale. Isha gjithmonë unë ajo që kërkoja të kalonim më shumë kohë bashkë. Marrëdhënia jonë pati ndikimin e vet edhe në ambientin e punës. Përpiqesha ta ndihmoja edhe në punë dhe krijova një lloj distance me njerëzit që nuk e kishin shumë për zemër. Atëhere më dukeshin ata të këqinj, por sot e kuptoj se nuk ka qenë kështu. Të gjithë e dimë se si merret vesh çdo gjë në ambientin e punës dhe më pas kthehet edhe në thashethem. Kështu ndodhi me lidhjen tonë. Të gjithë e morën vesh dhe jo rrallëherë unë paragjykohesha. A. nuk donte që ne ta tregonim lidhjen në punë dhe nuk shfaqeshim si çift, megjithatë të gjithë e dinin. Ai e justifikoi këtë duke më thënë se nuk donte që njerëzit aty të fillonin thashethemet për ne të dy. Kolegëve u bënte përshtypje kur më shikonim gjithmonë mua duke paguar, qoftë edhe për një kafe pranë punës, madje, një prej kolegeve të cilën e kisha edhe mikeshë, më pyeti nëse kisha lidhje me A-në. Nuk doja t’i tregoja, por as ta mohoja atë që dukej qartë dhe i thashë se ishim në fazë njohje. Ajo më kërkoi leje të më pyeste për një gjë që i kishte bërë përshtypje, më tha se kishte vënë re që unë paguaja gjithmonë dhe më pyeti se pse po e ndërtoja kështu këtë marrëdhënie. Më erdhi keq për fjalët e saj dhe i thashë se nuk ishte e vërtetë dhe se përshtypja e saj ishte e gabuar. Nuk doja t’i tregoja për problemet që kishte A dhe as nuk doja t’i jepja shpjegime për veprimet e mia. Në punë, lidhja jonë u komentua sikur ai po më shfrytëzonte mua. Kur i dëgjova këto fjalë, më erdhi keq që paragjykoheshim. Ishte e vërtetë se unë shpenzoja për të dy, por mendoja se këto gjëra, në një lidhje, nuk kishin rëndësi. Kur e diskutoja këtë gjë me A-në, ai më thoshte që të mos merresha me njerëzit dhe më kujtonte se për këtë arsye nuk donte ta thonte hapur që kishte lidhje me mua, sepse do të fillonin thashethemet.
Pikërisht atëhere kur ai i zgjidhi të gjitha hallet dhe i lau të gjitha borxhet, që më thoshte se kishte, mori fund edhe lidhja jonë. Është e vërtetë se nuk kishim folur asnjëherë për të ardhmen tonë, por pasi kishin kaluar rreth 3 vjet, unë kisha bërë plane për të ardhmen. Ai më kishte prezantuar edhe familjen e tij. Edhe unë e kisha prezantuar me mamin dhe motrën time. Ndarja jonë erdhi papritur dhe në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. E vura re se kohët e fundit ai nuk kishte shumë kohë për të ndenjur me mua. I kërkoja të takoheshim dhe më nxirrte lloj-lloj justifikimesh. Mërzitesha shumë. Në darkë vinte të më takonte në shtëpinë time dhe më bënte që ta harroja të gjithë mërzinë, por gjithçka ishte e paramenduar. Ai nuk donte që të dilte në publik me mua. Nuk më tha asgjë, nuk më paralajmëroi për asnjë çast se lidhjes sonë po i vinte fundi. E mbaj mend si sot atë ditë të enjte. Ishim të gjithë në punë, kur ai e bëri publike se ishte fejuar. Të gjithë u habitën, por shtangia ime ishte e paparashikueshme. Aq naive isha sa për një moment mendova se donte të fejohej me mua. Një nga kolegët e pyeti se kur ishte fejuar dhe ai i tha se kishte bërë një festë të vogël familjare një ditë më parë. M’u bë e qartë se unë nuk kisha lidhje fare në këtë histori. Një ditë më parë unë kisha qenë në shtëpinë e prindërve, ndërsa ai ishte fejuar. Filluan t’i bënin pyetje për të fejuarën dhe ai përgjigjej. Mua më mbyti turpi por nuk doja ta jepja veten. Na qerasi të gjithëve. Nuk i erdhi turp dhe erdhi më qerasi edhe mua. Nuk e pranova dhe u largova me pretekstin se kisha punë. Ai e pa reagimin tim dhe nuk e zgjati. Prita që të më merrte në telefon dhe të shpjegohej, por nuk e bëri. Më vonë mora vesh se as që kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë. Nuk durova dhe i kërkova vetë shpjegime. Më tha se nuk më kishte premtuar asgjë. Kur e pyeta se si ishte fejuar me një njeri që as nuk e njihte, më tha se kishte 5 vjet që e njihte dhe që kishte lidhje me të. I thoshte këto fjalë sikur të ishin më normalet në botë. Sigurisht që nuk u përmbajta dhe nuk lashë fjalë pa e ofenduar, por atij nuk i bënin përshtypje. Më vonë mora vesh se vajza me të cilën ishte fejuar kishte qenë për studime jashtë vendit për disa vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe e kishin ruajtur lidhjen, ndërsa unë kisha shërbyer thjesht si një zëvendësuese momentale. Gjëja më e tmerrshme ishte se kjo histori, dashje pa dashje, ndikonte edhe në jetën time. Unë isha thashethemi i ditës. Disa ndjenin keqardhje, disa të tjerë thonin se ma kishte bërë mirë kur isha treguar aq naive, por çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe kjo histori sikur u harrua nga të tjerët, por jo nga unë…
Tani, ne vazhdojmë të jemi në të njëjtën punë dhe gjërat sikur kanë marrë rrjedhë normale. Megjithëse nuk kam më asnjë lloj ndjenje për A-në, nuk e shmang dot shijen e keqe që më ka lënë kjo histori…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nuk e di çfarë të bëj me martesën time e cila është shndërruar në tmerr...

Next Post

Eli Fara prezanton vajzën

Advertisement