Alisia është nga Bullgaria, por fama e saj nuk ka ngelur në kufijtë e saj gjeografikë. Ajo është e njohur në Europë e më gjerë e tashmë, edhe në Shqipëri. Në këtë intervistë, Alisia tregon për bashkëpunimin me djemtë vlonjatë të grupit Revoltklan, për fillimet e saj, për djalin, si edhe për përditshmërinë e një këngëtareje si ajo…
Fabjola Kuburi: - Alisia, çfarë mund t’i thuash për veten publikut shqiptar që po të njeh në saje të këngës “Lover number one”?
Alisia: – Si fillim, dua t’ju falënderoj për intervistën dhe vëmendjen që u jepni artistëve, edhe pse nuk janë të vendit tuaj, por që bashkëpunojnë shumë me ta. Është një nder për mua. Çfarë mund të them për veten?! Preferoj që këngët e mia të flasin për mua. Unë jam një njeri normal, me ëndrra dhe dëshira. Djali im, Valeri, zë vendin e parë në jetën time. Ai më jep forcë dhe energji për të ecur në muzikë dhe në jetë.
– A kanë qenë të vështira fillimet e tua në muzikë?
– Asgjë nuk është e lehtë në fillim, pavarësisht se çfarë është ajo për të cilën punon. Është shumë e rëndësishme që të jesh konstant, por edhe ambicioz, të besosh tek e ardhmja jote dhe te suksesi. Është e vetmja rrugë për të ecur përpara.
– Si u gjetët ti dhe Revoltklan?
– Ah, me djemtë jemi njohur para disa vitesh. Ata më kishin parë në Balkanika Music Television dhe pas kësaj, producenti im nga Ara Music, i kontaktoi ata. Që atëhere, bashkëpunimi me djemtë ka qenë shumë i suksesshëm.
– E njeh Shqipërinë? Ke qenë këtu herë të tjera?
– Kam qenë në Tiranë disa herë, por gjithmonë për punë. Nuk kam pasur mundësinë që të shëtis dhe ta njoh më shumë. Shpresoj që shumë shpejt ta realizoj edhe një udhëtim në Tiranë, jo për punë. Gjithsesi, unë kam kujtime të ngrohta nga kontakti që kam pasur atje me njerëzit. Me aq sa i kam njohur, shqiptarët janë njerëz të ngrohtë.
– Mendon se “Lover number one” është një këngë e suksesshme?
– Unë besoj gjithmonë te suksesi i këngëve të mia, përndryshe nuk do t’i publikoja fare. (Buzëqesh) Për mua, muzika dhe teksti mes meje dhe djemve Revoltklan janë një kombinim perfekt që ka sjellë një këngë shumë të bukur dhe të pëlqyer për publikun. Shpresoj, në Shqipëri, po aq sa edhe në Bullgari.
– Si u realizua kjo këngë?
– Faktikisht, kjo këngë ka një vit që është gati, por për arsye të ndryshme të cilat janë të padukshme për publikun jashtë, u ngadalësuan dhe u lançua vetëm tani. Ndoshta, kështu ka qenë e shkruar, që të promovohet tani. Më vjen keq për këtë, por ja që u promovua tani dhe doli që të jetë një sukses.
– Çfarë emocionesh ka një këngë e re?
– Gjithnjë pozitive. E shikon se si publiku e pranon dhe e pëlqen e ti je e gëzuar për këtë gjë. Është diçka e bukur.
– Çfarë është dashuria për ty?
– Një forcë e madhe drejtuese.
– A ka një dashuri në jetën tënde?
– Për jetën time personale, mediat bullgare shkruajnë shumë, edhe pse ndonjëherë as unë vetë nuk i di ato gjëra. (Buzëqesh) Nuk ka një ditë të vetme që nuk shkruhet për mua në gazeta apo edhe në sajte. Ajo që ka rëndësi është e vërteta dhe e vërteta është se në jetën time ka një mashkull të vetëm që quhet Valeri, është 7 vjeç dhe është djali im i mrekullueshëm, të cilin unë e dua më shumë se gjithçka në botë.
– Unë të kam ndjekur dhe kam parë që ti i përzgjedh materialet me kujdes. Në fakt, a është e vështirë të krijosh një stil tëndin të të kënduari në këtë kaos muzikor?
– Stili im është etno-pop dhe është ky stil nga i cili publiku më njeh dhe më do. Nuk është e vështirë të krijosh një stil tëndin, nëse e di se çfarë është saktësisht dhe si ta prezantosh atë. Unë shoh të gjitha detajet dhe nuk bëj kompromise as me muzikën, as me tekstin, as me videot, as me ngjyrat apo imazhet.
– Sa kohë të duhet për një këngë të re? Cila është pjesa më e vështirë?
– Varet, mund të dojë disa ditë, por mund të dojë edhe disa muaj. Në një proces artistik, ti nuk mund të “vësh korniza”, siç i themi ne në Bullgari.
– A të ka ndryshuar si njeri, kalimi i viteve?
– Sigurisht që po, më ka bërë njeri më konfidencial dhe i shoh prioritetet e mia më qartë. I vlerësoj situatat më me pjekuri dhe i përjashtoj njerëzit e gabuar nga jeta ime.
– Të gjithëve na kap nostalgjia e fëmijërisë. Ty, të ndodh shpesh?
– Falë prindërve të mi, unë e dy vëllezërit e mi binjakë kemi patur një fëmijëri të lumtur dhe nga kjo kemi kujtime shumë të bukura. Është normale që këto vite t’i kujtoj me nostalgji.
– A kishe idhuj në fëmijëri?
– Idhuj jo, por kisha krijuar një ide nga skenat dhe këngëtarët botërorë që performonin kur unë isha fëmijë.
– Çfarë muzike të pëlqente kur ishe adoleshente?
– Të gjitha llojet e muzikës më pëlqenin atëhere dhe tani. Për të qenë profesionist në muzikë, të duhet të jesh koherent me tendencat e reja në të gjitha zhanret, jo vetëm tek ai që performon vetë.
– Si është një ditë e jotja e zakonshme?
– Nëse një natë më parë kam qenë në një koncert apo e ftuar në ndonjë klub, atëherë zgjohem nga mbrëmja që vjen. Pastaj, një ditë kur zgjohem në mëngjes, bëj gjithçka që do bëja zakonisht, gjërat personale, por edhe ato profesionale. Sado që të kem punë, nuk mund të mos kaloj pak kohë me djalin tim, Valerin. Ne shkojmë bashkë në kinema, në stërvitjet e tij të futbollit, udhëtojmë bashkë, dalim shëtitje, ose thjesht jemi bashkë në shtëpi, duke lexuar ndonjë libër apo duke luajtur ndonjë lojë elektronike.
– Kur Alisia është e acaruar, kush duhet të ketë frikë?
– Pyetje interesante, nuk ma kishin bërë më parë! (Buzëqesh) E dini, kur je e acaruar, të vetmit të cilëve ia nxjerr inatin janë ata që të rrethojnë, edhe pse mund të mos jenë ata që e kanë shkaktuar. Kur je e acaruar, nuk je në gjendje të marrësh vendime dhe as të bësh veprimet e duhura. Kështu, në këto situata, mundohem të minimalizoj kontaktin me njerëzit, derisa të qetësohem pak. Jam një njeri emotiv, por emotiviteti nuk është një drejtues i mirë në disa situata.
– A qan shpesh? Çfarë të bën të qash?
– Oh, të gjithë qajnë, apo jo?! Unë nuk bëj përjashtim…
– Si i ke marrëdhëniet me kuzhinën? Të pëlqen të gatuash?
– Po, më pëlqen shumë, edhe pse nuk kam shumë kohë për të gatuar. Për Krishtlindje, për shembull, unë e gatuaj bukën që ka monedhën brenda, apo ushqimin tradicional për festën e Shën Nikolasit, festa që kanë ushqime tradicionale dhe që gatuhen posaçërisht për këto festa dhe unë i ndjek…
– Je më shumë klasike apo sportive?
– Jam edhe klasike, edhe sportive, më gjeni në të dyja format, varet nga vendi dhe situata se si mund të jem veshur.
– Je person realist apo ëndërrimtar?
– Jam njeri me këmbë në tokë, njeri realist. Ëndrrat? Janë të domosdoshme. Pa ëndrra, nuk ka frymëzime, njerëzit nuk do të jetonin, zor se do të ekzistonin.
– Për një femër, ka më shumë rëndësi familja apo karriera?
– Nuk është e pamundur që të kombinohen këto të dyja. Unë jam shembulli konkret.
– Je tradicionale apo mendjehapur?
– Një artist nuk mund të jetë asnjëherë tradicional.
– Një mesazh për publikun dhe lexuesit tanë?
– Duajeni jetën dhe zgjohuni në mëngjes me optimizëm. Thuajini vetes që kjo do jetë ditë e suksesshme dhe e lumtur për ju. Me dashuri, Alisia.