“Më jepni një mikrofon, kaq!”, thotë Ermali, kur e pyet se ç’lloj formati televiziv bën për të. Dhe, për këtë, besoj jeni të sigurtë edhe ju, që e keni parë se si ia ka dalë ai deri më sot, në emisionet e shumta që ka drejtuar e moderuar, njëkohësisht… Tashmë, kemi javë që e ndjekim në Agon Channel, krah Roza Latit, në “Heart Attack” e, sigurisht, në këtë intervistë, s’ka si të mos ketë goditje zemre edhe për atë vetë. Mjafton ta lexoni…
– Ermal, si ke qenë me zemrën, këto kohët e fundit?
– Ah, zemra! Zemra do të bëjë të sajën… (Qesh) Shumë mirë, faleminderit; puls pozitiv, ndjesi e bukur.
– Më duket se kujdesesh për zemrën tënde, ama bën të rrahë fort ajo e personazheve të tu…
– Kanë filluar të më etiketojnë edhe si “kardiolog ekrani”, profesion i ri që, me sa duket, të plotësoka më shumë. S’e keni idenë çfarë ndjesie është të përlotësh e emocionosh njerëzit, aq më tepër, në ekran!
– Si u gjende dhe si po ndihesh në këtë format të ri emisionesh?
– Bashkëpunëtorëve të mi, sa herë mbarojmë një puntatë, u them se e dua akoma e më shumë “Heart Attack”, sepse nga java në javë, pavarësisht se formula është po ajo, historitë janë të ndryshme, marrëdhëniet, emocionet e reagimet, po ashtu. Ky format nisi si një propozim në Agon që, nga dita në ditë e deri më sot ka marrë këtë formë; një reality që me sa duket, mungonte dhe që e mban publikun para ekranit.
– Po në këtë televizion të ri, gjithashtu?
– Agon Channel është një pozicionim i imi i fortë në ekran, një televizion që për kaq pak kohë ka treguar që shkon larg, sepse pasioni dhe profesionalizmi ecin paralel.
– Ku fillojnë dhe ku mbarojnë angazhimet e tua në Agon?
– Kur nisin dhe mbarojnë idetë që janë shtruar në tavolinë, kur nis dhe mbaron një xhirim e kështu me radhë. Punë intensive e jashtëzakonshme!
– Ti kujdesesh për çdo detaj në “Heart Attack”. A nuk është ky një impenjim shumë i madh?
– Është, madje shpesh më pyesin se si ia dal, por le të themi që, kur finalja e çdo jave është e arrirë, lodhja e ngarkesa harrohet. Është çështje e të ndjerit; nëse e ndjen diçka, e bën, ia del, jep e merr shumë.
– Të kemi parë të drejtosh emisione muzikore, mëngjesi, pasditeje dhe mesnate… Tani, të ç’pjese të ditë-natës e quan “Heart Attack”?
– Një pjesë të konsiderueshme të ditës, për t’u shkëputur pak nga pasditja, se ndryshe s’do kisha më rrahjet e mia personale. (Buzëqesh)
– Si funksionon puna në emisionin tuaj? Si e bëni përzgjedhjen e personazheve që bëhen pjesë e tij?
– Rrjetet sociale sot janë një lehtësi e madhe. Në faqen tonë zyrtare ka pafund njerëz që shkruajnë. Vendoset një takim nga afër ku përpiqem të mësoj më shumë nga marrëdhënia e tyre, historia e shumë të tjera.
– A është e vështirë të bësh një emision të tillë në realitetin tonë?
– Pas puntatës se katërt e të pestë, por tani, jo. Kemi shkuar te takimi i dymbëdhjetë dhe inboksi i faqes sonë është aq plot sa mund ta programojmë emisionin për shumë muaj të tjerë.
– Cilat janë vështirësitë më të mëdha që hasni?
– Historitë janë të bukura, për fat ka ende njerëz që e duan surprizën e janë mirënjohës. Kjo na lehtëson gjithçka.
– Ç’lloj profili mediatik mendon se bën për ty?
– Formatet reality më pëlqejnë. Kam miq që më thonë se hapësirat e debatit, të batutave e të qenurit original në ekran, më shkojnë. Ka të tjerë që të mesmen time mes seriozes dhe argëtimit e vlerësojnë po ashtu. Unë vetë? Më jepni një mikrofon, kaq! (Qesh)
– Edhe ekrane televizionesh ke ndërruar deri më tani, shumë… Më thuaj, çfarë ka më të mirë ekrani aktual?
– Ka profesionistë, personazhe që kanë ndërtuar ekranin shqiptar dhe ti thua “sa me fat je që i ke aq pranë!”. Ndan shumë gjëra me Sonilën, Adin, Alesion, Andetën, Gentin e të tjerë. Jemi bashkë për çdo gjë.
– Do të të pyesja edhe për më të keqen e tij, por e di që do të thuash se nuk ka të keqe…
– S’e kam menduar, por sigurisht që si kudo e kushdo, gabime ka e gjen. E rëndësishme është që edhe pasi ti pyet, unë mendohem… dhe s’kam përgjigje!
– Janë përfolur shumë pagat e larta atje te ju… Qëndrojnë thashethemet? Sa e ke pagën ti, për shembull?
– Pagesat janë personale, janë një diskutim që ndonjëherë më duket i tepruar, por kur mendoj se me këtë temë disa mund edhe të kalojnë ditën, them “ok, le të flasin”…
– Si i ke marrëdhëniet me partneren tënde në ekran, Rozën? Mos më thuaj që nuk grindeni kurrë!
– Do gënjeja po të thoja të kundërtën. S’besoj se ka çifte në ekran që janë në perfeksion me njëri-tjetrin. Vetë fakti që jemi dy, herët a vonë, na vendos në diskutime e debate sesa grindje. Roza ka një temperament impulsiv që me kalimin e kohës të bëhet i nevojshëm; është natyrë e veçantë dhe kreative, buzëqeshja e duhur në “Heart Attack”.
– Ti, dukesh shumë i qetë, parë përmes ekranit. Kështu je edhe në realitet?
– Jo gjithmonë… Ka raste, madje të shpeshta, kur më pyesin se ku karikohem… (Qesh)
– Je diplomuar për Shkenca Politike, por deri tani, s’ke patur asnjë lidhje me politikën. Mendon ta “përdorësh” ndonjëherë këtë diplomë?
– Asnjëherë mos thuaj kurrë! Në zgjedhjet e fundit mora disa oferta përfshirjeje, por ekrani mbetet ende dashuri e fortë, nga ato të mëdhatë.
– Si e shikon të ardhmen tënde? Gjithmonë të lidhur me të?
– Uroj, besoj, dëshiroj. Amin!
“Heart Attack” me Ermalin
– Nëse produksioni do të vendoste të të bënte një surprizë në emisionin tënd, cili do të ishte personi që do ta bënte zemrën tënde të rrihte si e çmendur?
– S’e ke idenë sa herë e diskutoj këtë gjë me Rozën apo me Gentin, regjisorin, kur mbaron një puntatë. Hëm… Janë disa, por nuk dua të përjashtoj asnjeri, kështu që po pres… (Qesh)
– Zemra jote, për kë rreh më shumë?
– Rreh me intensitete të ndryshme për disa njerëz… Ky është bekim!
– E zënë apo e pazënë zemra jote?
– Për momentin, zemra ime mendon për zemrat e të tjerëve.
– Cila ka qenë puntata ku je emocionuar më shumë ti vetë?
– Puntata me Elhaidën, puntata mes dy mikeshave Suhida e Kristina… Janë disa, madje mund të them se secila ka pasur atakun e saj.
– Cili ka qenë personazhi që ju ka lënë pa fjalë me reagimin e tij?
– Djemtë e surprizuar nga të dashurat kanë qenë të shokuar; reagime që kanë ndikuar edhe te ne.
– Ka ndodhur që surpriza t’ju ketë shkuar dëm?
– Jo, asnjëherë!
– Por ka edhe njerëz që nuk e duan surprizën; siç jam unë, për shembull. Ka ndodhur ndonjë rast kur personi ka reaguar keq?
– Protagonistët që e duan kamerën, janë të lirshëm e entuziastë; të japin një mbështetje të madhe.
– Po sikur të ndodhte?
– Përsa i perket reagimit te keq, për fat, nuk kemi pasur ose të paktën deri në xhirime. Pas kamerave ka pasur të paktën me dy çifte diskutime të tipit “më vure në siklet”, “ti e di që s’i kam qejf kamerat”, etj.
– Një moment i sikletshëm dhe një tjetër shuuuuuuumë i bukur gjatë xhirimeve…
– I sikletshëm ka qenë në një puntatë kur ne prisnim të çohej nga tavolina vajza bashkëpunëtore me ne, ndërkohë që ndodhi e kundërta. (Qesh) Thamë se na zbuloi, por s’ndodhi asgjë.
– Çfarë do t’i uroje vetes dhe emisionit tënd në fund të kësaj interviste?
– Vetes fat, ndërsa emisionit, jetëgjatësi.
– Të më falësh që e përcaktova ngushtësisht… Ndoshta do të përshëndesësh edhe dikë tjetër…
– Dua sinqerisht të falënderoj drejtuesit e Agonit për besimin ndaj punës sime, stafin me të cilin punoj e, mbi të gjitha, qindra të rinj që na shkruajnë e presin rezervimin e radhës.