Talenti dhe modestia e tij, kanë bërë që ta ndjekin me mijëra fansa në çdo koncert ku është i pranishëm, falë kërkesave të panumërta që ka nga organizatorët e tyre. Nga ana tjetër, ai vetë është kujdesur që çdo herë të vijë me këngë dhe klipe të reja, për të qenë sa më pranë publikut i cili nuk ia ka kursyer duartrokitjet. Por, ajo që ia ka mbushur plot zemrën së fundmi, është ardhja në jetë e fëmijës së tretë, vajzës që familja ka vendosur ta quajë Era. Më se i kënaqur nga gjithë sa i ka sjellë 2013-a, Ermali flet me entuziazëm për tre këngët e reja, dy prej tyre “dhuratë” për fansat në programin e Vitit të Ri, gëzimin që Era e vogël ka sjellë në familjen Fejzullahu dhe gjithë sa shpreson dhe pret për vitin që sapo ka hyrë…
– Ermal, së fundi, ke sjellë një këngë të re… “Po ta fali zemrën” është në fakt jo vetëm kënga e re, por edhe hiti yt më i ri. Si ndihesh për këtë?
– Mjaft mirë. Duhet ta pranoj se jam mjaft i kënaqur për punën e bërë sepse vetëm në pak javë që është lançuar, ka kapur 200.000 klikime dhe kjo tregon më së miri se si është pritur kjo këngë.
– Puna jote nuk ka të ndalur, ofertat për në koncerte të ndryshme, po ashtu… Çfarë të bën ty një këngëtar kaq të kërkuar?
– Në fakt, më shumë sesa mua, kjo pyetje i takon publikut. (Buzëqesh) Megjithatë, sa më përket mua, mund të them se e gjitha është pasojë e dashurisë dhe kërkesës së publikut. Mua pasioni dhe energjitë nuk më mungojnë e nuk kanë për të më munguar për sa kohë të kem këtë publik.
– Këngët e tua sa vijnë e rrisin sukseset e tua, popullaritetin tënd… Përkon kjo me atë që ke pritur?
– Kjo është ajo që kërkon çdo artist dhe unë jam i kënaqur që e kam arritur këtë, falë punës së pandalur, sigurisht. Krahas këngës “Merre zemrën time”, në këtë prag festash, publiku do të mund të shijojë edhe dy këngë të reja “Të fala ke dhe nga unë” dhe “Djali i Kosovës”, të lançuara në kuadër të programit festiv për Vitin e Ri 2014. Këto dy regjistrime gjenden prej pak ditësh në youtube dhe, ato, gjithashtu, janë mirëpritur nga publiku.
– Shumë këngë dhe jo ndonjë album i ri në treg…
– Unë nuk jam i vetmi ndër këngëtarët që kanë zgjedhur që punën e tyre ta fokusojnë te realizimi i këngëve të reja, të shoqëruara pastaj me klipe. Mendoj se ka ikur koha e albumeve dhe se prej tyre nuk mund të kesh kurrfarë përfitimi. Kështu, kam vendosur t’u përkushtohem këngëve solo. Vetëm nga vera, ndoshta do të bëj një përmbledhje të të gjitha hiteve të deritanishme. Kjo do të ishte me më shumë interes, besoj.
– Me sa kemi marrë vesh, ke vendosur të biesh në peshë… Atëhere, nga vera do të të shohim me një silutetë ndryshe…
– Me shpresë të Zotit, po. (Qesh)
– Tashme, edhe pse i ri, je baba të 3 fëmijëve…
– Me ardhjen e Erës në jetë, e them me bindje të plotë se jam babai më i lumtur në botë, edhe pse këtë e thonë të gjithë baballarët. (Buzëqesh) Zoti më ka falur një familje të shëndoshë e të bukur dhe e falënderoj për këtë.
– Si janë raportet mes fëmijëve? Janë ata xhelozë ndaj Erës së vogël?
– Të them të drejtën, në fillim kisha pak frikë se e vogla, nuk do të mirëpritej Arti dhe Buna që janë tani njëri në shkollë e tjetri në kopësht, pikërisht për shkak të xhelozisë, por dalëngadalë, ata janë mësuar aq shumë, sa nuk rrinë dot pa e përqafuar dhe pa luajtur me motrën e tyre të vogël, njësoj siç pres të bëj edhe unë kur kthehem në shtëpi. (Qesh)
– Udhëtimet janë më tepër argëtuese apo të lodhshme, tani që ke kaq vjet që udhëton?
– Të them të drejtën, kur janë për punë, bëhen edhe pak të lodhshme se do të thotë që pjesën më të madhe të kohës ta kalosh nga njëri avion në tjetrin dhe, në këtë kuptim, udhëtimet nuk janë aq të bukura dhe interesante sa do të ishin për dikë që udhëtimin e ka për qejf dhe për të eksploruar vendin ku shkon. Jo se këto gjëra më kanë munguar, por kur shkon për punë, puna është prioritet.
– Nëse bën një rezyme, kupton se je më i kërkuar në Shqipëri, Kosovë apo Diasporë?
– Në Diasporë, sigurisht, meqë atje shqiptarët kanë edhe më shumë mall për gjithçka shqip.
– Të lodh të kënduarit live?
– Për një këngëtar profesionist, të kënduarit live është organik. Nuk mund të bëjë ndryshe dhe sado që të lodh, zëri live përcjell gjithë emocionin për të cilin vjen një publik të të dëgjojë në koncertet e tua.
– Ka ndonjëra prej këngëve lidhje me jetën tënde, historitë e tua?
– Jo, edhe pse mund të mendohet ndryshe. Është e vërtetë që të gjitha këngët kanë në thelb tematikën e dashurisë, por është po ashtu fakt se asnjëra nuk ka të bëjë me jetën time private.
– Cilën mban mend si periudhën tënde më të lavdishme?
– Fillimet e mia, me pjesëmarrjen në Top Fest dhe albumin tim të parë, mbarëvajtja e të cilit shënonte një sukses të paimagjinueshëm për një të ri si unë. Megjithatë, e them me bindje se, falë publikut që më ndjek në çdo skaj, vazhdoj ta përjetoj lavdinë dhe dashurinë që më falin. Madje, do të më pëlqente të mendoja se kulmin nuk e kam arritur akoma. Kam akoma shumë për të bërë…
– Që në intervistat e tua të para, je shprehur se je shumë i lidhur me mamanë. Vazhdon ajo lidhja e fortë edhe tani që ti ke familjen tënde, fëmijët e tu?
– Nëna është qenia më sublime për këdo që merr frymë mbi tokë, por kjo nuk e zbeh dashurinë që kam për babain. (Qesh) Unë u jam atyre mirënjohës për gjithçka që kanë bërë për mua. Tani që kam familjen time, thjesht i falënderoj dyfish sepse ata kanë qenë gjithnjë mbështetje dhe dashuri për ne.