Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
A ka efekte anësore depilimi i përhershëm?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: Kujdes nga diabeti, sëmundja e ëmbël dhe e hidhur!
ARRESTOHET I DYSHUARI PER VRASJE NE SHKODER

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: Kujdes nga diabeti, sëmundja e ëmbël dhe e hidhur!

dashamir Gjergji– Doktor Dashamiri, ju keni kohë që bashkëpunoni me gazetën tonë, duke u kthyer përgjigje pyetjeve të lexuesve, të cilëve këtë herë do të donim t’u ofronim një shkrim më të plotë në lidhje me diabetin e sheqerit…
Dr. Dashamir Gjergji: – Është gjithmonë kënaqësi të bashkëbisedosh me lexuesit e këndshëm të gazetës suaj… Sa i përket diabetit të sheqerit, kjo është një sëmundje kronike shumë e përhapur në të gjithë botën. Rritje shqetësuese të diabetit kemi edhe në vendin tonë, me një shtim marramendës të të prekurve nga diabeti vitet e fundit. Nisur që nga emri i sëmundjes, “diabeti i sheqerit”, në thelb të problemit qëndrojnë vlerat e larta të vazhdueshme të sheqerit në gjak. Të gjithë njerëzit kanë sheqer në gjak dhe, kur niveli i tij është në vlera normale, është i shëndetshëm për individin sepse i siguron energji, por kur ky rritet, ndodh siç thamë më lart, sëmundja e diabetit.
– Sa e rëndë mund të konsiderohet kjo sëmundje?
– Sëmundja e diabetit është shumë e rëndë për dëmtimet që sjell gjatë ecurisë së saj në të gjithë organizmin. Vlerat normale në gjak mbahen nën kontroll nga disa hormone dhe lëndë të ndryshme, ku kontributi kryesor i takon insulinës, që është një hormon i prodhohet nga pankreasi dhe bën të mundur hapjen e “çelësave” qelizorë për futjen e sheqerit dhe më vonë, krijimin e energjisë prej tij. Kur ndodh sëmundja e diabetit, kemi ose prodhim të pakët të insulinës nga pankreasi, ose mosveprim të mirë të saj në qeliza organore përkatëse. Kjo e fundit njihet ndryshe si koncepti i rezistencës ndaj insulinës.
– Me sa dimë, kjo sëmundje ndahet në disa tipe…
– Po, diabeti i sheqerit ndahet në disa tipe ku më kryesoret janë tipi i parë ose diabeti i fëmijëve, që fillon nga mosha 0-25 vjeç, kulmin e ka në adoleshencë dhe shfaqet më shpesh në stinën e dimrit. Në tërësi, te ky tip diabeti mungon fare insulina dhe është e kuptueshme që të gjithë këta të sëmurë do të mjekohen me insulinë nga jashtë.
Tipi i dytë ose diabeti i të rriturve, ndodh zakonisht pas moshës 40 vjeçare. Në themel të çrregullimit të sheqerit te ky tip diabeti qëndrojnë të dy faktorët që përmendëm më lart, si përdorimi i pakët i insulinës, ashtu edhe mosveprimi në periferi i saj. Diabeti i tipit të dytë është zakonisht i trashëgueshëm që do të thotë se ngjet më tepër tek individët që kanë të afërm apo kushërinj të tyre me diabet. Rreth 70-80 % të të sëmurëve me diabet të tipit 2 janë me mbipeshë trupore ose obezë. Jo rrallëherë, diabeti tipi 2 është i lidhur edhe me hipertensionin. Shpesh, këto janë sëmundje bashkëshoqëruese. Diabeti tipi 2 mund të shpërthejë edhe nga stresi dhe preferon të godasë më shumë personat që nuk bëjnë jetë fizike, domethënë, që bëjnë jetë sedentare.
– Cili prej këtyre tipeve është më i rrezikshëm?
– Si tipi i parë, ashtu edhe tipi i dytë i diabetit, nëse nuk mjekohen në kohë, mund të shfaqin gjatë ecurisë së tyre komplikacione akute të menjëhershme, por edhe kronike.
– A ka ndonjë tjetër lloj diabeti, ndoshta pak më të rrallë?
– Një tip tjetër është diabeti i barrës. Ky variant diabetik prek gratë shtatzëna që nuk kanë vuajtur më parë me diabet. Afërsisht 10% e grave shtatzëna mund të sëmuren nga diabeti i barrës, ndaj është e domosdoshme që çdo grua shtatzënë të bëjë kontrollet e sheqerit, veçanërisht në muajt e parë të shtatzanisë, por kjo s’do të thotë që kur një grua rezulton me diabet të barrës nuk duhet të kontrollohet në muajt e tjerë të shtatzanisë. Diabeti i barrës, në qoftë se nuk diagnostikohet që në fillim dhe nuk mjekohet si duhet, mund të sjellë dëme më të mëdha jo vetëm për nënën, por edhe për fëmijën. Ka edhe tipe të tjera të diabetit, por nuk mendoj t’i përfshij në këtë trajtesë, për shkak se janë më të rralla dhe më të vështira për t’u kuptuar në terminologjinë mjekësore.
– Kur një i sëmurë mund të konsiderohet diabetik?
– Kur në matjet e sheqerit në gjakun venoz rezultojnë që të jenë më shumë se 126 mg/dl esëll dhe më shumë se 200 mg/dl dy orë pas ushqimit ose çdo shifër mbi 200 mg/dl, e matur në mënyrë rastësore në çdo moment të ditës.
– Cilat janë simptomat që mund të na shtyjnë të dyshojmë se jemi prekur nga diabeti?
– Diabeti mund të paraqitet klinikisht me shenja tipike, që janë etja, pirja me tepri e ujit, urinim i shpeshtë, shtim i oreksit dhe paradoksalisht, rënie në peshë. Këto shenja klinike hasen më të plota te diabeti tipi 1, ndërsa tipi 2 mund të mungojnë shenjat klinike ose në fillim të ankesave mund të predominojnë shenjat atipike që nënkuptojnë lodhje të shpejtë, nervozizëm, dhimbje koke, mungesë përqendrimi, përgjumje, sidomos pas ushqimit, çrregullim të pamjes etj.
– A konsiderohet e shërueshme kjo sëmundje?
– Diabeti i sheqerit është sëmundje plotësisht e kurueshme nëse mjekohet si duhet që në fillimet e saj. Në themel të mjekimit të diabetit qëndrojnë katër shtylla bazë: E para është mjekimi diabetik, ku diabeti si sëmundje metabolike është sëmundja më tipike që kërkon një kujdes të veçantë në përzgjedhjen e ushqimit. Të gjithë diabetikëve në tërësi u ndalohet të marrin në dietë ëmbëlsira dhe produkte me sheqer industrial, duhet të reduktojnë produktet yndyrore veçanërisht shtazore që përfshijnë gjalpin, margarinën, mishin me shumë yndyrë, djathin lyroz etj., duhet të kufizojnë sasinë e brumrave që marrin gjatë ditës, të skuqurat, bulmetin etj. Diabetikët janë të lirë të konsumojnë pa limit të gjitha produktet bimore, vegjetariane që nuk kanë sasi të mëdha të karbohidrateve dhe yndyrnave. Kolona e dytë e mjekimit mbështetet mbi aktivitetin fizik që nënkupton që diabetikët duhet medoemos të përfshijnë në regjimin e tyre ditor 30-60 minuta aktivitet fizik, siç mund të jetë ecja e thjeshtë, ushtrimet e caktuara aerobike etj. Diabetikët duhet të ushtrojnë edhe sporte të caktuara, si: Noti, volejbolli, basketbolli etj., kuptohet, gjithmonë në varësi të kushteve të tyre fizike dhe të këshilluar nga stafi që i mjekon.
– Po përsa i përket mjekimit me barna?
– Kjo është kolona e tretë e mjekimit të diabetikëve. Barnat për diabetikët zakonisht janë dy kategori që nënkupton mjekimin me kokrra ose ilaçe nga goja, si dhe mjekimi me insulinë ose me injeksione. Më lart kemi përmendur që të gjithë diabetikët e tipit të parë mjekohen me insulinë dhe jo me barna nga goja. Diabetikët e tipit 2, si rregull, duhet të mjekohen në fillim me dietë, ndryshim të stilit të jetesës, shtim të aktivitetit fizik etj. Jo rrallëherë, tipi 2 i diabetit, në faza të caktuara, ka nevojë të mjekohet me insulinë, por mund të ndodhë që i gjithë mjekimi i këtij tipi të bazohet në insulino-terapi. Kjo mund të ngjasë kur barnat nuk japin më efektin e duhur, kur diabetiku ka sëmundje të tjera të rënda që nuk lejojnë ekuilibrimin e sheqerit, kur ka intolerancë apo efekte anësore të barnave, kur kanë filluar dhe zhvilluar dëmtimet kronike të diabetit etj.
– Po kolona e katërt e mjekimit?
– Kolona e katërt bazohet mbi edukimin e këtyre të sëmurëve, ku nënkuptohet që çdo diabetik duhet të dijë sa më shumë rreth sëmundjes së tij, rreth dietës, rreth barnave, rreth komplikacioneve të sëmundjes, duhet të instruktohet që të ketë njohuri elementare për menaxhimin e problemeve të menjëhershme të diabetit, por edhe rreth modifikimeve të vogla të mjekimeve. Me pak fjalë, diabetiku duhet të jetë “mjeku i vetvetes”.
– Me sa dimë, veç të tjerash, diabeti shkakton edhe shumë dëmtime në organizmin e të sëmurit. Cilat janë ato më të rëndat?
– Dëmtimet më të rënda që ndodhin te diabetikët janë më të shpeshta tek enët e gjakut dhe nervat. Ndaj sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut janë 2-4 herë më të shpeshta te diabetikët sesa në popullatën normale, duke përfshirë këtu infarktet, trombozat dhe sëmundjet e tjera vaskulare. Impotenca seksuale veçanërisht te meshkujt prek shumicën e diabetikëve në stade të caktuara të kësaj sëmundjeje. Shumica e diabetikëve paraqesin dëmtime të nervave, sidomos të nervave periferike dhe këto shoqërohen me dhimbje të forta të gjymtyrëve, djegie, mpirje, shpime etj. Në stadet e fundit diabeti dëmton nervat qendrore dhe sidomos ato të organeve të brendshme, dëmtime që janë me pasoja shumë të rënda për diabetikun. Diabeti është sëmundja kryesore që sjell verbimin, pra, dëmton shumë sytë. Gati gjysma e diabetikëve në periudha të caktuara të ecurisë së diabetit kanë dëmtime të gradëve të ndryshme të veshkave dhe funksionit të tyre. Nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe infeksionet e ndryshme, sidomos të vijave urinare, të lëkurës dhe, për fat të keq, jo rrallëherë te diabetikët shfaqen plagë të ndryshme që rrezikojnë më vonë prerjen apo amputimin e pjesëve të caktuara të gjymtyrëve.
– Në përfundim…
– Në përfundim, duke kuptuar rrezikun e madh që mbart kjo sëmundje, shpresojmë që ky informacion i përmbledhur rreth diabetit t’i vijë në ndihmë sadopak dhe të shërbejë si nxitje për ndërgjegjësim dhe angazhim çdo të sëmuri me diabet apo cilitdo tjetër.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A ka efekte anësore depilimi i përhershëm?

Next Post

ARRESTOHET I DYSHUARI PER VRASJE NE SHKODER

Advertisement