Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Dashnorja më zuri vendin e punës

Të dashur lexues, kur të lexoni historinë time, do të më gjykoni mund t’ju duket si një gjë që nuk mund të ndodhë, por ja që mua më ndodhi. Jam një burrë në moshë mesatare, në fakt dhe jo shumë mesatare, sepse jam pak vjeç, por nga paraqitja ngjaj me një 45 vjeçar. Të gjitha problemet e burrave, sipas mendimit tim, vijnë nga gratë. Shumica mendojnë nga gratë që i kanë në shtëpi, ndërsa unë, nga eksperienca ime, do t’ju vërtetoj se nga gruaja e shtëpisë nuk të vjen asnjë e keqe. E keqja përgatitet që në çastin që një burrë sheh një femër tjetër me sy dhe me qëllim që ta bëjë për vete. Kështu më ndodhi edhe mua.
Isha shumë mirë me familjen time. Edhe pse nuk kisha një grua shumë të bukur, e kisha punëtore dhe pa llafe. Punonte si në punë, ashtu edhe në shtëpi. Megjithatë, unë e ndihmoja shumë në punët e shtëpisë, sepse më jepet për kësi punësh. Kishim një djalë 10 vjeç dhe bënim një jetë familjare të qetë. Punoja në një punë shtetërore dhe një ditë më caktuan në një tjetër vend. Ishte pozicion më i lartë, puna ishte pak më e vështirë dhe si rrjedhim, rroga, më e lartë. Kisha punuar me shumë përkushtim dhe tani më erdhi shpërblimi. Mirëpo te puna e re ndjehesha pak si i vetmuar, sepse nuk jam dhe shumë i zoti të formoj shoqërinë shpejt. Jo se jam ndonjë i lënë, por jam pak si i ngrysur dhe nga kjo, njerëzit më rrinë larg në fillim.
Dalëngadalë fillova të njihesha me disa prej tyre dhe të kisha pëlqimet e para. Ishte një vajzë e cila punonte në zyrën ngjitur. Sa herë pinim kafe dhe bisedonim me kolegët, ajo bashkohej me mendimin tim; dukej sikur të dy ishim dakord me të njëjtat gjëra. Kjo gjë po më tërhiqte shumë. Ndjehesha i mikluar dhe më dukej një gjë e bukur dhe argëtuese. Kisha shumë nevojë të rrija me vajzën e cila më tërhiqte. Ajo quhej Eleni. Ishte një vajzë e bukur e shumë e qetë. Kishte një trup të mbajtur mirë dhe sigurisht, vishej shumë bukur. Nuk doja të interesohesha vetë për të, që të mos bija në sy për keq, por fati na bashkoi në një trajnim. Ishim caktuar unë e ajo dhe, për fatin tim të mirë, trajnimi ishte në një qytet tjetër. U nisëm me makinën time, sepse me furgon do të vonoheshim e nuk do ta arrinim. Rrugës, ndaluam të pinim një kafe.
– Je shumë i zoti në punë! – tha ajo.
– Faleminderit! Ne të vjetrit na ndihmon eksperienca.
– Më falni, ju i vjetër? Haha – qeshi ajo. – Ju jeni një burrë që shumë ju kanë zili.
– Po më rriten veshët! Nuk ma thonë shpesh këtë!
– Ju kanë inat, prandaj.
U kënaqa nga fjalët që më tha. U bëra me krahë dhe mendova se isha me të vërtetë me fat. Në trajnim isha shumë mirë, ndjehesha i plotësuar dhe alegro. Pastaj, kur hëngrëm drekën, ajo më foli për jetën e saj. Ishte e fejuar dhe së shpejti do të martohej. Kishte ambicie për të ecur para dhe më tha se ishte me fat që u njoh me mua, që ta ndihmoja në karrierën e saj.
Dhe kështu, unë u afrova me këtë vajzë. Ajo më kishte ndezur një zjarr në zemër dhe ndjehesha gati 20 vjet më i ri. E mësoja se si të punonte dhe të ishte sa më e aftë, që të binte në sy, mirëpo bashkë me këtë rriteshin edhe ndjenjat e mia për të. Ia shpreha këtë dhe ajo pranoi menjëherë, pa një, pa dy. Filloi një histori dashurie e zjarrtë… Shkonim bashkë kudo dhe kënaqeshim, sepse ajo ishte një femër e vërtetë dhe jo si gruaja që kisha në shtëpi. Sa herë shkoja në shtëpi, gruaja më thoshte:
– Më dhemb koka, më dhemb shpina, u lodha me punët e shtëpisë… – e këto gjëra më bënim ta doja më shumë kolegen.
Edhe ishte më e re, sigurisht. Kishte trupin e bukur dhe më përkushtohej 100 për qind mua. Nganjëherë bëhesha xheloz për të fejuarin e saj. Asaj nuk ia thosha, por mua më brente shumë mendimi se si sillej ajo me të. A bënte me të gjërat që bënte me mua? Ajo dukej se nuk ishte shumë e lidhur me të. Sa herë ishim bashkë, nuk i binte asnjëherë telefoni dhe kur unë e pyeta njëherë se kush ishte kur i ra zilja, m’u përgjigj:
– Ai! – vetëm kaq dhe nuk shtoi asgjë tjetër.
Pra, lumturia më kishte pushtuar. Mirëpo gjërat tepër të lumtura janë pak si të dështuara dhe nuk zgjasin shumë. Ajo kishte aplikuar për një punë në ministri dhe më kërkoi ta ndihmoja me njohjet e mia. Unë nuk e bëra dysh dhe ajo fitoi, por unë u mërzita shumë kur ajo iku nga zyra. Isha mësuar ta kisha gjithmonë pranë dhe e dija se do ta ndjeja shumë mungesën e saj. Ajo ishte për mua inspirim për gjithçka. Pasi filloi punë, kaloi një kohë gati tre javë dhe nuk u takuam. Kur e merrja në telefon, ajo më thoshte se e kishte marrë malli shumë, por ishte shumë e zënë. Fiks pas një muaji, u takuam. Ajo kishte marrë një nur të mahnitshëm. Kuptova se mua më kishte marrë më shumë malli se atë, pasi ajo ishte pak si më e ftohtë.
– Ç’ke kështu! Nuk je e kënaqur që më takove?
– Sigurisht, vetëm se jam pak e lodhur nga puna e re.
– Mendova se ke ndërruar mendje për mua.
– Jo – tha në një mënyrë që më bëri të dyshoja se ajo nuk ndjente të njëjtën gjë si unë.
“Mos ka zënë ndonjë tjetër?”, mendova. Jo, nuk do të kishte mundësi. Ajo mua më donte më shumë se të fejuarin e saj. Nejse, ndoshta me vërtetë ishte e lodhur nga puna. Takimet tona tani ishin të rralla. Unë isha bërë si i xhindosur si në shtëpi, ashtu edhe në punë. Në takimin e fundit me të, mora vesh se ishte martuar. Kishte bërë një dasmë të madhe dhe donte të ftonte edhe nga kolektivi ynë, por nuk mundej. Ajo në shtrat ishte e zjarrtë, edhe pse takoheshim rrallë, por ndjeja se dashuria nuk po më kthehej.
– Tani që jam e martuar, do ta kemi më të vështirë të takohemi – më tha. – kur jetoja te prindërit i gënjeja kollaj, por tani burrin nuk kam si ta gënjej. Sot i thashë se do të shkoja nga mami, meqë ishte vetëm, por po të shikoi ai, nuk e di se çfarë t’i them.
– Unë të dua dhe nuk mund të jetoj pa ty. Megjithatë, nuk dua të të prish punë. Ti mundohu të takohesh me mua, sepse unë pa ty nuk mund të marr frymë, por pa e prishur lidhjen me të. Do të jetë babai i fëmijëve të tu… – e provokova për të ditur se si po ecte lidhja e tyre.
– Tani po! Unë e kam mendjen te karriera, është herët për fëmijë – unë mendova se do të thoshte se nuk donte fëmijë nga ai, por vërtetova se ajo tani nuk ishte 100 për qind e imja.
Të tatëpjetën mori kjo lidhje e të tatëpjetën mori edhe puna ime. Isha shumë i shpërqendruar dhe kisha ngatërruar të gjitha sektorët. Ishte krijuar një lëmsh i madh dhe nuk e dija si do ta zgjidhja. Më thirri drejtori dhe më tha se ajo që kisha bërë, ishte shumë e rëndë. Duhej se s’bën të rregulloja sektorët ashtu siç ishin. Në fakt, unë nuk e di si më kishin fluturuar të gjitha idetë që i kisha gjithmonë të gatshme në kokë. U bë një katrahurë dhe drejtori më propozoi të jepja dorëheqjen. E gjitha kjo do të kishte ndonjë arsye. Unë e di se isha pak i hutuar, por nuk kishte se si të mungonte ndonjë dorë tjetër.
Shkova në shtëpi dhe hoqa çdo mendim nga koka. E dija se ajo nuk do të kthehej më nga unë dhe ia mbylla vetes këtë çështje. U përqendrova te puna. Isha i suksesshëm sepse gjithmonë ruaja shumë dokumente. I kisha ruajtur si në kompjuterin e punës, ashtu edhe në atë të shtëpisë. Iu futa punës për të zbuluar se si arriti puna deri aty. Pas një nate të tërë zgjuar, e gjeta gabimin. Dikush ma kishte përgatitur këtë kurth. E dija se kush. Ajo që mbajta më shumë afër meje… Të nesërmen shkova në punë dhe u futa në zyrë. Më mori drejtori në telefon dhe më kërkoi të shkoja në zyrën e tij. Fillova t’i shpjegoja atë që kisha zbuluar, por ai ma preu shkurt:
– Të ka ardhur letra e shkarkimit. Vendi yt është zënë.
– Si?
Ai u mundua të ma shpjegonte, por ishte e kotë. Mora vesh se më kishte zëvendësuar vëllai i saj. Ajo e kishte bërë gjithë këtë që të vinte vëllain e saj. Ishte treguar aq e ulët sa më vinte ndoht që kisha patur një lidhje me të. E prita sa të mbaronte punën dhe i dola përpara te shkallët e ministrisë.
– U tregove shumë e zonja! Më the mua se jam i zoti dhe dole ti super e zonja.
– Më fal, po ç’ke që je kaq i zemëruar? Pse ke ardhur këtu? Se mos na shohin dhe marrin vesh historinë tonë. Pse nuk më telefonove? Eja, futemi në kafe.
Pranova, se dhe vetë nuk doja të më shihte njeri duke folur me të, aq më tepër që në ministri kisha shumë shokë. Sapo u ulëm, ajo u mundua të më qetësonte.
– Pse nuk më telefonove? Do të gjeja një hapësirë e do të të qetësoja.
– Sepse doja të ta thoja në sy e të të shija se si do të reagoje. Ashtu si të vura ty në këtë punë që je, ashtu do të vija edhe vëllain tënd. Nuk kishe pse të më ngrije një kurth të tillë.
Ajo uli kokën dhe nuk foli.
– Nuk është ashtu si mendon ti…
– Po si është? Mirë ma bëre! Unë prapë do të arrij atje ku isha, sepse çdo gjë e kam bërë me kokë dhe me mend, ndërsa ti që përdore… do të biesh më poshtë nga ç’ke qenë.
– Nuk të lejoj të flasësh kështu! Unë…
– Në fakt, nuk do të dëgjosh më shumë fjalë nga unë. Fjala e fundit është kjo: Ruaju shumë nga unë. Që nga ky moment, shijo çdo ditë në atë pozicion që je, sepse edhe pak do ta kesh këtë kënaqësi!
E lashë ashtu në kafe të shushatur dhe u ktheva në shtëpi. Aty më priste gruaja, që më pa dhe më tha:
– Ç’ke, pse je i mërzitur?
– Ja, më hoqën nga puna!
– Mos u mërzit, ti do të gjesh shumë shpejt punë tjetër! Vetëm më vjen keq se ndjeheshe shumë mirë kur ishe atje… – më tha ajo, më puthi dhe u largua.
Në kokën time më oshëtinin fjalët e saj… Sa grua fisnike ishte!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Jeni në dijeni të tendencave të bukurisë këtë vjeshtë?

Next Post

8 arsye pse gratë pëlqejnë burrat e mëdhenj në moshë

Advertisement