– Përshëndetje, doktor Demiri! Jam një zonjë nga Berati, 48 vjeçe, që kam një hall të madh. Sa herë vjen dimri, më bëjnë telef mërzitja e ankthi. I kam bërë të gjitha kontrollet e zemrës dhe mjeku më tha: “Të gjitha i ke në rregull për moshën që ke, madje i ke si një 28 vjeçare, por vuan nga depresioni stinor apo dimëror”. Meqë i lexoj përgjigjet tuaja, dua t’ju pyes: Ç’është ky depresioni dimëror? Si kalohet ai? Ç’duhet të bëj?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara 48 vjeçare! Ky lloj depresioni, që ta nxin jetën sa herë kalon vjeshta dhe vjen dimri, quhet depresion stinor. Më e mira do të ishte që ta quajmë shqetësim stinor e që njihet me emrin SAD (Seasonal Affective Disorder). Arsyeja e këtij shqetësimi është fakti se ditët shkurtohen dhe sasia e dritës pakësohet. Për ta kuptuar sa më mirë, le të mendojmë se pse disa kafshë i kap letargjia ose gjumi dimëror. Ky lloj shqetësimi futet te depresionet normale, pasi nuk ka lidhje me ndonjë sëmundje. Kur isha për specializim në Londër, mësova se atje, gjatë dimrit, shtohej më shumë puna e psikologëve, pasi psikologu bën që ti ta njohësh problemin e ta pranosh atë jo si ndonjë problem, por si një sfidë, ndërsa vetë fjala pranim, do të thotë që ne të bashkëjetojmë sa më paqësisht me fenomenin, pasi as ti nuk mund të “ribëhesh”, që të mos jesh aq e ndjeshme ndaj mungesës së diellit e të dritës dhe as stinët nuk i ndërrojmë dot. Imagjinoni për shembull Alaskën, ku është 6 muaj natë e 6 muaj ditë me pak diell.
Pavarësisht sikleteve të dukshme në punë ose në familje, ju duhet të gëzoheni që kjo është një lloj mospërshtatjeje, pra, nuk është as sëmundje dhe as nuk mund të çojë në sëmundje. Ky është pa dyshim një lajm i mirë, pasi ka prej atyre që edhe pse e kanë kuptuar sekjo gjendje i kap çdo vit pikërisht në dimër, nuk u ka vajtur mendja se ajo ka lidhje me stinën dhe me mungesën e diellit. Këta klientë, përfitojnë dobi të madhe nga një kurë bimore me veti përshtatshmërie, në përbërje të së cilës janë ginsengu, qumështi i bletës, bashkë me 3-4 elementë të tjerë 100 % natyralë. Kura e rekomanduar nuk parashikon ginseng me tableta ose ginseng siberian dhe as qumësht blete të prodhuar artizanalisht. Përveç kurës 100 % bimore, parashikon edhe përdorimin e llampave diellore, si edhe një ushqyerje të përshtatshme, pasi ai që vuan nga ky lloj depresioni, ka gjithmonë nevojë për sheqerna dhe vitamina. Në këtë rast, antidepresionet kimikate nuk janë të rekomanduara, pasi ky ndryshim i humorit nuk ka lidhje me patologji të brendshme të organizmit. Për hatrin tuaj, zonja nga Berati, sepse ndoshta nuk keni mundësi të vini për ndonjë seancë, po jap në këtë përgjigje edhe disa shpjegime të tjera që ju dhe gjithë lexuesit që janë larg, ta përballojnë sa më lehtë dhe me energji ndërrimin e stinës, ardhjen e dimrit. Që tani në vjeshtë, shihet se natyra po vishet me ngjyra të reja, me ndryshime që kanë ndikim edhe tek organizmi ynë, të cilit i duhet të rimarrë dalëngadalë ritmet që kërkon ndërrimi i stinës, ardhja e dimrit.
– Mirëpo njerëzit nuk janë “gatuar” të gjithë njëlloj. Disa kanë veti më të forta përshtatshmërie, disa jo. Disa më të fortët e më të stërviturit, përballojnë edhe ngjitjet në Himalaja, disa të tjerë, nuk guxojnë as t’i mendojnë këto “çmendurira”. Me ardhjen e dimrit, ditët bëhen më të shkurtëra, temperaturat ulen deri në borë e ngrica dhe këto na ndodhin menjëherë pas pushimeve të vrullshme e vapës së verës. Dhe, ashtu siç bien gjethet e zhvishen pemët, edhe te njeriu vërehen lodhje, mërzitje, pafuqi e deri edhe rënie flokësh. Për t’i përballuar këto, kafshët, si ariu etj. kanë gjumin dimëror, kurse për njeriun, përveç gjumit, po aq i rëndësishëm është edhe ushqimi e veprimtaria fizike (Ah, kur i kujtoj ato ditët e gjuetisë me miqtë e mi të rinisë në malet përrallore të Dibrës, mbuluar me dëborë, ushqimin që e hanim me aq oreks, por jo alkoolin, se ai është një “mashtrues” i dëmshëm!). Gjatë depresionit dimëror, përveç lodhjes fizike, lodhja më e madhe është ajo psikologjike, ndaj duhen ndërtuar orare të rregullta të ritmit gjumë-jo gjumë, të cilat na janë prishur gjatë verës, duhet të ndezim oxhakun e ta shohim zjarrin me atë ndezjen që ndriçon, përveç ndriçimit të plotë me llampa speciale. Edhe për veprimtaritë e punës dhe të ngrënies, duhet të kemi orare të rregullta, si dhe aktivitet të rregullt fizik, deri edhe nëpërmjet lojërave. Të mos rrimë në ambiente të tymosura, aq më keq nga duhani dhe të shfrytëzojmë në maksimum atë pak diell që del në dimër, kudo që është. Sidoqoftë, ushqimi mbetet mjeti më i rëndësishëm për mbrojtjen e organizmit tonë, ndaj me sa duket, vetë Krijuesi i ka marrë masat që në dimër të kemi drithëra ose perime, si patate, fasule, arra, lajthi, shegë, hurma dhe plot fruta të tjera të pasura me vitamina dhe minerale. Ushqimet e mësipërme janë mjaft të pasura me hekur, kalium, magnez dhe vitamina të grupit B., në veçanti B12, B6, B2, B9, të cilat i gjejmë edhe te Neurobexi e që ndihmojnë në uljen e ndjesisë së lodhjes e dobësisë, duke na ndihmuar edhe për ngritjen shpirtërore e psikologjike. Hekuri, gjithashtu, ndihmon për të zbutur lodhjen, kurse kaliumi rregullon tensionin e gjakut dhe të gjithë ekuilibrat. Këshilla ime është: Sa më shumë fruta e perime të stinës, mundësisht, të gjalla. Po ashtu, portokallet, limonat, panxhari, karotat, bananet, spinaqi, preshi, rrënjët e sojës etj., si dhe frutat e thata që përmbajnë sheqer, kanë dobi të madhe përshtatshmërie e antidepresive. Duhet të pimë të paktën 2 litra ujë në ditë, si dhe produktet e qumështit, siç është për shembull, kosi. Mos u trembni nëse ju bien flokët, pasi kjo është natyrale në këtë periudhë. Ndodh ashtu si pema që humb gjethet, por që i dalin përsëri. Edhe orizi, drithërat dhe vezët janë të dobishme sepse, përveç vitaminave të grupit B, përmbajnë edhe vitaminë H, që quhet biotinë, që gjendet edhe te frutat e freskëta dhe sjell squfurin aq të nevojshëm për forcimin e qelizave të flokut. Edhe çaji jeshil është i dobishëm. Po ashtu, mjalti dhe sheqeri i kallamit. Të gjitha këto që ne thamë, janë të dobishme për të gjithë, pasi kush më shumë e kush më pak, të gjithë e ndjejnë mungesën e diellit, kurse për ju zonjë, siç thamë, duhen edhe kurat natyrale dhe nëse gjendja shoqërohet edhe me ftohje apo gripëra, nevojiten lulet e shafranit apo shurupi i nxjerrë nga Ekinaçea, të gjitha këto të përdorura sipas udhëzimeve të specialistit fitoterapist ose psikolog. Me kaq, besoj se u sqaruam. Ju uroj një dimër të këndshëm, me festat e bukura që ka ai!
Advertisement