Një grup botanistësh gjermanë të Universitetit të Frajburgut, pas një studimi të kujdesshëm, kanë arritur në përfundimin se insektngrënësja australiane Drosera glanduligera, i gjuan insektet me ndihmën e disa degëzave “katapulta”, të cilat i përplasin në degët e tjera, ku ato ngjiten pas disa fijëzave të holla me rrëshirë. “Katapultat” janë disa tufëza të përbëra nga 12-18 “kërcenj”, rreth perimetrit të çdo gjetheje. Kërcejtë kanë një gjatësi deri në 6 milimetra dhe, në fund të tyre, nxjerrin një rrëshirë ngjitëse, ku edhe “kapen të gjalla” insektet që afrohen pranë bimës. Me të prekur insektet te “qimet” e lyera me rrëshirë, degëzat tendosen në drejtim të qendrës se gjethes dhe hedhin atje gjahun e tyre. Gjithë procesi i “kapjes së gjahut” zgjat 75 milisekonda dhe degëzat gjahtare lëvizin me një shpejtësi prej 17 centimetrash në sekondë. Mekanizmi i lëvizjes së tyre është shumë i thjeshtë: Atyre u japin energji për të ushtruar këtë presion mbi insektet degëzat e tjera të cilat humbasin, sigurisht, një pjesë të lëngut të tyre. Ato degëza nuk përdoren dot më përsëri, prandaj bima rrit vazhdimisht të tjera.