– Përshëndetje Doktoreshë Mira! Motra ime 5 vjeçe bëhet me urtikarie dhe i mbushet trupi gjithë puçra. I dhanë citirizine dhe e kaloi për momentin, por përsëri ka probleme. Me thënë të drejtën, motra ime ka tendencën të hajë gjërat e pagatuara, si kremviçet, për shembull. Mos vallë këto e dëmtojnë? Si veprohet në rastet e urtikarieve, për fëmijët e kësaj moshe? Pres një përgjigje. Faleminderit.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Ju falënderoj për letrën dhe për kujdesin që tregoni për motrën tuaj. Përsa i përket letrës suaj, ju themi që urtikaria e shfaqur mund të jetë shkaktuar edhe si pasojë e ushqimeve që motra konsumon. Çdo ushqim i konservuar (pra, i përgatitur dhe i ruajtur për një kohë) mund të bëhet shkak i një reaksioni alergjik që shprehet në të shumtën e rasteve, me urtikarie. Kjo është më e theksuar te fëmijët që tentojnë të shijojnë më shumë ushqimet e gatshme dhe gjysëm të gatshme. Këto ushqime, përveç produktit natyral, përmbajnë edhe substanca të ndryshme kimike që janë shkaku i alergjive, më shpesh sesa vetë ushqimi (produkti natyral).
– Në këto kushte, unë do t’ju rekomandoja patjetër një konsultë të drejtpërdrejtë me mjekun alergolog, i cili do t’ju ndihmonte shumë për zgjidhjen e problemit. Mos vononi dhe çojeni motrën tuaj për konsultë mjekësore. Ju uroj shëndet!
Advertisement