Barbana, ose siç e quajnë miqtë e saj, Barbi, është bukuroshja shkodrane me pamje dhe zë artistik të veçantë, gjë që e bën vetë atë të reflektojë veçantinë në performancat e saj. Këngët e realizuara prej saj, janë këngë që i qëndrojnë kohës…
– Kur fillove ta “dashuroje” muzikën që ti bën?
– Jam natyrë kërkuese e këmbëngulëse dhe, si rezultat, nuk kënaqem kurrë, prandaj nuk do të doja të thoja që e dashuroj domosdoshmërisht atë që bëj. Këngët që kam bërë, në një moment të caktuar, i kam pëlqyer. Disa prej tyre i pëlqej akoma, por e rëndësishme është të reflektosh dhe të gjesh atë që do vërtet. E mira nuk ka fund…
– Me këngët e kujt je rritur?
– Jam rritur me këngët e Selin Dionit, Tina Tërnerit, Kristina Agilerës e të tjera, që për mua janë të jashtëzakonshme me artin që bëjnë. Këngët e tyre janë perla që i dashuroj në çdo kohë.
– Ka shumë të rinj që e dëgjojnë muzikën tënde. Çfarë mundohesh t’u përcjellësh atyre nëpërmjet këngëve të tua?
– Këngët që kam bërë janë të stileve të ndryshme. Disa prej tyre janë këngë trend i momentit për t’u argëtuar, të tjerat përcjellin mesazhe dashurie në këndvështrime të ndryshme ku secili prej nesh mund ta gjejë veten apo historinë e tij…
– Kur nuk merresh me muzikë, çfarë e plotëson ditën tënde?
– Kur nuk kam angazhime, kaloj një pjesë të kohës me familjen time, me shoqërinë apo duke u kujdesur për veten!
– Një çmim vlerësimi, mendon se i jep më tepër rëndësi karrierës së një artisti?
– Sigurisht, çmimi ka rëndësinë e vet, është shpërblim i punës së një artisti, megjithatë jo domosdoshmërisht ka vlerë. Kur meritohet, po!
– Po skandalet, nëse do t’i quajmë kështu, të bëjnë më të njohur, shtojnë fansat?
– Jo, mendoj se skandalet rrisin vëmendjen, por jo fansat!
– Nëse do të ishe një film, cili prej tyre do të ishe?
– Nuk e di, akoma nuk e kam parë filmin që i përngjan jetës sime!
– Çfarë i bën të veçanta ditët e tua?
– Jam gjithmonë në lëvizje dhe kjo gjë më pëlqen. E shijoj çdo moment të ditës, edhe sikur të mos bëj asgjë!
– Cilët janë kufijtë që i ke vënë vetes?
– Vetes nuk i vë kufij, thjesht bëj atë që më bën mua të ndjehem mirë dhe që e shoh të arsyeshme!
– Futesh te personat që shpenzon apo kursen?
– Futem herë te njëra, herë te tjetra, varet nga hëna. (Qesh)
– Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?
– Deri më sot, kam pasur një jetë të mbushur me kujtime të bukura, fatmirësisht, por do veçoja fëmijërinë time! Kam pasur një fëmijëri shumë të bukur, të mbushur me aktivitete me qendrën kulturore të fëmijëve. Realisht, ka qenë një kohë e mrekullueshme.
– Në ç’orë mbyllesh zakonisht, në shtëpi? Kur mbaron dita jote?
– Të them të drejtën, nuk kam një orar fiks, varet, por shpeshherë, kur jam e lirë, më pëlqen të rri vetëm në shtëpi sepse e dashuroj qetësinë!
– Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?
– Ergi. Jetojmë bashkë dhe ai është personi i fundit që kam kënaqësinë t’i uroj “natën e mirë”!
– Je tip që më shumë kërkon falje apo fal?
– Jam natyrë e fortë, por edhe shumë e ndjeshme! Thuhet se artistët ndjejnë dyfish më shumë se pjesa tjetër. Fal shumë, megjithëse shpeshherë, kjo merret si dobësi!
– Dashuria është një çast apo përjetësi?
– E rëndësishme është të jesh e dashuruar përjetësisht, se në çfarë forme dhe me kë, s’ka rëndësi!
– Kur bie kokë e këmbë në dashuri?
– Kjo është pyetja më e vështirë që më kanë bërë ndonjëherë! As unë s’e di! (Buzëqesh)
– Çfarë mund t’i krijojë problem Barbana Dinit?
– Injoranca, arroganca dhe prepotenca, janë tre gjëra që nuk i duroj dot!
– Je e qëndrueshme në vendimet që merr apo pendohesh ndonjëherë?
– Përgjithësisht, jam e qëndrueshme dhe e vendosur, por kjo nuk do të thotë që jam e pagabueshme. Gabimet janë njerëzore; e rëndësishme është të mësosh prej tyre dhe të gabosh sa më pak! Asnjeri nuk është perfekt!
– Barbi, ti ke vite që këndon… Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka mbetur e njëjtë gjatë këtyre viteve?
– Sigurisht, jam më e pjekur artistikisht, por në thelb kam mbetur dhe kam dëshirë të jem po e njëjta, pavarësisht arritjeve që ka një njeri në jetë!
– Të gjithë kanë ëndrra kur janë të vegjël… Muzika ka qenë ëndrra jote fëminore apo ke dashur diçka tjetër në jetë?
– Ëndrrat e mia kanë qenë gjithmonë të lidhura me muzikën, që në fëmijëri! Kam filluar të këndoj që në moshën shtatë vjeçare në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Shkodër, në Festivalet Mbarëkombëtare, si soliste.
– Një ëndërr që tashmë është bërë realitet…
– Ndihem e lumtur për rrugën që kam ndjekur dhe më është realizuar ëndrra e jetës sime, megjithëse kjo është një rrugë shumë e gjatë, kam akoma shumë për të bërë dhe për të dhënë!
– Ku e sheh veten Barbana pas 10 vjetësh?
– Pas 10 vjetësh e shoh veten të realizuar në të gjitha këndvështrimet!
– Çfarë është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme për ty?
– Familja, asgjë tjetër!
– Çfarë është telefoni dhe interneti për ty?
– Mjete komunikimi!
– Çfarë nuk mungon kurrë në çantën tënde?
– Çantën e kam gjithmonë plot! Sigurisht, i pari është portofoli, që nuk mungon kurrë! (Qesh)