17 prill 2014. Në parlament u bë “allatkë”, siç lafosin gratë sokakëve të Korçës. Sebep ishte droga. E lagu se lagu. Ulet në rrugë aroplani? Nuk ulet. Berisha: gozhdës. Rama patkoi. E menderosi pak Ramën, me deklaratën e tij Braçe: “Kemi informacion për transportin e drogës!”
Për të dalë nga sëkëlldija, Rama tregoi përrllën me mushkonja, që janë dhjamur aqë shumë, sa që Berishës i duken si helikopterë të mbushur me drogë?!Ha ha ha e Ku ku ku- nga emëngjra.
Nga parlamenti, “alltka” tek Blendi Fevziu. Deputetët hanë kumbilla, analistëve u mpihen dhëmbët. Larg qoftë, se janë edhe analistë të pavarur nga partitë, por mua mu duke se flasin si me firmë në bordero! Nga opinioni, “allatka” mbushi faqet e gazetave.
Unë me “lak” në dorë. Thash mos “kap” ndonjë fakt për haberin. Dhe më doli në shteg zëvëndës ministri I Luftës:
– Hapësirën tonë ajrore, 6 muaj e ruajnë helenët. 6 muaj e ruajnë pepinot?!
Mato Theo! Po ku e dergojnë drogën shqipot? Në Greqi dhe në Itali. Si udhëton droga? Sipas policisë nga toka dhe deti: me skafe, mushka, vetura, autobus. Deri më dje. Sot, sipas opozitës shtohet transporti nga qielli. Por në se qiellin tonë e ruajnë grekë e pepino, a nuk duket sikur i kemi varur “ujkut mëlçitë në qafë?!”.
Jo do thonë analistët. Aeroplanët që ruajnë qiellin tënë, vërtët janë italianë e grekë, por në vartësi të NATO! Por edhe ushtria jonë është pjesë e NATO-s. Në se Berisha me Imamin, dyshojnë se ushtria e NATO-s ( shqipo) transporton drogë, pse të mos dyshoj edhe unë për ushtrinë e NATO-s ( grekë e pepino) që bën një sy qorr e një vesh shurdh kur transportohet drogë ?!
Më ka ngelur gozhdë: Pse nuk futet në këtë “allatkë” ambasadori amerikan? Larg qoftë mos e ka zënë ndonjë grip, qëë nuk po e shohim këto ditë?!