– I nderuar Doktor Evi, doja të dija diçka më shumë për sifilizin dhe a ka shenja dalluese sepse dëgjova që simptomat janë shfaqje e kokrrave në organet gjenitale. Mua, shpesh, pas depilimit me piskatore më dalin kokrra që, kur mblidhen, i çaj dhe nxjerr qime nga ato. Si shpjegohet kjo gjë? Dua një përgjigje këtë javë. Faleminderit.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Sifilizi është një sëmundje seksualisht e transmetueshme nga një bakterie që quhet treponema palidum. Ky infeksion ka qenë një nga infeksionet seksualisht të transmetueshme më të rrezikshme para shumë vitesh. Ka qenë i përhapur shumë edhe në vendin tonë, por me një punë këmbëngulëse të mjekëve të viteve ‘60-‘70, arritën të eliminonin dhe të mos njihej më. Breza të tërë mjekësh kanë kaluar duke e ditur teorikisht dhe pa parë një rast me sifiliz.
– Këto 10-15 vitet e fundit, hapja e Shqipërisë, liberalizimi i jetës shoqërore dhe kërkimi i jetës seksuale, ka bërë që për fatin tonë të keq, kjo sëmundje të rishfaqet. Shenjat e kësaj sëmundjeje ndonjëherë mund të jenë jo shumë të qarta, mjaftojnë disa njolla apo puçrra në lëkurë apo një shenjë karakteristike, ulçeracioni (plagë) në kokën e penisit, apo në porpucio (lafshë). Ulçeracioni është i padhimbshëm, por nuk shërohet me asnjë lloj mjekimi lokal. Ky infeksion shoqëron edhe rritjen e gjendrrave në afërsi të penisit. Në raste të tilla, konsulta me mjekun është një domosdoshmëri, por për fat të mirë, mjekimi vazhdon të jetë akoma shumë i suksesshëm me marrjen e antibiotikëve.
Advertisement