Neve nuk na bën përshtypje kur shohim çifte me diferencë moshe, ku burri është goxha më i madh në moshë se gruaja, duke thënë me vete se dashuria nuk njeh moshë… Ndërkohë, na bie në sy për keq nëse është gruaja më e madhe, duke e paragjykuar këto lidhje (që janë edhe më të rralla). Pse ndodh diçka e tillë? Arsyet që i themi vetes janë të shumta, për shembull: Burri duhet të jetë gjithmonë pak më i madh, pasi gratë piqen më shpejt dhe vetvetiu kërkojnë një person më të pjekur për të krijuar familje. Ja, disa arsye të tjera pse na pëlqejnë burrat më të mëdhenj në moshë:
1. Ai është i stabilizuar
Një burrë më i madh në moshë ka pasur kohë të ndërtojë karrierën e tij, domethënë, ka krijuar një emër ose ka zënë një vend pune të mirë. Kjo do të thotë që ka jo vetëm një stabilitet financiar, por edhe influencë në profesion.
2. Ai ka kohë
Po, ai mund të jetë i dhënë pas punës, por e ka shpenzuar moshën e të 20-ave dhe 30-ave duke vënë bazat e tij në punë. Ai gjithashtu e ka kuptuar se sa të rëndësishme janë prioritetet e tij jashtë punës, domethënë, ti dhe familja.
3. Ai jep këshilla të mira
Nuk themi se ai është i përkryer, por mosha ka bërë që të fitojë më shumë eksperienca. Kështu, pra, ai do të dijë të reflektojë dhe të të udhëheqë nëpër situatat e vështira që krijohen në jetë.
4. Ai do të krijojë një familje të qëndrueshme
Ka ikur koha kur ai donte vetëm të shijonte jetën dhe të bridhte nga lulja në lule. Këtu po flasim për një burrë të pjekur, afër apo pas të 40-ave, i cili e ka kuptuar se koha kalon dhe duhet të krijojë familje, për të gëzuar të mirat e saj dhe për të mos e kaluar jetën vetëm. Sigurisht, ka edhe nga ata që duan të jenë beqarë të përjetshëm, por janë të paktë, sepse shumica i nënshtrohen trysnisë së familjes dhe shoqërisë. Pra, eksperienca e jetës+ stabilitet karriere+ stabilitet financiar = stabilitet edhe në lidhje.
5. Ai do të të mësojë gjëra të reja
Ai e di kush është dhe me siguri, ka krijuar pasionet e tij jashtë punës. Ai do të të njohë edhe ty me to, të cilat mund të të pëlqejnë apo jo. Pa dyshim, ai edhe ka udhëtuar më shumë, ka njohur gjëra të reja dhe ka një kulturë më të gjerë, të krijuar edhe nga eksperienca.
6. Ai ka eksperiencë në lidhje
Në moshën e tij ai e di se çfarë është një marrëdhënie e vërtetë… të paktën kështu shpresojmë. Kjo do të thotë se ai ka më shumë aftësi për të zgjidhur problemet e ndryshme që mund t’ju dalin përpara dhe të përballojë sfidat e ndryshme.
7. Ai ka eksperiencë në shtrat
Të rinjve u mungon eksperienca në shtrat. Partneri yt i pjekur në moshë do të ketë më shumë njohuri për trupin e një gruaje dhe mund të të mësojë shumë gjëra të reja. Ai e ndjen veten mirë me trupin e tij dhe do të të krijojë hapësirë edhe ty që të relaksohesh. Nëse ai ka qenë i martuar më parë, atëhere ka mësuar si të kënaqë një grua, gjë që do ta sjellë edhe në lidhjen tuaj. Këto janë gjëra që nuk harrohen…
8. Ai do të të marrë nën mbrojtjen e vet
Zakonisht, një grua që lidhet me një burrë më të madh në moshë, kërkon edhe mbrojtjen e sigurinë që të krijon ai. Kështu, pra, ai do të marrë paksa rolin e babait dhe do të bëjë gjithçka që të kënaqë edhe dëshirën më të vogël të “vajzës së tij të vogël”. Në shkëmbim, ai kërkon vetëm rininë dhe freskinë tënde…