“Le ta dinë”, thotë Stelina në këngën e saj, ndërsa e pyetur për jetën e vet, përgjigjet se është singëll; ndonëse i dedikon këngë dashurisë. “Dashuri kam mjaft, thotë ajo, por jo për një person në veçanti”. Thotë se ka marrë shumë kritika, ndër të cilat disa i janë dukur shumë pa vend. Për më shumë rreth Stelinës, muzikës që ajo bën edhe jetës personale, ju ftoj të lexoni intervistën e bërë më anë të internetit…
Rita Rrjolli: – Përshëndetje Valmira… apo Stelina! Si të të drejtohem?
Stelina: – Përshëndetje nga Stelina!
– Ku ndodhesh tani që po flasim?
– Jam e shtrirë në dhomën time të gjumit.
– Si ka ecur deri më tani kënga jote e fundit “Le ta dinë”?
– Nuk ka shumë që e kam lançuar klipin dhe interesimi i mediave në përgjithësi, është ai që tregon më shumë se si u prit klipi.
– Duket sikur do t’i shesësh mend botës me fjalët e këngës… A mendon se ke ziliqarë?
– Uroj që po, se ai që ka ziliqarë në këtë botë, ka gjithçka. Ziliqarët, gjithsesi mua s`më prishin punë.
– A është e domosdoshme për ty që ndjenjën tënde ta dinë të gjithë të tjerët?
– Hëm… Ka raste kur njeriu ndjen nevojën të flasë, të shpërthejë, se i duket se është i ndrojtur dhe me shpalosjen e shpirtit, ndihet më rrehat. Më ka ndodhur edhe mua të flas ndonjëherë kështu…
– Sa kohë të mori realizimi i këngës “Le ta dinë”?
– Këngën e kisha realizuar në shtatorin që lamë pas, por e lançova së fundmi, domethënë, ka vonuar të dalë në treg e jo të realizohet sepse për t’u realizuar, është realizuar brenda ditës.
– Po klipin, pse zgjodhe ta bësh në Shqipëri?
– Desha të provoj punën me “Max Producion”. Kjo ishte arsyeja dhe besoj se ka rezultuar për mirë.
– Duket se Dafina Zeqiri ka kopjuar klipin tënd, duke përdorur madje të njëjtin djalë si model… Si të është dukur kjo gjë?
– E vërtetë… Artistët shpesh e quajnë inspirim e jo kopjim, por klipi im ka dalë shumë më herët se ai i Dafinës. (Qesh)
– Kjo këngë duket sikur i është dedikuar një dashurie të madhe… E vërtetë?
– Po, kjo këngë u është dedikuar të gjithë atyre që duan dikë me shpirt dhe pa komplekse.
– Ti, kujt ia ke dedikuar?
– Kënga është punuar nga Ad hoc dhe po e le që, kur të dashurohem, t’i përshtatet dashurisë sime, sepse është e sigurtë që do të jetë e pa kushte dhe pa komplekse.
– Modeli në këngë, ka tiparet e mashkullit tënd ideal?
– Hehehe… (Qesh) Nuk e di, por kur të gjej mashkullin, do të them a ngjan, a jo.
– Me një fjali, ç`është dashuria për ty?
– Dashuria për mua është çlirim i ndjenjave nga shpirti karshi një djali që të ngacmon çdo hormon të trupit. Nëse bën të shtoj edhe një fjali tjetër, do thoja: Ndjen nevojen e tij për ta parë, për të folur, ose edhe vetëm për të heshtur përballë tij, duke e shikuar drejt në sy.
– Po zhgënjimin, e ke njohur?
– Besoj se të gjithë njerëzit në jetë e njohin zhgënjimin.
– Më mirë një zhgënjim në dashuri, apo në shoqëri?
– Zhgënjimi, ngado që të vijë, dhemb, por e rëndësishme është që zhgënjimi të të forcojë, të të jap mësime dhe mos të mbetesh mbrapa nga gjithë ajo ndodhi.
– A je njeri që i fal gabimet, Stelina?
– Përderisa Zoti është ai që fal, kush jam unë që të mos fal?!
– Nëse do të gjendeshe përballë një tradhtie, do ta falje?
– Do të distancohesha; tradhtia s`do një rast të dytë.
– A beson se njeriu mund të dashurojë më shumë se një herë në jetë?
– Po, e besoj.
– Le të flasim pak për konkurrentët në tregun muzikor… Pse thonë që këngëtaret kosovare janë shumë xheloze për njëra-tjetrën?
– Eh… Këtë s’e di, nuk i punët e tyre të brendshme! (Qesh) As merrem me ato e aq më pak më pëlqen t’i diskutoj. Gjithkush, le ta udhëzojë veten në rrugën që e mendon si të duhurën.
– A ke mike të ngushta këngëtare?
– Po, kam mjaft dhe më bëhet qejfi që i kam.
– Po ndonjë duet, ke menduar të bësh?
– Po, kam diçka në mendje, por do të vijnë pas dy projekteve që do të dalin së shpejti.
– Edhe pse e re në moshë, emri yt po lakohet nëpër televizione… Si ndihesh?
– Kam fatin që në media po flitet mirë për mua. Kjo, pa dyshim, s`ka zbritur nga qielli dhe papritmas. Është puna ime ajo që ka “fshirë pluhurin”, në kuptimin e mirë të fjalës. Unë ndjehem e nderuar dhe e detyruar që të vazhdoj punen time, sepse është dikush që e do dhe e pret atë.
– Në rast se do të të bënin kritika, si do të reagoje?
– Tani s`më kujtohet tamam, por në ditën e dytë të publikimit të klipit kam marrë kritika të ashpra nga një portal i Shqipërisë, të cilët më cilësuan si demode për kohën sot. Flokët me stil “alienësh”, fustanet si fustane dasmash, se e kisha marrë djalin në klip më të bukur se vetja, se përdorimi i çarçafëve të bardhë s`është në modë, se kisha përdorur tinguj të çuditshëm etj. etj. Reagova duke qeshur dhe e shpërndava lajmin edhe në profilin tim në Facebook. Mbase kritiku që kishte shkruar për mua ishte i specializuar për modën dhe muzikën, pasi kishte zbuluar edhe se alienët kishin flokë. (Qesh)
– Jeta-VIP të pëlqen?
– Jam fytyrë publike, jo VIP dhe kjo ka dallim. Bëj jetë shumë të thjeshtë, më pëlqen shumë thjeshtësia.
– Nëse je e ftuar në një mbrëmje, nuk shkon me vonesë, për t’i dhënë rëndësi vetes?
– Jo s`ka ndodhur kurrë të vonohem, përkundrazi, shkoj 10 minuta përpara.
– Besoj se kërkesat dhe propozimet janë rritur…
– Kërkesa po, kam nga më të ndryshmet, edhe nga ato që të martohem. Bëj shaka…
– Si ka qenë vera e sivjetshme, sa u përket angazhimeve?
– Po, kam një plan të ngjeshur.
– Po përsa u përket pushimeve?
– Në Peskara të Italisë…
– Me…
– Me familjen time.
– Nuk të tërheq bregdeti shqiptar?
– Pëlqej çdo skaj të botës ku flitet shqip e dua t’i kaloj pushimet aty, por ngaqë kam familjarët atje, kësaj radhe vendosa t’i kaloja jashtë.
– Gjërat që nuk mungojnë kurrë në çantën tënde…
– Telefoni, dokumentet dhe paratë. Pa këto, s`dal në rrugë.
– Dëshira më e madhe që ke, për momentin?
– Që mëshira e Zotit të prekë çdo qenie të krijuar.
– Disa fjalë të fundit, për ata që të ndjekin?
– Thjesht, i përshëndes dhe i falënderoj që besojnë tek unë dhe që më përkrahin…