E zhytur në baltë
– Jam një vajzë 18 vjeçe. Kam një vit që shikoj ëndrra të frikshme. Mbrëmë kam parë sikur isha në makinë, e zhytur në llucë, në errësirë. Mundohesha të dilja, por më dolën përpara dy burra të panjohur dhe më shtynin makinën që të mos dilja e të fundosesha. Nuk e di a shpëtova nga këta dy burra, por më pas e shikova veten duke ecur me makinë në një mal ku ishte ditë. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr, ju lutem?
– Një ëndërr e tillë tregon ankth, stres dhe një lloj shqetësimi, burimin e të cilit e dini vetëm ju. Makina e zhytur në llucë e burrat që ju shtyjnë, tregojnë ankthet tuaja. Po kaloni një periudhë të vështirë dhe nuk dini si të dilni nga kjo gjendje, ama po ju e keni veten në dorë që të dilni. Keni parë veten duke ecur me makinë, që do të thotë se çdo problem e ka një zgjidhje. Studioni burimin e ankthit tuaj dhe ëndrra tregon që ju mund ta largoni këtë stres apo ankth dhe të jeni më e qetë. Mos lejoni që ankthet apo streset që keni kaluar, t’ju lënë pa gjumë apo t’ju pengojnë të ecni përpara. Mjafton të mendoni që gjithçka ka kaluar, ose flisni me dikë që e keni shumë për zemër dhe do të çliroheni nga çdo e keqe.
E putha
– Në ëndërr kam parë një vajzë që realisht e njoh, por s’kam asnjë lloj ndjenje apo muhabeti me të. E pashë sikur isha duke ecur rrugës me të dhe e putha në buzë, duke i thënë që e dashuroja. Jam vërtet i habitur me këtë ëndërr. A ka ndonjë kuptim?
– Ëndrra s’ka lidhje fare me vajzën që njihni. Rruga që bëni me të, përfaqëson drejtimin tuaj në jetë. Vajza është ajo pjesë e karakterit tuaj që përfaqëson pastërtinë, brishtësinë, gjallërinë dhe dëshirën për të krijuar intimitet. Shprehja e dashurisë ndaj vajzës, parashikon një të ardhme të mirë, pozitive, sukses, kënaqësi dhe harmoni në atë fushë që dëshironi ju.
Ndeza katër qirinj
– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur shkova në një vend të shenjtë dhe ndeza katër qirinj, të gjithë të kuq. Dua të di kuptimin, ju lutem. Jam në pritje të shpjegimit tuaj. Ju falënderoj.
– Qirinjtë kanë shumë kuptime, gjithmonë në varësi të pjesës tjetër të ëndrrës. Në këtë rast, ju nuk ndiheni mirë shpirtërisht dhe jeni në kërkim të qetësisë së humbur prej kohësh. Atëhere, së pari, ëndrra ju sugjeron t’i ndizni vërtet këta qirinj në një vend të shenjtë. Së dyti, qirinjtë e ndezur dhe të kuq simbolizojnë shpresën, qëndrueshmërinë, pathyeshmërinë tuaj. Së shpejti, do të gjeni qetësinë dhe rehatinë që po e kërkoni prej kohësh. Gjithë të mirat!
Më qëlloi me shpullë
– Në ëndërr isha me një shoqen time dhe po pinim kafe. Ndërkohë, asaj i vjen një shoqe që mua më pëlqen shumë, por me të cilën nuk flasim në realitet. Ajo u ul afër meje dhe unë e shikoja i habitur. Ndërkohë, ajo më qëlloi me shpullë dhe unë, i tronditur nga veprimi i saj, u çova nga tavolina dhe ika. A ka ndonjë kuptim, ju lutem?
– Sigurisht që ka kuptim. Qëndrimi në kafe me shoqen tuaj tregon dëshirën për t’u larguar nga streset e ditës dhe për të qenë i rrethuar nga paqja, argëtimi e nga njerëz që ju duan vërtet. Vajza që keni parë në ëndërr, tregon përsëri një lloj dëshire për ta pasur atë në jetën tuaj, por diçka ka ndodhur mes jush dhe është kthyer në një mur të madh ndarës. Shpulla e saj në ëndërr, ka lidhje me veprimin tuaj të ashpër. Ju i keni krijuar vetë vetes mure me atë vajzë. Jeni shumë krenar dhe nuk e ulni hundën. Nëse vazhdoni kështu, jo atë, por asnjë vajzë tjetër nuk do ta bëni plotësisht për vete. Shpulla e saj është një lloj ndërgjegjësimi që ju duhet t’i bëni vetes dhe të ndryshoni sjellje, për të pasur sukses me seksin e kundërt.
Ish-i fejuari
– Ç’do të thotë të shikosh ish-të fejuarin çdo natë në ëndërr? Më është bërë vërtet persekutim, edhe pse realisht e dua dhe ishte një ndarje me forcë. Ka kaluar kohë dhe unë e shoh sërish në ëndërr. A ka ndonjë parashikim?
– Është normale të shikoni ëndrra të tilla kaq shpesh, sepse ndarja, me sa kuptoj unë, është bërë pa dëshirën tuaj, përderisa ju shpreheni që e doni akoma. Ju s’e keni kaluar akoma fazën e rëndë që ndodh zakonisht pas një ndarjeje me personin e zemrës. Nuk e keni pranuar akoma idenë se tashmë lidhja juaj ka përfunduar, është ndërprerë. Këtë gjë ju po e vuani akoma dhe s’e besoni me veten tuaj që nuk jeni me të. Pra, e gjithë ëndrra tregon dashurinë që keni ende për të dhe vuajtjen nga ndarja prej tij. Nuk parashikon ndonjë ngjarje në vazhdimësi, përveçse pasqyron gjendjen tuaj aktuale. Uroj që ëndrra juaj të jetë një ogur i mirë për bashkimin tuaj, meqenëse e doni akoma.
Po rregulloja flokët
– Kam parë veten në parukeri duke rregulluar flokët. Më pas pashë motrën time të vogël që po bënte të njëjtën gjë, pra, po rregullonte flokët dhe po i bënte kaçurrela.
– Flokët nëpër ëndrra kanë një kuptim të gjerë, por në rastin tuaj, ëndrra tregon vetëvlerësim, ide të reja e plane për të ardhmen, të cilat duken të mira sepse ju nuk shkruani ndonjë gjë negative, veçse rregullimin e tyre. Edhe për motrën vlen e njëjta gjë. Keni shumë vetëbesim, vlerësoni çdo gjë tuajën dhe ato që ju ndodhin përreth.
Stërgjyshja më dha gurë jeshilë
– Kam parë në ëndërr stërgjyshen time që s’e kam njohur kurrë realisht. Ajo m’u afrua dhe më dha disa gurë me ngjyrë jeshile. Më tha t’i bëja varëse dhe të mos i hiqja më nga qafa. Më pas m’u shfaq një hoxhë dhe më tha: “Shpreh një dëshirë dhe do të realizohet”. E thashë dëshirën, por nuk e mbaj mend se çfarë thashë, sepse nga habia e ëndrrës, u zgjova.
– Stërgjyshja në ëndërr parashikon një të ardhme të mirë dhe të qetë. Gurët e gjelbër tregojnë shpresë, mirësi dhe fat të mirë për ju. Stërgjyshja tregon edhe një anë të karakterit tuaj, tregon se falë urtësisë, mençurisë dhe diturisë që keni, fati do të jetë me ju. Shfaqja e hoxhës, është një shenjë që ju tregon disa rrugë se si të realizoni ato dëshira apo projekte që ju duken të vështira për t’u realizuar. Pra, mos e humbni besimin, sepse është një ëndërr pozitive dhe jeni në rrugën e duhur. Vazhdoni kështu!