Vrap në fushë
– Përshëndetje! Shoh shumë shpesh në ëndërr sikur vrapoj në një vend si fushë, por që është shkallë zbritëse. Shpesh, ky vend është në vendlindje. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Faleminderit.
– Të vraposh në ëndërr është mirë, vetëm se shpesh ju vraponi pas diçkaje të gabuar; vendlindja që keni parë i përket së kaluarës. Ju rrezikoni duke vrapuar pas së kaluarës dhe harroni të jetoni të ardhmen. Pra, mesazhi i ëndrrës është shumë i qartë: Jetoni të tashmen dhe shikoni për të ardhmen. Ju uroj fat!
Dy gjarpërinj
– Kam parë në ëndërr dy gjarpërinj që qëndronin duke më parë. Ishin shumë të bukur dhe unë i thoja kushëririt tim: “Duhet t’ia marrim lëkurën se është shumë e mirë”. Pastaj sikur ia morëm njërit prej tyre, atij që ishte më i vogël. Çfarë parashikon?
– Gjarpërinjtë kanë disa domethënie në ëndrrat tona. Në shumicën e rasteve, ata janë simbole erotike. Ka diçka që ju pëlqen, por njëkohësisht ju frikëson dhe ajo është jeta intime ose personale me njerëzit që ju rrethojnë. Fundi i ëndrrës tregon që do të kaloni çdo frikë që keni ndaj çdo gjëje, por sidomos në lidhje me jetën private dhe do të përjetoni emocione të mira.
Më dilte gjak
– Përshëndetje astrologe! U bë disa kohë që shoh shumë shpesh të njëjtën ëndërr, sikur nxjerr nga goja gjak, por si litarë, saqë nuk arrij ta shkëpus nga gurmazi copën që më ngelet. I thoja mamit: “Shiko moj se çfarë po më ndodh!”, por ajo bënte muhabet me dikë tjetër. Pastaj, sikur më tha: “Shpejt të vemi në spital”. Vajtëm dhe më thanë që nuk i kisha grykët e pastruara mirë. Jam në merak. Linda.
– Linda, ëndrra juaj paraqet një shqetësim shëndetësor. Keni probleme me shëndetin, sidomos me pjesën që keni parë, pra, me grykët. Shpesh, ëndrrat paraqiten siç janë në jetën reale. Edhe ju keni parë gjendjen tuaj, që do të thotë se akoma keni nevojë për një konsultë mjekësore dhe që të merrni mjekimin e saktë. Pra, ëndrra ju fton të kujdeseni më shumë për shëndetin, të kontaktoni një mjek të mirë. Vajtja në ëndërr në spital do të thotë zgjidhje, pra, do të dilni shumë shpejt nga kjo situatë e sikletshme, sepse gjithçka është kalimtare. Gjaku që keni nxjerrë në ëndërr, tregon se do ta kaloni sikletin shumë shpejt.
Porta dhe çelësi
– U bë pak kohë që e kam parë këtë ëndërr, ama më ka ngelur në mendje. Shoh sikur jam para një shtëpie, më saktë, para një porte dhe dua ta hap, sepse ajo është e kyçur. Kam një çelës të madh në dorë dhe përpiqem shumë ta hap. Në krahun tim, kisha edhe një djalë, por nuk e njihja shumë dhe ai më tha: “Po, do ta hapësh portën, por mos u shqetëso”. Pastaj u zgjova nga gjumi.
– Çelësi i madh tregon dëshirën tuaj për të mësuar diçka më shumë rreth personit me të cilin shoqëroheni kohët e fundit, por diçka, përsëri, ju pengon. Porta është frika që keni për ta njohur deri në fund, sado që dëshironi ta njihni sa më mirë. Pra, dëshironi në të njëjtën kohë dy ekstreme. Edhe dëshironi ta njihni, edhe nuk dëshironi. Gjithsesi, djali ju ofron një lloj sigurie, sepse ju thotë që do ta hapni portën. Pra, mos u shqetësoni, gjithçka do të shkojë mirë.
Bëj dashuri me të
– U bënë dy net që shoh një person në ëndërr sikur kujdeset për mua, më fton për të bërë dashuri dhe ndjej një kënaqësi të madhe. Unë nuk jam e lidhur me këtë person, por di që në ëndërr më tërheq tmerrësisht. Çfarë kuptimi ka të bësh dashuri me një burrë pothuajse të panjohur?
– Një ëndërr e tillë tregon dëshira të fshehura nga ana juaj. Pavarësisht se ju e mohoni në njëfarë mënyre në realitet, thellë brenda jush e dëshironi këtë person dhe keni tërheqje fizike për të. Po luftoni kundra këtyre ndjenjave që keni, prandaj e keni parë në ëndërr dy herë. Pra, e gjithë ëndrra ka të bëjë me nevojat tuaja fiziologjike dhe tërheqjen fizike që keni realisht ndaj këtij personi. Nëse keni arsye të forta që i ndryshni këto ndjenja, kontrollojeni veten sepse çdo gjë kalon.
Abortova një fëmijë
– Mbrëmë në ëndërr isha me shoqen time të ngushtë dhe i thashë asaj që kisha ngelur shtatzënë. Ajo, e habitur, më tha: “Po si, moj shoqe? Me kë ke ngelur kështu? Do të shkatërrosh veten dhe familjen”. Unë i thashë: “Po është fëmijë i bukur moj, është i imi, si mund të shkatërrohem nga një fëmijë?”. Nuk kaloi shumë, ndjeva rrjedhje poshtë këmbëve dhe pashë që e abortova fëmijën. U trishtova shumë. A ka ndonjë kuptim, ju lutem?
– Sigurisht që ka kuptim. Një ëndërr e tillë tregon planet tuaja për një projekt, që fatkeqësisht nuk do t’ju realizohet gjer në fund. Shtatzania dhe fëmija në ëndërr përgjithësisht janë projekte, plane për të ardhmen, por në rastin tuaj, ju e keni dështuar këtë fëmijë, që do të thotë se nuk do t’ju realizohet plani që kishit. Megjithatë, kjo s’do të thotë të dëshpëroheni. Shpeshherë, atëhere kur trishtohemi më shumë për një plan të parealizuar, ai del për mirë. Koha e ka treguar këtë gjë.