Unë dhe galaktika
Dielli, unë dhe një distancë e frikshme.
Sa larg! E megjithatë, e ka një fund.
Ikja jote, ish’ aq e furishme
si erë që fryn e etur, e gjurmë nuk lë kurrkund!
U destinove larg, diku në anën tjetër.
Aty ku zemra ime s’e ka të lehtë të vijë
Ti, kujtimi i freskët, do t’bëhesh i vjetër.
Atëhere edhe zemra ime ndoshta do të të fshijë
Jo çdo lloj distance mundet të përshkohet
Edhe pse dëshira, çirret si e marrë.
Në kufij logjike, jo aq lehtë kalohet.
Kush e ka provuar, është djegur si në zjarr
E ç’rëndësi ka distanca “unë dhe galaktika”
Një mënyrë do gjeja ta përshkoja qiellin.
Mund të them me bindje, më mbajti veç frika.
S’doja të shkrumbohesha, duke prekur diellin
BLEDI YLLI
GRUA
Unë jam nisja, jam fillimi,
jam dhe fundi, jam mallkimi,
jam loja, e vërteta,
jam jeta jam dhe vdekja,
unë jam engjëll, jam dhe djall,
jam e urtë, jam dhe e marrë,
jam gabimi, jam mësimi,
jam zjarri, jam dhe dimri,
ëmbëlsia që jep vrer,
jam gjithmonë dhe asnjëherë,
jam rënia, jam mbështetja,
jam zhurma, jam dhe heshtja,
jam joshja, jam tradhtia,
shpirti i mbushur, zbrazëtia,
jam e bukura, e shëmtuara,
jam e lumtura, e trazuara,
jam e brishta, jam furtuna,
jam lodhja, jam dhe puna,
jam parajsë, jam dhe ferr,
dashuri që jep e merr,
jam tmerri i seksit tjetër,
s’më do dhe më do patjetër,
jam det, jam dhe përrua,
të qetësoj, të mbys kur dua,
jam bleta që të pickoj,
me mjaltë të ushqej dhe të sfidoj,
unë jam kur dhe ku unë dua,
ndjek dhe s’ndjek ligjet e tua,
dhe Frojdi ngeci te mua,
dhimbje e ëmbël unë jam
Grua! ARTA HYSENAJ
KEIDEN
Emrin ta përsëris në çdo frymëmarrje,
engjëlli im, vjen me pushton me mall,
largësia nuk mund të ketë në jetë ndarje,
shpirtrat e njerëzve që duhen, janë pranë.
Malli shpirtin çdo ditë ma bën të bukur,
e gdhend atë me art, si një skulpturë,
në pritje, ditët m’i bën më të gjata,
dhe netëve gjumi, humbet nëpër rrugë.
Numëroj tik-tak-et që më ikin si karvan,
të shoh buzëqeshjen engjëllore në buzë,
të ndjej aromën e ëmbël foshnjore,
dhe nga lumturia, le të vdes në muzg.
Elisabeta Gockaj
Sonte
Sonte, të lutem, mos ik…
në skajet e ëndrrës së marrë,
hape zemrën dhe më prit…
do vij e veshur, me fustan të bardhë.
Do vij e dehur nga nata e gjatë,
mbi prehrin tënd, të rehatohem,
Jo… në ënderr mos shko prapë,
sonte jam ketu, nuk largohem!
Më prit në shtigjet e gjumit,
aty ku natën e parë mbete,
mes hënës dhe yjeve kureshtar,
Zgjati duart… më merr me vete!
Ti tinëz mos u struk nëpër yje,
e kerkon të më ngresh ndonjë rreng,
Sonte do vij… nuk iki,
ndaj në ëndrra mos më mbaj më peng! Dorina Mushi
Atë ditë, buzë detit
Atë ditë, buzë detit
ecnim bashkë të përqafuar,
larg nga zhurmat e qytetit
ne të dy, të dashuruar!
Ah, se ç’ish një fllad pranvere
që kaq lehtë na përkedheli,
iu dorëzuam asaj ndjenje
që vetëm ne, na buzëqeshi! Fatmira Loci
(Më kot thonë “më mirë vonë se kurrë”)
I mbështjellë me vetminë
me ndërgjegje të zhubrosur
pranë mallit kur ndaloj
e ndjej zemrën të plagosur
Më pas lutjen bëj ngadalë
pendimi, shpirtin ka mbuluar
falmë o Zot dhe ti e dashur
në jetë me ty jam dashuruar
S’kam pse fatin ta marr inat
kur gabova atëherë
u largova edhe pse s’duhej
ah… të kthehem dhe njëherë
Por vonesa nuk të fal
bashkë tashmë na ndan një mur
më kot thonë, se gjithmonë vlen
më mirë vonë sesa… kurrë Leta Guranjaku, Greqi 2014
Nuk kam frikë
Nuk do trembesha
nëse do ikje,
të mbaj në shpirt
unë gjithsesi…
Ç’të të mbaj kur ti do ikësh?
E që do kthehesh përsëri…
Nuk kam frikë
se do largohesh,
tash ka kohë që je larguar…
Veçse ëndrrat mbaj në gji,
ndjenjë në shpirt të përmalluar…
Ti do ikësh e do kthehesh, e gjithsesi do ikësh sërish,
Unë, e sfilitur, duke pritur,
e mbërthyer në nostalgji të trishtë…
Unë nuk trembem
nëse shkon,
i ikur je ti gjithsesi…
e pafund unë
do të të shkruaj
të shtrenjtat vargje poezi.
Gjithsesi, unë nuk trembem,
ti ke ikur prej
qëkur…
E unë prapë duke të pritur,
që të kthehesh si dikur… –Urime Straka nga vellimi “Përtej ëndrrës”
“Kujtimet”
Gota të zbrazura, n’tavolinë i vetëm
Rrëmbej gotën tjetër, që të harroj jetën
Si të humbur apo hije, më kujtohen të gjitha
Por dua t’i harroj, të largohem nga gjithçka
Dua t’i lë diku e me mua të mos jenë më,
Nuk mund t’i duroj se më vranë, pa jetë më lanë
Kujtime të shthurura mua po më çmendin,
As gotat që boshatis, kujtimet nuk po i lëviz nga vendi
Vetëm veten po turturoj e po venis
Se kështu është kjo jeta ime e kujtimet e jetës nuk mund që t’i gris
Më duhet të jetoj me to edhe pse po më mbysin,
Të pi edhe këtë gotë e në rrugë të dal si lypësi…
Të venitem në kët’ jetë, e përpara të vazhdoj
Me kujtimet që gjatë gjithë rrugës, po më kontrollojnë. Nikoll Koca
Poezi për ty
Thuaj se nuk më ke dashur,
thuaje njëqind herë në ditë,
por ti shumë më do
me gjithë zemër, me gjithë shpirt,
thuaj se me ke harruar
thuaj se nuk me kujton
por ti prej zemrës kurrë nuk me largon,
ti më do siç të dua
unë e ti s’bëhemi kurrë të huaj. – ESMERALDA KOLDASHI
Muzës!
Një mall të madh, kam sot për ty
që u bëre e para muzë e shpirtit tim
që më bëre të ndjej, që jam njeri
e që mundem të marr e të fal dashuri
Pas teje shumë kanë ardhur
e po aq shumë kanë shkuar
çaste të bukura të jetës më kanë falur
edhe atyre vargje u kam dedikuar
Por brenda vargjeve të tyre
gjithmonë gjendej i joti kujtim
e kur u puthja buzët e sytë
të puthja dhe ty në ëndërrim! YLLI JAHAJ
Përgatiti faqen …
Blerta