Njerëzit gjithmonë janë interesuar për gjithkënd që jetonte rreth tyre, për shpendët dhe qeniet e tjera të gjalla, për drurët edhe bimët, sidomos për ato qenie të gjalla që mund t’i përdornin si ushqim të përditshëm. Me kalimin e kohës, edhe natyra e këtij interesimi ka ndryshuar dhe erdhi një kohë që ata të interesohen për kafshët dhe zogjtë, duke i parë ata edhe si objekt admirimi. Kështu, për shembull, andej nga fillimi i shekullit XIX, në Angli filloi një hobi: I merrnin shpendët në banesat e tyre dhe u admironin bukurinë, shkathtësinë e sidomos këngën dhe cicërimat e tyre. Në shekullin XX, në Evropën Perëndimore, në SHBA dhe në Rusi, ky interes për shpendët u shtua edhe më shumë, madje veprimtaritë e tyre ishin edhe më të organizuara. Atëhere lindi termi “ornitologë amatorë”… U përhap kjo lëvizje, sidomos në radhët e nxënësve të shkollave. Kjo lloj veprimtarie, “birdvvatching” (shikimi i zogjve), sikurse u quajt nga anglishtja, u përhap pothuajse në të gjithë botën. Dhe sa më shumë i njohin njerëzit shpendët, aq më të kujdesshëm tregohen ndaj tyre. Veç kësaj, “birdvvatching” zhvillon tek ata, në moshat e reja, sidomos, aftësinë vrojtuese, forcon kujtesën, vullnetin për të kapërcyer vështirësitë, etj., cilësi të domosdoshme në jetë. Për të vrojtuar jetën e shpendëve nuk duhet ndonjë përgatitje e posaçme, madje as që duhet larguar shumë nga vendbanimet sepse ata i ndesh kudo, në oborr, në dritare, gjithandej. Mbas disa muajsh, do të fitosh aq përvojë e dijeni, saqë me kohë pastaj të përcaktosh llojet e ndryshme të shpendëve që në fluturim. Rëndësi ka në këtë mes vullneti, një bllok shënimesh dhe, mbase një palë dylbi.
Shënimet do të shtohen dhe njohuritë tuaja për shpendët do të thellohen. Një mjet efektiv studimi dhe njëkohësisht, dëfrimi, është bërë tanimë edhe aparati fotografik, sidomos aparatet moderne dixhitale. Koha më e mirë për t’u marrë me zogjtë është stina e pranverës dhe fillimi i verës, kur ata këndojnë dhe fillojnë stinën e “dasmave”, por nuk është më pak interesante edhe stina e vjeshtës, kur shumë prej tyre shtegtojnë në vendet më të ngrohta.
Për ornitologët amatorë, po japim sot disa kuriozitete nga jeta e shpendëve. Së pari, duam t’ju themi se zogjtë janë shumë aktivë dhe mund të thuash se e fillojnë veprimtarinë e tyre ditore që në mëngjes heret, gjithmonë përpara orës 8-9, kur nisin me këngë dhe cicërima. Shumë syresh këndojnë edhe në fragmente të tjera të ditës, në kohë dreke, apo edhe në muzgun e mbrëmjes. Përsa i përket ngrënies, ata s’kanë vakte; hanë ushqim, kur gjejnë. Për të vrojtuar zogjtë duhet kujdes i madh sepse janë shumë frikacakë dhe përpiqen të fshihen sapo ndjejnë hapat e njerëzve nga larg. Përpiquni, sidomos, që të mos u afroheni shumë foleve të tyre. Mos harroni se disa shpendë, si bie fjala, mjelmat apo bufi, mund t’ju sulmojnë dhe t’ju shkaktojnë plagë në fytyrë…
Thamë se zogjtë janë frikacakë, por nuk ka rregull pa përjashtim; shumë syresh janë mësuar të qëndrojnë pranë njerëzve dhe shpesh banojnë në kopshtet pranë banesave të njerëzve. I tillë është, për shembull, zogu me emrin shkencor Erithacus rubecula, ose gushëkuqi. Ai mund të arrijë deri atje sa t’i ulet njeriut që e vrojton mbi supe si një pëllumb shtëpiak i vërtetë. Po kështu, nuk shqetësohet nga njerëzit edhe zogu Motacilla alba, i cili në praninë e njerëzve mund të ushqejë edhe të vegjlit e vet. E pëlqejnë shoqërinë e njeriut edhe zogjtë ujorë, si patat dhe rosat e egra, apo simotra e tyre. Zogjtë u afrohen shtëpive të banimit sidomos në stinën e dimrit, duke shpresuar se do të gjejnë atje ndonjë gjë për të ngrënë. Mysafirët më të shpeshtë në këto raste janë zogjtë e pyllit Carduelis spinus. Këta lloj zogjsh presin me ëndje çdo farë apo mbeturinë gjelle me patate që mund t’i hedhin njerëzit pasi janë ngopur për vete. Ata hanë me kënaqësi kokrrat e orizit nga pilafi i mbetur… Më në fund, duam të vëmë në dukje se me studimin e jetës së shpendëve janë marrë shumë njerëz të shquar, si fjala vjen, biologu amerikan Xhejms Uotson, i cili në vitin 1953 të shekullit të kaluar, zbuloi strukturën spirale të molekulës DNK dhe mori për këtë çmimin Nobel…
Parazitët lënë pasoja në shëndetin e njerëzve
Studimet e posaçme në Universitetin Berkli të Kalifornisë kanë treguar se parazitët e ndryshëm (morrat, pleshtat dhe llojet e tjera të familjes së tyre të madhe) ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse të bujtësve të tyre, madje me pasoja të rënda edhe pasi ata vetë janë larguar nga ai organizëm, apo janë zhdukur fare fizikisht. Këtë dëmtim afatgjatë ata e shkaktojnë me anën e një plazme toksike që lëshojnë në trupin e “bujtësve” të tyre, e cila vepron mbi ta për një kohë të gjatë. Biologia Bendi Ingrem, pedagoge në këtë universitet, e zbuloi këtë fenomen, kur studionte plazmën toksike (Toxoplasma gondii), nga e cila janë infektuar dhe vuajnë afro një e treta e njerëzimit. Plazma toksike është një “substancë” sa e thjeshtë, aq edhe primitive, por shumë e vështirë “për ta zbërthyer” dhe për të sqaruar se në ç’mënyrë ndikon ajo te bartësit, bie fjala te minjtë, të cilët zakonisht luajnë rolin e ndërmjetësit, deri sa futet në organizmin e maceve dhe gjitarëve të tjerë. Minjtë e infektuar vetë nga parazitët dhe nga kjo plazëm humbasin vigjilencën dhe nuk kanë më frikë nga macet, madje shpesh shkojnë “vullnetarisht” nën kthetrat dhe dhëmbët e tyre… Ingremi dhe kolegët e saj vendosën të studiojnë se çfarë i shtyn minjtë në këto veprime të pavullnetshme dhe arritën në përfundimin se shkaku ishte infektimi i tyre me plazëm toksike, të cilën e kishin marrë pikërisht nga parazitët. Doli se edhe pasi shërohen me sukses, minjtë vazhdojnë të mos e ndjejnë më erën e maceve, ndërsa grupi i minjve që është mbajtur nën kontroll për të mos rënë në kontakt me parazitët dhe për të mos u infektuar prej tyre, vazhdonte jetën normale. Biologia Ingremi shpjegon: “Madje edhe pasi qeniet e gjalla janë “çliruar” nga parazitët vihet re një ndryshim në sjelljen e tyre, megjithëse ne ende nuk e dimë se cili është shkaku i këtij fenomeni”. Rezultatet e studimeve të Ingremit dhe kolegëve të saj janë botuar në revistën «Plus one». Shkencëtarja mendon se parazitët mund të ndikojnë në veprimtarinë e asaj pjese të trurit që përgjigjet për dallimin e aromave në një mënyrë të atillë që truri pushon së reaguari ndaj aromës së maceve dhe urinës së tyre. Plazma toksike mund të sjellë si pasojë gjithashtu dëmtimin e neuroneveqë marrin pjesë në formimin e kujtesës dhe ashtu sikurse ngjet edhe në shumë sëmundje të tjera autoimune të organizmit, truri “harron” se ka patur të bëjë dikur me këtë lëndë dhe me rreziqet që sjell ajo. Njeriu infektohet me plazmën toksike nëpërmjet maceve (jashtëqitjes së tyre) ose nëpërmjet mishit të papërpunuar mirë termikisht që mund të konsumojë si ushqim. Njeriu kur infektohet nga kjo sëmundje nuk ndjen as një shënjë të jashtme, vetëm se kur është në forma të acaruara sëmundja mund të japë disa simptoma që u ngjajnë atyre të gripit. Sëmundja shërohet lehtësisht me përjashtim të rasteve kur njeriu është i infektuar me SIDA. Por, ç’pasoja mund të ketë një infektim i njeriut me toksoplazmus? Ndërsa minjtë nuk kanë frikë, macet, sikurse thamë, humbasin nuhatjen dhe bëhen si të hutuara (çorientohen në veprimet e tyre), njerëzit pësojnë ndryshime në sistemin nervor dhe fillojnë të vuajnë nga neurozat. Meshkujt bëhen më të shkujdesur, indiferentë, ndërsa gratë bëhen më të buta, më të shoqërueshme dhe të përzemërta. Deri tani mjekët kanë vnë re se njeriu infektohet nga kjo sëmundje vetëm nëpërmjet maceve. Sidoqoftë, studimet vazhdojnë…