Kur Kamber Loshi, fshatari analfabet nga Drenica e gjeti veten të rrethuar nga policët dhe ushtarët serbë rreth 90 vite më parë, ai tha një fjalë të madhe, të cilën mund ta kishin vërtetuar në ndërkohë me libra historianët tanë, nëse do të kishte të tillë që e meritojnë emrin ndër shqiptarët. Kamber Loshi tha: “Paj, shumë e keqe kjo Serbi,/por ma i keq shqiptari faqezi!”
Kamber Loshi e kishte fjalën për shqiptarët tradhtarë, që i shërbenin Serbisë, të shiturit te ajo, një prej të cilëve e spiunoi edhe atë te serbët. Ndeshja Serbi-Shqipëri dhe ato që ndodhën pas ndërprerjes së saj, deri më sot kur u dha vendimi nga UEFA, vërtetuan postulatin historik të Kamber Loshit. Serbia nuk do të kishte arritur që të zbatonte skenarin që kishte bërë për ndeshjen Serbi-Shqipëri, me ndërprerje të saj pas dërgimit të dronit, si shkas për të ushtruar dhunë fizike masive ndaj lojtarëve shqiptarë, e pastaj të arrinte t’ i nxirrte fajtorë për braktisjen e ndeshjes, nëse nuk do të ishte ndihmuar prej serbofilëve shqiptarë.
Përfaqësuesja e Shqipërisë doli në fushën e stadiumit të Beogradit, e tradhtuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e kryesuar nga Armando Duka dhe nga Qeveria e Shqipërisë, e kryesuar nga Edi Rama. Krejt agjenda dhe sjellja e FSHF, para, gjatë dhe pas ndeshjes, ishte kushtëzuar nga agjenda e vizitës së ardhshme të Kryeministrit Rama në Beograd, pra që të mos e dëmtonte sadopak agjendën politike të Edi Ramës.
Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që delegacioni zyrtar i FSHF në Beograd, nuk i kërkoi zyrtarisht delegatit të UEFA-s, që para fillimit të ndeshjes, që në bazë të rregullores së UEFA-s, të hiqeshin posterat me përmbajtje politike raciste dhe nacionaliste nga stadiumi, si dhe simbolika e tillë. Ky do të kishte qenë momenti i duhur që FSHF t’ i adresonte UEFA-s ankimin e saj për këtë çështje, se kështu delegati i UEFA nuk mund ta shpërfillte këtë problem, ashtu siç bëri në raportin e tij pas ndeshjes. Delegati i UEFA do të kishte qenë i detyruar që t’ ua kërkonte autoriteteve serbe këtë gjë. Kuptohet se kjo do të sillte një konflikt mes Policisë Serbe dhe tifozëve serbe, por nga një zhvillim i tillë ne nuk kishim asgjë për të humbur. Por nga një zhvillim i tillë humbte Kryeministri Rama, i cili nuk donte që t’ i bënte të pakënaqur serbët. Dhe Armando Duka nuk donte që të bënte të pakënaqur Edi Ramën.
Pasi të niste ndeshja, FSHF duhet t’ i kërkonte zyrtarisht delegatit të UEFA që organizatorët e ndeshjes (pala serbe) të ndalonin koret raciste antishqiptare, madje t’ i vinin në dorë për këtë qëllim edhe një fjalor anglisht-serbisht, që t’ i bënin me dije se çfarë ishte përmbajtja e sloganeve që thoshte në kor krejt stadiumi. Në këto rrethana, delegati i UEFA ishte i detyruar që të vepronte. Loja do të ndërpritej dhe mund të arrihej deri te zbrazja e stadiumit nga Policia Serbe. Çfarë do të kishte humbur Shqipëria nga kjo gjë? Por nga kjo humbte Kryeministri Rama, i cili nuk donte që t’ i bënte të pakënaqur serbët. Dhe Armando Duka nuk donte që të bënte të pakënaqur Edi Ramën.
FSHF doli me ankesë për posterat dhe koret raciste në stadium vetëm pas ndeshjes, kur ajo u ndërpre në rrethana që dukej qartë se do të sillnin ndëshkimin e Shqipërisë. Por tashmë kjo ankesë nuk kishte më vlerë. Problemi nuk ishte se gjatë ndeshjes delegate i UEFA nuk i dëgjoi koret raciste antishqiptare dhe nuk i pa posterat raciste dhe nacionaliste. Problemi ishte se këto nuk i panë dhe dëgjuan zyrtarët e FSHF të cilët qenë në stadium si pjesë e delegacionit zyrtar. FSHF duhet ta kishte përdorur numrin e anëtarëve të delegacionit zyrtar që do të ulej në shkallët e stadiumit, për të çuar si anëtarë të delegacionit sa më shumë njohës të gjuhës serbe, të cilët do të evidentonin në moment prova për koret dhe posterat, dhe do t’ ua bënin të ditur zyrtarëve të FSHF të cilët komunikonin me delegatin e UEFA. Në vend që të bënte këtë Armando Duka mori në delegacion njerëz të cilëve nuk iu takonte të ishin si vëllai i Kryeministrit Rama, apo biznismenë që kanë interesa në Serbi, si dhe njerëz si Blendi Fevziu, Sokol Balla, Andi Bushati (ky i fundit një ditë para ndeshjes në emisionin e Fevziut, pasi u shpreh kundër përfaqësueses së futbollit me lojtarë me origjinë nga Kosova, shtoi duke u zgërdhirë: “Të shohim sa vlejnë lojtarët e kombëtares se ndoshta i rrahin nesër e nuk vlejnë më asgjë”) Ky Andi Bushati, nëse donte të shkonte në Beograd, mund të kishte qenë fare mirë me tifozët serbë, por jo si pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar. Si ai kishte dhe shumë të tjerë që nuk e meritonin të ishin në delegacion, ku iu kishin zënë vendin ekspertëve, të cilët duhet të ishin atë ditë atje.
Pozita e Shqipërisë në gjyqin e UEFA do të kishte qenë shumë më e lehtë nëse Qeveria e Shqipërisë, dhe posaçërisht Kryeministri Rama, i cili u akuzua personalisht dhe familjarisht për organizimin e një akti terrorist në Beograd me rastin e ndeshjes do ta kishin denoncuar dronin si një provokacion shtetëror serb, që në momentet e para pas ndeshjes kur vërshuan akuzat nga shtetarët serbë. Droni u bë shkak për dhunën masive të ushtruar ndaj lojtarëve tanë, që kishte qëllim që t’ i detyronte lojtarët tanë që ose ta braktisnin ndeshjen, ose të riktheheshin të luanin të dhunuar fizikisht, pra me një handicap të madh ndaj palës serbe. Qeveria e Shqipërisë, dhe posaçërisht Kryeministri Duhet t’ i kishin kërkuar Qeverisë serbe dosjen me të dhënat që vërtetonte se droni ishte një provokacion i bërë nga pala shqiptare. Meqënëse Kryeministri serb tha se ishte informuar Bashkimi Europian tre orë para ndeshjes për provokacionin e përgatitur nga shteti shqiptar, Kryeministri Rama duhet t’ i kishte kërkuar BE që të ndërmerrte një hetim për këtë çështje, në bashkëpunim me të dy qeveritë. Qeveria e Shqipërisë dhe posaçërisht Kryeministri Rama duhet të kishin dalë me një shpjegim të hollësishëm publik për çështjen e dronit me banner, ku duke përdorur të gjithë faktet e shumta të tregonin se ky incident ishte një sajesë e shërbimeve të fshehta serbe.
Droni pati një rol kyç në ndërprerjen e ndeshjes (tjetër gjë është ndërprerja e lojës për hedhje lëndësh piroteknike në fushë nga tifozët serbë dhe tjetër gjë ndërprerja e ndeshjes), dhe u bë shkak për dhunën fizike masive të ushtruar nga tifozët serbë ndaj lojtarëve tanë. Dhuna fizike ishte një provokacion i organizuar serb për t’ i bërë lojtarët tanë që të vendosnin të mos e vazhdonin ndeshjen pas ndërprerjes. Nëse autorësia e dronit do t’ u mbetej zyrtarisht serbëve, atëherë nuk do të mund të fajësohej përfaqësuesja jonë për refuzimin për të vazhduar të luante një ndeshje ku organizatorët kishin inskenuar provokacione politike në mënyrë të tillë që të arrihej te ndërprerja e ndeshjes. FSHF nuk e akuzoi zyrtarisht palën serbe si inskenuese të incidentit me dronin dhe bannerin, ndonëse nga ana e saj homologia serbe e FSHF e akuzoi zyrtarisht FSHF para UEFA-s se njerëz brenda delegacionit zyrtar shqiptar mbajnë autorësinë e dronit. FSHF nuk i kërkoi UEFA-s që të bënte hetime mbi faktet elementare të incidentit me dronin dhe bannerin, duke ua adresuar UEFA qoftë edhe si pyetje të thjeshta autoriteteve serbe, të cilët kishin detyrimin të kthenin përgjigje.
FSHF nuk e ka sqaruar ende se cili ishte qëndrimi i saj kur u bë takimi tripalësh mes delegatit të UEFA dhe gjyqtarit nga njëra anë, si dhe palës serbe e asaj shqiptare pas ndërprerjes së ndeshjes kur po diskutoheshin opsionet. Pala serbe thotë se ka ofruar tre opsione: Që ndeshja të vazhdonte të luhej, që ndeshja të luhej pasi të qenë larguar tifozët nga stadiumi, që ndeshja të luhej të nesërmen. FSHF duket se nuk ka bërë asnjë përpjekje që ta artikulonte juridikisht vendimin e lojtarëve tanë se nuk ishin në gjendje që ta vazhdonin ndeshjen. Lojtarët tanë shprehën mendimin e tyre sipas përjetimeve që patën. Por nga ata nuk mund të kërkohej të shpreheshin për anën juridike të çështjes. Shqipëria duhet të kishte paraqitur opsionet e saj, ku më i miri do të kishte qenë që ndeshja të luhej sa më shpejt që të ishte e mundur, pasi lojtarët shqiptarë t’ i nënshtroheshin një kontrolli dhe trajtimi të shpejtë mjekësor, të çertifikuar nga UEFA. Ndryshe do të dukej, ju duhej thënë delegatit të UEFA-s, se iu dha dorë e lirë palës serbe që, meqënëse nuk po e mundte dot Shqipërinë me lojë në fushë, atëherë ta ndërpriste ndeshjen për t’ i rrahur fizikisht lojtarët shqiptarë, që pastaj të mund t’ i mposhtte në fushë. Kjo është e papranueshme. Kjo do të thoshte që ndeshja të luhej jo më parë se të nesërmen, dhe e implikonte UEFA-n që të hetonte për dhunën ndaj lojtarëve shqiptarë.
Por serbofilët shqiptarë të FSHF nuk vepruan kështu, se nëse vepronin kështu do t’ i prishej skenari Serbisë. Të keqen më të madhe e kemi nga serbofilët shqiptarë. Nga ata që vazhdojnë në sport veprën që Esat Toptani, ati i kolaboracinizmit serb te shqiptarët, nisi dikur në politikë./Kastriot Myftaraj
Advertisement