Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Mos është i sëmurë burri im i dhunshëm?

– Përshëndetje, Dr. Jashar Demiri! Jam një grua nga Skrapari, shumë e rregullt, por kam hall me burrin. Qëkur jam martuar, është i dhunshëm, nuk ka as komunikim, pi e me fëmijët sillet shumë keq. Jam shumë në hall me të dhe doja të dija mos vallë është i sëmurë, sepse edhe në shtrat që kur isha nuse e re, e kam vënë re që ashtu ishte? Ju lutem, më ktheni përgjigje. Me respekt, Bajamja.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Eh, moj Bajame, sa “shpejt” qenke kujtuar për qëndrimin ndaj burrit, tani që të qenka “djegur” rinia e je bërë me fëmijë. Megjithatë, siç thuhet, “mos thuaj kurrë se është vonë”. Në letër ti thua se ai kështu është sjellë qëkur ti ke qenë nuse e re, pra, i dhunshëm, pijanec etj. Po si vallë e ke duruar, a kishe apo nuk kishe ti njerëz, prindër? Pse nuk je divorcuar? Një fjalë e urtë italiane thotë se gruan që e ke inat, thuaji: “Marrsh një pijanec (për burrë)”, kurse burrit që e ke inat, i thuaj: “Të pafsha me motorr!”. Si e ke lejuar ti Bajame që ai të sillet kështu me ty, që në fillim të martesës, kur ti thua se vetë ke qenë shumë e rregullt, kurse as ai as komunikim të mirë s’paska pasur, as sjellje, as takt, por vetëm pije, dhunë, xhelozi e keqsjellje? Pale kur thua se edhe me fëmijët sillet keq! Këtu unë vërtet ia hoqa “vizën” pasi ai nuk njeh e nuk do as “gjakun” e vet! Ai qenka shpirtngurtë dhe egoist, nuk paska njerëzillëk e as ndjenja përgjegjësie. Po si nuk ia shikove pak origjinën, moj e gjorë, para se të martoheshe me të?! Dhëntë Zoti që fëmijët të mos ndjekin “modelin” e babait, pasi ata po e shohin vetë në ç’derexhe ka kaluar ai për shkak të pijes. Ju më pyesni: “Mos ai është i sëmurë?”. Unë nuk kam nga ta di këtë gjë pa e vizituar, porse di këtë, që pija, edhe po nuk qe i sëmurë, të degradon e të çon në depresion. Kjo nuk ndodh menjëherë, ndodh avash-avash, por ndodh me të gjithë ata të cilët, në vend që të zgjedhin punën e dhimbjen për ta ndërtuar, përballuar e gëzuar jetën, zgjedhin shmangien e keqpërshtatjen dhe kotësinë e pakënaqësitë përpiqen që t’i “zbutin” me pije, domethënë, me drogë. Ai e ndjen se nuk merr atë që i duhet nga jeta e nga ju si ngrohtësi e dashuri, por nuk e kupton se është vetë ai shkaku edhe pasoja, ndaj sillet keq edhe me fëmijët sepse i duket sikur ata janë shumë të ndikuar nga ju, e ëma e tyre. Ai nuk e “sheh” veten në “pasqyrë” dhe tani sa vjen e më keq do të jetë nëse nuk heq dorë nga pija dhe jeta e papërgjegjshme që bën. Natyrisht, ai duhet ndihmuar për të ndryshuar, duhet të bashkëpunoni edhe me ndonjë psikolog ose doktor që t’ia thotë troç të gjitha, pa e sulmuar me fjalë. Pastaj, nëse nuk do të bindet e nuk bashkëpunon për të ndryshuar, i duhet vënë “kufiri te thana”, pasi nuk ka kuptuar që një njeri i vetëm, në vend që të jetë pjesë e zgjidhjes së halleve familjare, mund t’jua nxijë jetën ty e fëmijëve. Në këto raste, dhembshuria është këshilltar i keq… A e dini se ç’bën bleta? Meshkujt, ngaqë nuk punojnë dhe vetëm hanë mjaltin, i kapin e i nxjerrin nga kosheret… Këtë e kam parë vetë në pranverë, te një bletërritës, se nuk e kisha besuar… Tani, në vijim të përgjigjes, dua të flas më shumë për pijen, për këtë “hall” të madh që i ka zënë shumë gra me burrat e tyre; një hall i madh familjar.

– Ja se ç‘më ka thënë një grua, shumë e penduar që u martua me një pijanec: “Mbaj mend se ai më lutej me fjalë të ëmbla që të martoheshim, duke m’u betuar se do të më donte shumë për gjithë jetën. Mua m’u duk se po humbisja një rast të mirë dhe pranova. Nuk isha në gjendje të gjykoja për pasojat… Tani ai është shumë xheloz, pi dhe më keqtrajton. Edhe unë s’e duroj dot më!”.

Advertisement

Pijanecët asnjëherë nuk e ndiejnë atë gjendje shpirtërore të lartë e frymëzuese që i jep njeriut dashuria. Ashpërsia, mungesa e kritikës ndaj vetes ose euforia, mund ta nxisin pijanecin për synime, për të kënaqur pasionin seksual, ndoshta pa u frenuar nga prania e fëmijëve ose e njerëzve të tjerë. Të dhënat klinike më të fundit të OMS tregojnë se nuk janë të pakta rastet kur përdorimi i tepruar i alkoolit shpie në impotencë të plotë seksuale. Mbi dëmin e alkoolit në sferën e seksit, Imielinski dallon 4 faza:

– Në fazën e parë, kur akoolisti sapo ka filluar “karrierën”, si rezultat i veprimit narkotizues të alkoolit mbi koren e trurit të madh vërehet njëfarë dobësimi i përkohshëm i frenuesve psikikë dhe njeriu sikur e humbet aftësinë për vetëkontroll e për të drejtuar reflekset e tij, gjë që mund të shfaqet edhe në forma të ashpra ose të paturpshme ndaj partneres seksuale.

– Në fazën e dytë, shfaqen shenjat e helmimit kronik nga keqpërdorimi i alkoolit. Kështu dobësohet ndjeshmëria e qendrave nervorë në palcën kurrizore që drejtojnë ereksionin dhe ejakulacionin. Si rezultat, ereksioni bëhet më i rrallë dhe për arritjen e potencës seksuale kërkohen ngacmues të fortë seksualë. Përveç kësaj, pengohet edhe ejakulacioni, i cili mund të jetë i dobët ose mund të mungojë fare.

– Në fazën e tretë, veprimtaria e të dyja qendrave nervore dobësohet ndjeshëm, gjë që shfaqet para se gjithash në mungesë ereksioni. Pasioni seksual ende ruhet, por potenca dhe aftësia për akt seksual janë fare të dobëta ose mungojnë. Madje, edhe ngacmuesit e fortë seksualë mund të mos shkaktojnë ereksion. Po edhe në qoftë se ereksioni vjen, ai është i pamjaftueshëm dhe shpesh nuk siguron mundësinë për kryerjen e aktit seksual. Edhe ejakulacioni (në qoftë se ngjet) është fare i dobët. Kjo do të thotë se alkooli ka dëmtuar veprimtarinë e qendrave nervore të ndjeshmërisë së ereksionit dhe ejakulacionit në palcën kurrizore. Duke parë veten, fillon edhe xhelozia… Kurse në fazën e kartërt, të alkoolizimit kronik, krahas dëmtimit të plotë të qendrave të ereksionit dhe ejakulacionit ndodh edhe atrofia e dëshirave seksuale, gjendje e cila quhet impotencë e plotë alkoolike. Në këtë fazë, njeriu nuk ka asnjë dëshirë seksuale dhe është krejt i paaftë për akt seksual, aftësi e cila zakonisht nuk rikthehet më. Paralelisht me këto faza vepron edhe një kompleks i tërë faktorësh të cilët dalëngadalë dëmtojnë shëndetin psikik e fizik duke e çuar alkolistin në degradim psikik me pasoja sociale dhe në sëmundje të ndryshme somatike. Prandaj shqetësimet seksuale që lindin në stadin e hershëm të alkolizmit, shërbejnë si sinjal paralajmërues që alkolisti të braktisë pijen, për të mos pasur pasoja të mëtejshme. Në mënyrë të tërthortë, alkolizmi kronik dëmton jo vetëm potencën, por tërë jetën në martesë. Zakonisht, në fillim, lindin grindjet dhe skandalet midis bashkëshortëve, të cilat duke u shtuar, çojnë në humbjen e dashurisë dhe shuarjen e ndjenjave. Midis shumë konflikteve që lindin në familjen e alkolistit, janë ato që lidhen me dyshimet e sëmura, domethënë, xhelozinë për të cilën kemi folur. Në disa raste, që në fazën e parë të alkoolizmit, pamja e shëmtuar e burrit të pirë e fjalët fyese, mund t’i shkaktojnë gruas traumë psikike. Përsëritjet e përceptimeve pamore të këtyre skenave, shoqëruar edhe me të vjella ose erë të keqe që fusin “krupën” dhe përgjithësisht, pamja e mjerë dhe e shëmtuar e partnerit të pirë, mund të shkaktojnë te gruaja mungesë të dëshirave seksuale ose ftohtësi ndaj jetës seksuale. Përsëritja e shpeshtë e këtyre fenomeneve dhe keqtrajtimi i gruas mund të çojnë në neveri ndaj burrit të pirë, neveri që mund të përfshijë edhe sferën e seksit, duke dominuar mbi të gjitha ndjenjat e femrës e duke i frenuar ato. Kështu, në vijim, gruaja nuk do të mund ta durojë burrin edhe kur është i papirë, madje jo vetëm ashpërsia, por edhe “butësia” euforike dhe premtimet e irritojnë atë. Vitet e fundit, alkooli është bërë shkak për shtim të madh të divorceve, pastaj vijnë bixhozi, droga, papunësia etj. Ndërsa nga duhani janë disiplinuar rastet me kancer, sidomos te gratë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

I bëjnë shantazh për lekë, me pretekstin e përdhunimit...

Next Post

U martova, edhe pse isha impotent...

Advertisement