– Përshëndetje avokatit! Kam një pyetje dhe nuk e di se sa bën pjesë në fushën tuaj. Kam qenë i punësuar në një kompani deri para 6 muajsh dhe më paguheshin rregullisht sigurimet. Me ndërprerjen e punësimit që erdhi nga ana e punëdhënësit, fillova procedurën për përfitimin e asistencës së punës. Theksoj se në këtë punë nuk është se kam firmosur ndonjë kontratë pune dhe nuk kam marrë asnjë shkrim paraprakisht për largimin nga puna. Tani që ka muaj që jam larguar, ish-punëdhënësi më kërkon të firmos dorëheqjen time. Cilat mendoni se janë arsyet që e kërkon këtë gjë ai? Nëse unë firmos, a më rrezikohet asistenca? Veç kësaj, a kam të drejtë ta hedh në gjyq, sepse s’më ka dhënë 3 rroga, me justifikimin se nuk ka lekë kompania? Ju falënderoj.
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – Përshëndetje zonjë/zotëri! Zyra jonë është e specializuar edhe për çështjet e punës, përveç çështjeve të tjera, me të cilat u shërbejmë qytetarëve. Nga informacioni që ju jepni, kuptoj se ju nuk keni kontratë pune me punëmarrësin dhe rrjedhimisht, kjo marrëdhënie pune trajtohet si “kontratë me afat të pacaktuar”. Kodi i Punës për këto raste parashikon procedurën dhe afatin e njoftimit se si zgjidhet një “kontratë me afat të pacaktuar”.
Ligji i Zbatueshëm
– Neni 141 sanksionon se: Kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit.
– Neni 143 sanksionon se: Pas kohës së marrjes në provë, për të zgjidhur kontratën me periudhë të pacaktuar, palët duhet të respektojnë një afat njoftimi prej një muaji, gjatë vitit të parë të punës, prej dy muajsh për dy deri në pesë vjet pune, prej tre muajsh, për më shumë se pesë vjet pune.
– Këto afate mund të ndryshohen me marrëveshje me shkrim ose në kontratën kolektive të punës. Kur punëmarrësi ka kryer deri në gjashtë muaj pune, afati i njoftimit nuk mund të jetë më pak se dy javë. Afati i njoftimit është jo më pak se 1 muaj kur punëmarrësi ka kryer më shumë se gjashtë muaj pune.
– Afati i njoftimit për zgjidhjen e kontratës zgjatet, sipas rastit, deri në fund të javës ose deri në fund të muajit. Zbatohet i njëjti rregull kur afati i njoftimit pezullohet gjatë periudhës së paaftësisë për punë, shtatzanisë ose pushimeve të dhëna nga punëdhënësi. Kur njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm.
– Neni 144 përcakton procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës nga punëdhënësi: Pas kohës së marrjes në provë, kur punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës, ai duhet të njoftojë me shkrim punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedojë me të.
– Punëdhënësi, gjatë kësaj bisede, i parashtron punëmarrësit arsyet e vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij mundësi për t’u shprehur. Zgjidhja njoftohet me shkrim, brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit. Kjo procedurë zbatohet edhe në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të kontratës.
– Punëdhënësi që nuk respekton procedurën e përcaktuar në këtë nen, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim prej dy muajsh pagë, që u shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme. Zgjidhja e kontratës në kundërshtim me këtë dispozitë mbetet e vlefshme. I takon punëdhënësit të vërtetojë që procedura e përcaktuar nga ky nen është respektuar.
Konkluzioni përfundimtar lidhur me këtë rast është se juve ju lind e drejta për të paditur ish-punëdhënësin tuaj dhe në kërkesë padi duhet të kërkoni:
- Dëmshpërblim në 12 paga mujore për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës;
- Dëmshpërblim me 2 paga mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës;
- Dëmshpërblim me 1 pagë mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit.
– Përfaqësuesi i kompanisë ka frikë se mos ju e padisni në gjykatë dhe prandaj ju kërkon që ju të jepni dorëheqjen. Unë ju këshilloj të mos e jepni dorëheqjen, pasi në rast se ju e bëni një gjë të tillë, nuk e fitoni gjyqin. Nëse jeni të interesuar për ta ndjekur këtë çështje, Studio Ligjore “Duraj” kryen të gjitha procedurat ligjore dhe përfaqësim në gjykatë.