– Përshëndetje, doktor Evi. Unë që ju shkruaj jam Sheni, 36 vjeç. Më ndodh ndonjëherë urinim i pavullnetshëm në gjumë (inkontinenca). Kjo gjë ma ka ndodhur që në moshën 13-15 vjeç dhe më filloi përsëri. Ju lutem shumë, më thoni si të veproj, ku të shkoj dhe si të kurohem? Përveçse në rastet kur e teproj me lëngjet në orët e mbrëmjes, edhe kur s’kam pirë, përsëri e kam këtë problem. Aktualisht, jam me rërë në veshka, kam edhe një infeksion të lehtë. Si mund të mjekohem, ju lutem, sepse kjo gjë po më shkakton stres, pavendosmëri për t’u fejuar, pamundësi për të kryer marrëdhënie seksuale apo për të shkuar diku mysafir? Ju lutem, më ktheni një përgjigje. Respekte për ju dhe të gjithë mjekët.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Inkotinenca urinare, pra, urinimi i pavullnetshëm, është një nga problematikat që shfaqet shpesh te meshkujt, por më tepër ajo shfaqet te femrat. Një gjendje e tillë sigurisht që do të krijojë një problematikë tek ai që e vuan, me të gjitha pasojat që lë, siç edhe ju e shpjegoni në letrën tuaj. Por, më vjen keq për një problem dhe më bën shumë përshtypje që keni kohë që e vuani një gjë të tillë dhe nuk konsultoheni me mjekun urolog. Vërtet më jeni drejtuar mua, por unë vetëm mund t’ju këshilloj ku të shkoni dhe të vizitoheni. Ju këshilloj të konsultoheni me mjekun urolog i cili nga ana e tij do të përcaktojë shkaqet e kësaj dukurie e më pas do t’ju japë mjekimin e duhur i cili do të sjellë rezultate shumë të mira dhe të sigurta. Kështu, mos humbni më kohë, shkoni e vizitohuni dhe bëni analizat e duhura sepse në këtë mënyrë, asnjë doktor nuk ju jep mjekime në distancë pa u konsultuar e bërë gjithë ekzaminimet e nevojshme që të gjendet diagnoza juaj.