Enkeleda Kurcani: – Indrit, sapo është publikuar klipi yt i fundit “Gruaja kureshtare”. Të lutem, mos më thuaj “nuk e kam bërë unë tekstin, nuk ka të bëjë me mua”…
Indrit Mlika: – Në fakt, në rastin tim, është krejt e kundërta! E kisha vetë si ide për të bërë një këngë të tillë. Pra, fabulën e kisha në kokë. Menjëherë pas kësaj shkëndije, komunikova me Bertan Asllanin, kompozitorin nga Maqedonia dhe i kërkova të na e vinte në jetë idenë. Bertani shkroi tekstin dhe vijën melodike, të cilat më pëlqyen shumë dhe, ja ku u krijua dhe kënga. Më pas, filloi puna për realizimin e videoklipit.
– Po nga të lindi ideja?
– Ato ditë, gruaja ime më kërkonte llogari nëpër shtëpi, nuk po më linte rehat: “Ku shkon? Pse shkon në prova?”… po ankohej shumë. U mendova dhe thashë: “Përse të mos ia kushtoj një këngë gruas dhe situatës që u krijua?”. Në fakt, kënga na doli për të gjitha gratë… (Qesh) Pra, kënga “Gruaja kureshtare”, paraqet në njëfarë mënyre atë gruan xheloze, që kontrollon gjithçka që bën bashkëshorti, i kërkon llogari për kohën e qëndrimit me shoqërinë etj.
– Ti, në fakt, e ke bërë veten që të të kërkojë llogari gruaja?
– Ç’është e vërteta, ka qenë një periudhë që gati çdo fundjavë duhet të shkoja në Greqi dhe në Itali për koncerte, larg familjes. Në këngë, nuk kam qarë vetëm hallin tim, por edhe të kolegëve të mi; të gjithë i kanë këto probleme. (Qesh)
– Po pas këngës, është më e qetë gruaja?
– S`ia kam vënë termometrin… (Qesh)
– Për shembull, u bë kureshtare ajo për atë vajzën e bukur te klipi?
– Jo (qesh), për të qetësuar gruan, e bëra pjesë të stafit. Në këtë rast, u zgjidh çështja, pasi Gresa, bashkëshortja ime, është kujdesur vetë për grimin dhe Make-up Studio Gressa meriton një falënderim. Vendi i xhirimit ka qenë Tirana, nuk na është dashur të largohemi shumë… Për realizimin e klipit, dua të falënderoj AS Studio, për orkestrimin, regjisorin e famshëm tashmë, Aleksandrin nga Maqedonia, si edhe Musical TV.
– Videoklipi nisi të transmetohet më 8 mars, ditën e grave. Përse prite kaq shumë për hedhjen në treg?
– Data ishte e qëllimshme. Duke qenë se është një këngë kushtuar grave, duhet të dilte në atë datë, si një dhuratë për të gjitha gratë. Sa për kohën e gjatë pa lançuar diçka të re, keni të drejtë. Kam 4 vjet që nuk kam publikuar klip, për shumë arsye. E para, sepse për të realizuar diçka të bukur dhe me vlera nevojitet koha dhe angazhimi i duhur. Pastaj, unë u bëra edhe babai i një djali të vogël, të cilit iu përkushtova. Stina e verës është e mbushur me pjesëmarrjet në gëzimet familjare e koncertet e shumta dhe, ka pak muaj që jam kthyer nga një turne në Amerikë, i cili zgjati 3 muaj. Këto kanë qenë arsyet e mungesës në treg. Por, mungesë vetëm në këtë aspekt, pasi për shqiptarët kam kënduar kudo ku janë.
– Veç gjërave negative, kjo mungesë në familje përkthehet edhe në prurje parash…
– Po, ky është edhe justifikimi i ndjenjjes tre muaj në Amerikë…
– Cilat janë femrat më të veçanta të jetës tënde?
– Sigurisht që kaçurrelja, gruaja ime! (Qesh)
– I sjell dhurata kur vjen nga jashtë, që t’i heqësh mërzinë?
– I sjell, po me thënë të drejtën, më shumë sjell për çunin…
– Në klip, gruaja të kontrollon telefonin. Po jashtë klipit, ta kontrollon?
– Yyyyyyyy… (Qesh)
– Në klip, të shohim edhe duke bërë pazar me gruan në supermarket. E bën vërtet këtë gjë?
– Po, e bëj, kur jam i lirë.
– Çfarë vesi nuk do të duroje dot te një grua?
– Gënjeshtrën nuk e duroj dot, sinqeriteti më pëlqen.
– Po ti vetë, çfarë vesesh ke? Je nga ata shkodranë që të tana i ban, apo jo?
– Fakti që kam 10 vjet në Tiranë, bën që; të tana i kam, po nuk i baj të tana. (Qesh)
– Po ti, je kureshtar për gruan? Flas për atë lloj kureshtjeje që ke edhe në klip…
– Jo, nuk e teproj, mendoj se jam aq sa duhet.
– Meqë jemi te kureshtja, jam kureshtare të di, si je njohur me bashkëshorten tënde?
– Ka ndodhur vite më parë, në plazh, në Durrës. Unë këndoja në lokal, ku kishte ardhur edhe Gresa me familjen. Duke qenë me origjinë nga Shkodra, i ati më kërkoi të këndoja një këngë shkodrane dhe, meqë ai më kërkoi t’i këndoja, unë i ngacmova vajzën. Dhe, ja ku jemi si pëllumba, tashmë 10 vjet bashkë. (Qesh)
– Je dakord me shprehjen se, pas një burri të suksesshëm, qëndron një grua e fortë?
– Shumë dakord. Kështu mendoj edhe unë. Ama e fortë, por e butë… (Qesh)
– Ndodh që pas shumë vitesh, VIP-at bëhen pishman se përse nuk u kanë kushtuar kohë mjaftueshëm fëmijëve të tyre… Apo je bërë pishman që tani?
– Jam bërë që tani. Po të më pyesësh sot, them se nuk do ta bëja më, por pasioni më ka sjellë deri këtu.
– Indrit, me çfarë i rivalizon ti këngëtarë e tjerë, që po shtohen çdo ditë e më shumë?
– Unë njihem si këngëtar i muzikës popullore qytetare dhe mundohem t’u përshtatem ambienteve ku shkoj për të kënduar. Gjithmonë këndoj live. Marr pjesë edhe në gëzime familjare, në festa të ndryshme. Që një këngëtar të jetë i aftë t’i bëjë këto, duhet të ketë një përvojë shumëvjeçare.
– Ke pak dialekt shkodran. E ruan për krenari apo se nuk e ndryshon dot?
– Të dyja bashkë.
– A duhet domosdoshmërisht që një këngëtar të dijë edhe të kërcejë?
– Në përgjithësi, dinë të kërcejnë, sidomos këngëtarët e live-it. Ndoshta jo të gjitha rrymat, por atë rrymë që këndojnë, po.
– Më shpejt e fiton apo e prish paranë?
– Sigurisht që më shpejt e prish, por me punën që kemi, shpejt edhe fiton. Gjithsesi, sa të ketë, aq edhe prish njeriu.
– Për çfarë shpenzon më shumë?
– Më tepër për familjen. Tani blemë edhe një shtëpi të re, kështu që shpenzuam për të. Po edhe për veshjet shpenzoj disi, si për veshjet e skenës, ashtu edhe ato të ditës.
– A ndryshojnë shqiptarët e Shqipërisë nga ata të diasporës?
– Jo vetëm ata, por edhe shqiptarët e Amerikës ndryshojnë nga ata të Evropë. Kam vënë re që shqiptarët në Amerikë janë më nostalgjikë. Fakti që janë shumë larg, i bën më të përmalluar. Në Amerikë kam vajtur në shumë shtete, mundohem të organizoj shumë koncerte atje, duke qenë se është larg dhe nuk ke mundësi të shkosh shpesh.
– Udhëtimi i radhës…
– Italia.
– Po klipet, do t’i lësh me kaq?
– Po punoj për një baladë dhe një bashkëpunim. Jam vënë në kontakt dhe kam diskutuar me një këngëtare që është shumë e njohur në treg. Besoj se para verës, do të jetë gati bashkëpunimi dhe në shtator, balada.