Në përpjekjen për ta njohur më nga afër, këngëtari i muzikës rrep, i njohur si Gold Ag, vjen në këtë intervistë që frymon sinqeritet, mendjemprehtësi dhe pasion për muzikën. Por nuk është e gjitha, sepse nëse provoni të lini mënjanë sjelljen tipike prej reperi, me pantallonat e gjera dhe bluzat XXL, do të gjeni përtej tyre djalin fisnik, të matur e me parime, që sipas këndvështrimit, do të konsideroheshin demode ose virtyte, edhe pse në zhdukje. Është kjo ajo që bën diferencën te këngëtari nga Presheva, tek i cili më shumë se forma, merr rëndësi përmbajtja, ndaj dhe do të keni ç’të lexoni në vazhdim…
Alma Buci: – Arian, si funksionojnë gjërat në botën e repit?
Gold Ag.: – Si kudo, me të mirat dhe të këqijat, me suksesin dhe xhelozitë. Është mirë që ka shumë grupe e shumë repera dhe publiku di të vlerësojë të mirën e të keqen.
– Çfarë e dallon në reper nga një tjetër?
– Te na janë kejt milionera në këngë, kështu që s’po dallojnë shumë. (Buzëqesh)
– Ndonjë mes kolegëve që meriton respektin tënd?
– Ka shumë që i respektoj dhe më respektojnë. Ata e dinë cilët janë dhe i përshëndes prej zemrës.
– Kënga që nuk e honeps dot fare?
– Kënga dhe këngëtarja që nuk ma mban organizmi, është Tuna.
– Flirton shpesh me koleget këngëtare?
– Koleget i kam kolege dhe ashtu e kanë vendin.
– Vargjet më të bukura shkëputur nga këngët e tua…
– Asnjë që nuk ma thotë zemra nuk e shkruaj, kështu që të mira më duken krejt.
– Po të ishe thjesht Ariani, për ç’arsye do të ishe një fans i Gold Ag?
– Se asnjë nuk e thotë nga zemra si Goldi.
– Cilat kanë qenë ditët e tua më të mira?
– Kur isha i vogël dhe e kisha babin gjallë.
– Me çfarë ngjyre e shikon jetën?
– Me ato ngjyra që më servir jeta.
– Nëse gjithë sa ke përjetuar do të bëhej një libër, cili do të ishte titulli i tij?
– “Jeta qenka sprovë”.
– Midis mendjes dhe zemrës, i jep prioritet…
– Të dyjat ndërlidhen me njëra-tjetrën.
– Ke qenë më tepër një djalë i mbarë apo i prapë?
– I mbarë gjithmonë për familjen dhe shoqërinë, ndërsa i prapë, për dushmont (armiqtë).
– Për çfarë ke mall?
– Për babain.
– Diçka të cilën kërkon që ta harrosh?
– Shokët tradhtarë.
– E ke dhuruar deri tani zemrën?
– E dhuroj shpesh, por nganjëherë, në vende jo të mira.
– Më shumë jep apo merr?
– Jap.
– Nga kush ke ç’të mësosh?
– Nga nëna ime kam mësuar dhe mësoj edhe në këto ditë.
– Cili është vendi, qoshku, ku ndihesh më mirë?
– Komplet në trojet shqiptare.
– Një gjë për të qeshur…
– Hala s’kemi kryeministër!
– Beson në përjetësinë, kur bëhet fjalë për një marrëdhënie?
– E përjetshme është vetëm bota tjetër.
– Çfarë arome ndjen tani përreth?
– Dicka shumë të mirë që nuk di si ta quaj me fjalë.
– Çfarë e bën një njeri të mirë?
– Morali dhe sjelljet që ka.
– Kë quan shok?
– Ata që s’më bëjnë politikë, që për mu hyjnë në plumb e për ta, hyj në thikë.
– Çfarë të bën edhe njëherë fëmijë?
– Mahalla e Preshevës.
– Çfarë do t’i thuash ose do të doje t’i thoje një ditë djalit tënd?
– Duje atë që t’don e ruaje atë që t’run, se ki me e hongër vetë nëse tjetrit ia gatun.
– Çfarë mendon se shohin dhe kërkojnë femrat te ti?
– Kërkojnë brina e mbesin pa veshë. (Qesh)
– Çfarë thoni ju meshkujt prapa krahëve të femrave?
– Vetëm ai që s’ka moral e keqpërdor emrin e femrës pas syve.
– Je i dashuruar?
– Dashuria është dhuratë që e kemi nga Zoti, kështu që lum ai që dashuron atë që duhet.
– Si dashuron Ariani?
– Me zemër e pa hile.
– Ke dashur dikë që nuk të ka dashur?
– Jo, s’e kanë atë fat ato që s’dinë me dasht.
– Femra perfekte do të ishte një femër e mbuluar?
– Po, patjetër. Kur ajo ka frikë Allahun, e di që respektin e bën si është më së miri dhe e ruan moralin e saj.
– Një gjë në të cilën ke guxuar vërtet shumë?
– Guxoj shpesh, çdo herë që të tjerët heshtin për ndonjë gjë.
– Mesi i natës është burim frymëzimi apo çmendurish?
– Mesi i natës është koha më e mirë për gjumë, por nganjëherë, edhe burim frymëzimi.
– Për çfarë shkon më shpesh në farmaci?
– Për çka të kem nevojë, vetëm se s’kam dëshirë me e vizitu shpesh.
– Mendimi i çastit…
– Po mendoj edhe sa pytje do t’jenë. (Qesh)
– Personi që të njeh më mirë, përveç nënës?
– Familja, shoqëria dhe fansat.
– Çfarë është ilaç për shpirtin?
– Namazi.
– Lexojnë libra reperat? Një që të ka lënë mbresa…
– Kur’ani.
– I heshtur, krenar, arrogant, përbuzës apo i rezervuar? Cili është përcaktori që bën për ty?
– Krenar.
– E përkrah largimin e shqiptarëve për të luftuar në Siri?
– Trojet tona kanë nevojë për shqiptarët që i dalin zot këtij vendi.
– Kush të detyrohet mirënjohje dhe për çfarë?
– Askënd nuk e detyroj për asgjë. Mirënjohësi mbetet mirënjohës për tërë jetën, qoftë edhe për gjënë më të vogël.
– Me ç’mendim u shtrive për të fjetur mbrëmë në darkë?
– Me shpresë që nesër të zgjohem shëndoshë e mirë.
– Çfarë mendon për të nesërmen?
– Ta gëzoj veten me fëmijë të hajrit nëse do Allahu.
– Di më shumë mënyra për të fituar para apo më shumë mënyra për të shpenzuar?
– Nëse i fitoj, kam dëshirë që t’i shpenzoj në hallall.
– Çfarë ka qenë blerja e fundit?
– Rroba blej shpesh. Sa herë që gjendem jashtë vendit.
– Imagjino diçka të bukur, të mirë, që të shkëput nga realiteti… Çfarë është?
– Fëmijëria ime.