Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ervin Baku: Gazetar i lirë, derisa të vdes!

1543489_10152246622834757_272187678_n1598265_10152246637129757_74578580_nPër 17 vjet ai ka qenë i atashuar pranë institucioneve europiane në Strasburg e Bruksel, por prej tre vjetësh i është rikthyer pasionit të tij, sportit. Sot e shohim në ekranet kryesore shqiptare dhe në shumë gazeta si analist dhe opinionist, që e thotë pa frikë dhe pa doreza atë që mendon, ndaj çdo fenomeni negativ në sportin shqiptar. “Jam njeriu më i pasur në botë dhe pasuria ime e vetme është liria e të menduarit. Them atë që mendoj dhe, kur e mendoj. Nuk i përkas, nuk i kam përkitur dhe nuk do t’i përkas kurrë asnjë klani”, thotë ai…

– Pas 17 vjetësh në Strasburg, u ktheve në Shqipëri. A ishte e vështirë rruga për në atdhe?
– Ishte një vendim jo i lehtë, por mua më pëlqejnë gjërat e vështira. Fillimisht, desha të provoja një eksperiencë të re, të paktën për një periudhe 4-5 vjeçare. Pastaj, ishte ajo shprehja e famshme, “tu pa, tu bo”. Tani ndjehem shumë mirë në mëmëdhe. Rrugën e kthimit e gjeta kollaj fare. E ku ka më mirë se të kthehesh te dy prindërit e tu të mrekullueshëm, të cilët i dua më shumë se gjithçka, në shtëpinë tënde, aty ku ke lindur dhe je rritur?!
– Edhe në Tiranë, nuk iu ndave gazetarisë…
– Gazetaria është jeta ime dhe pasioni për të, do të shuhet vetëm kur të shuhem unë. Nuk e ndërroj këtë profesion me asnjë tjetër.
– Si t’u duk Tirana kur u ktheve  pas kaq vjetësh?
– Unë jam larguar në vitin 1994, në periudhën e “kioskave”. Kur u ktheva, gjeta një Tiranë europiane. Sot, Shqipëria është një vend normal, natyrisht, me problemet e saj, më të mëdhatë prej të cilave janë ndotja e tmerrshme e ambientit dhe mentaliteti i pandryshuar. Sidoqoftë, Shqipëria ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë, shumë.
– Si e ndjen veten, si një emigrant i kthyer në shtëpi, apo si një udhëtar i përjetshëm në stacionin e radhës?
– Nuk jam ndjerë kurrë emigrant. Falë edhe profesionit, kam lëvizur dhe udhëtuar shumë në të gjithë Europën dhe në një pjesë jo të vogël të botës. Jam një udhëtar i përjetshëm dhe stacioni im i radhës është ky, Tirana jonë… e paqes dhe e kontradiktës. (Qesh)
– E ke kaluar rininë në emigracion. Si ka ndikuar kjo në personalitetin tënd? Je më tepër kozmopolitan apo patriot?
– Pak nga të dyja do të thoja, por më shumë patriot. Një pjesë të madhe të rinisë e kam kaluar këtu. Jam larguar fizikisht, por kurrë shpirtërisht. Nuk e kam prerë për asnjë sekondë kordonin ombilikal me Shqipërinë.
– Një politikan i yni do të thoshte në Parlament se “asnjë nga ne nuk ka dhënë më tepër për demokracinë sesa Ervin Baku në Strasburg”. Ndërsa në 15-vjetorin e saj (maj 2006), gazeta “Koha Jonë” të ka shpallur korrespondentin më të mirë të medias shqiptare jashtë shtetit. A je ndjerë i përkëdhelur nga këto vlerësime?
– Përsa i përket politikanit, ky është ish-ministri i jashtëm Paskal Milo dhe jam ndjerë shumë i vlerësuar për punën time. I përkëdhelur, jo. E kam kaluar me kohë atë stad. (Qesh) Korrespondenti më i mirë? Të tillë ka shumë. Pastaj, nuk më takon mua të gjykoj punën time. I takon opinionit publik dhe kolegëve. Një gjë është e sigurtë, në pozicionin tim jam përpjekur me mish e me shpirt të bëj sa më mirë punën time, të jem i saktë dhe i vërtetë. Në atë kohë ishte krenari të punoje për gazetën dhe universitetin “Koha Jonë”. Ajo ishte realisht shkolla më e mirë e gazetarisë në vend.
– Sipas teje, Shqipëria është afruar apo është akoma larg Bashkimit Europian?
– Nuk dua të abuzoj dhe unë me këtë, siç ka abuzuar dhe abuzon politika shqiptare me Bashkimin Europian dhe aderimin në të. Di të them vetëm se ne shqiptarët jemi mijëra km larg mentalitetit qytetar europian.
– Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian duket se e keni si shtëpinë tuaj. A mund të na tregoni se si trokitët aty për herë të parë?
– Gjatë viteve 1990-1994, kam punuar si përkthyes dhe shoqërues për pothuajse të gjithë gazetarët francezë dhe frankofonë që kanë ardhur në Shqipëri. Aty rashë në dashuri me profesionin e gazetarit. Në atë kohë, pata edhe fillimet e mia në gazetari, në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Sporti Popullor”. Më vonë zgjodha Francën, si atdheun tim të dytë. Kur fitova dokumentet, vendosa të instalohesha në Strasburg, pikërisht aty ku është Këshilli i Europës, Parlamenti Europian dhe Gjykata e Strasburgut. Trokita thjesht, siç duhet e aty ku duhet dhe dyert u hapën. Me punë dhe përpjekje, çdo derë hapet. Fillimisht më bënë një akreditim 3-mujor, më pas 1-vjeçar dhe për shumë vite, kam qenë i akredituar në mënyrë të përhershme pranë institucioneve europiane të Strasburgut dhe Brukselit.
– Cila është intervista më e rëndësishme që ke realizuar?
– Të tilla ka shumë, por unë edhe sot do të veçoja dy: Ato me Presidentët e Komisionit Europian, Romano Prodi dhe Zhoze Manuel Barrozo. E veçanta e këtyre intervistave ishte në faktin se zyrtarë më të lartë të Europës shpreheshin ekskluzivisht për mua një ditë para vizitave të tyre të para e të vetme respektive në Shqipëri dhe mesazhet që përcillnin ndaj Tiranës zyrtare ishin shumë të forta. Nuk mund të lë pa përmendur intervistat dhe bashkëpunimin e ngushtë 9-vjeçar me europarlamentaren Doris Pak, kritike, njohëse dhe avokate e shkëlqyer e Shqipërisë.
– A ka ndonjë ditë kur ke dhënë raportin më të mirë apo më të rëndësishëm për Shqipërinë?
– Të tilla ditë dhe momente ka shumë, por në kujtesën time unë do të seleksionoja tre: 12 qershorin 2006 kur nga Luksemburgu kam raportuar për Top Channel, direkt, firmosjen historike të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. 26 tetorin 2006, kur nga Strasburgu kam raportuar për Top Channel, po direkt, ngritjen e problemit çam në Parlamentin Europian, problem që ngrihej për herë të parë pas 62 vjetësh. Kjo bëhej akoma më e rëndësishme për vetë faktin se investova shumë duke bërë një lobing të fuqishëm në ngritjen e problemit çam. Dhe i fundit, 22 mars 2013, nga Oslo, kam raportuar për TVSH-në dhe Vizion Plus fitoren historike të Shqipërisë kundër Norvegjisë 1-0.
– Po për Gjykatën e Strasburgut, ç’mund të na thuash? Ke raportuar rregullisht, për vite me radhë, vendimet e saj, sidomos kur palë kanë qenë shtetasit shqiptarë. Si do ta përshkruaje këtë tempull?
– Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut është një juridiksion ndërkombëtar që siguron të drejtat e njeriut të më shumë se 800 milionë europianë në 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës që kanë ratifikuar Konventën Europiane Të Të Drejtave Të Njeriut. Ajo që ndryshe quhet dhe Gjykata e Strasburgut është absolutisht tempulli i drejtësisë europiane. Shqiptarët kanë fituar të drejtën e tyre në Strasburg dhe, cilido shqiptar mund të ankohet në Strasburg. Dy kushte duhen respektuar: E para, të ketë shteruar të gjitha shkallët e gjykimit në Shqipëri dhe e dyta, ankimin në Strasburg duhet ta bëjë brenda 6-muajve nga data e marrjes së vendimit të fundit në Shqipëri.
– Na trego ndonjë ngjarje që të ka lënë mbresa në këtë Gjykatë…
– Më ka lënë mbresë rasti kur në gusht të vitit 2006, katër qytetarë nga Shqipëria, për herë të parë, arritën të fitojnë një çeshtje mbi kthimin dhe kompensimin e pronave. Atyre u kishin shtetëzuar vilën dhe Gjykata e Strasburgut e dënoi Shqipërinë të paguante 126 mijë euro dëmshpërblim. Nuk mund të lë pa përmendur edhe shumë e shumë raste kur Gjykata e Strasburgut ka penalizuar drejtësinë greke në dobi të shtetasve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi.
– Sporti, sidomos futbolli, ka zënë një vend jo të vogël në raportimet dhe intervistat e tua. Ke mbuluar dy kupa bote dhe shumë evente të mëdha…
– Unë kam qenë gazetar i politikës, por sporti është pasioni im i hershëm dhe ky pasion ka bërë të mundur që të ndjek nga afër evenimentet futbollistike më madhore të planetit. Kështu kam mbuluar dy Kupa Bote, atë të Francës 1998 dhe Gjermanisë 2006, Europianin 2000, 8 finale të Ligës së Kampionëve, 3 finale të Kupës UEFA dhe disa finale të Superkupës Europiane në Monko. Ruaj kujtime shumë të bukura nga takime, biseda apo intervista me më të mëdhenjtë e topit të rrumbullakët, si: Pele, Maradona, Platini, Bekenbauer, Euzebio, Havelanzhe, Blater, Zidane, Figo, Bekham, Ronaldo, Mesi e shumë e shumë të tjerë. Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe mbulimet që i kam bërë Kombëtares sonë, kryesisht, jashtë Shqiperisë.
– Po të mund t’ia nisje sërish nga fillimi, çfarë do të bëje më mirë?
– Askush nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Unë kam gabuar shumë në jetë, por e kam thënë dhe do ta them gjithmonë: Më mirë një jetë plot gabime, sesa një jetë pa bërë asgjë. Jam i sigurtë që shumë gjëra do t’i bëja ndryshe dhe, e vetmja gjë që nuk do të ndryshoja është profesioni i gazetarit.
– Mund të dimë diçka më tepër për ty e familjen tënde?
– Jeta është gjëja më e bukur që kemi dhe këtë e kemi dhuratë nga Zoti. Unë besoj në jetën e përjetshme, me kushtin e vetëm që të besosh te Zoti. Gjithçka është krijuar prej tij. Kam jetuar, jetoj dhe do të jetoj gjithmonë me një shpejtësi të madhe. Jam kapiteni i shpirtit tim… Kam dy femijë të mrekullueshëm, Christelle dhe Bjorn, të cilët jetojnë në Strasburg, me nënën e tyre të mrekullueshme. Christelle dhe Bjorn, i dua më shumë se gjithçka në këtë botë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Mesoni gjuhen e luleve

Next Post

Andi Murra: Pse VIP-at e huaj më zgjedhin mua...

Advertisement