Seksioni Kundër Krimit Financiar, pas një hetimi disa ditor, dje rreth orëve të pasdites, bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Bardhyl Ibra, 63 vjec, banues në Elbasan, me detyrë Administrator i një studio ligjore në qytetin e Elbasanit.
Arrestimi i tij u krye pasi, në zyrën e tij e cila ndodhet pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë të Elbasanit, ky shtetas u kap në flagrancë duke i marrë 15.000 lekë shtetasit me inicialet L.K, me qëllim për të ndikuar tek përmbaruesi privat A.K, për ti krijuar atij lehtësira në shlyerjen e kredisë duke i zhbllokuar pagën e tij.
Nga ana e forcave të policisë gjatë kontrollit të ushtruar në zyrën e tij, u gjetën e iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 vula avokatie, noteresh, përkthyesish dhe shoqatash që përdoreshin nga ky shtetas në kundërshtim me ligjin për dokumenta të ndryshme drejtuar institucioneve.
Po kështu ka filluar cështja penale në gjëndje të lirë për shtetasin A.K, 47 vjec, banues në Tiranë, me detyrë pëmbarues privat pranë një shoqërie përmbaruese.
Procedimi ndaj tij filloi pasi, ky shtetas dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën duke nxjerrë urdhra sekuestrimi dhe ekzekutime të njëpasnjëshme, në kundërshtim me ligjin për pagën e shtetasin me inicialet L.K.
Po punohet për dokumentimin e plotë të këtyre veprave penale.
Ndaj shtetasit Bardhyl Ibra, rëndon akuza e ‘Korrupsionit pasiv në sektorin privat, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, fallsifikim Iivulave, stampave apo formularëve, parashikuar nga nenet 164/b, 245/1 dhe 190 i Kodit Penal”.
Ndërsa shtetasi A.K, akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 284 Kodit Penal.