Emisioni “Next” në Vizion Plus, herë pas here ka pësuar ndryshime sa u përket prezantuesve. E fundmja e tyre është Daljana Sejdia. Bukuroshja me nishanin mbi buzë (të cilin ajo e konsideron jo edhe aq të jashtëzakonshëm) tashmë e prezanton e vetme këtë emision. Daljana duket se i ka mjaft të qarta objektivat në jetë dhe në punën e saj. Edhe ndonjë tentativë të mundshme për t`i drejtuar ndonjë pyetje paksa personale, Daljana e orienton sërish te puna. Sigurisht, si një ekonomiste e ardhshme në profesion, ajo di t’i bëjë mirë llogaritë…
Enkeleda Kurcani: – Pikë së pari, ç’është ky emër, Daljana?
Daljana Sejdia: – Shumë domethënës për të gjithë familjen time. Ky emër ka ardhur si rezultat i përshtatjes së emrit të një personi të dashur, e cila fatkeqësisht nuk jeton më dhe. Me pak modifikim, vendosën të më quanin Daljana.
– U bënë dy sezone në emisionin “Next” në Vizion Plus, ndërkohë që kolegia jote bjonde, Brigite, nuk është më në “Next”. Ç`ka ndodhur, u vërtetua që janë më të zgjuara brunet?
– Ishte zgjedhje e Brigite për t’iu përkushtuar studimeve të saj në fushën e farmacisë. E kam shijuar në maksimum ndarjen e eksperiencës me të.
– E përballon e vetme prezantimin e emisionit… Është e vështirë?
– Lumturia nuk vjen duke bërë një punë të lehtë, por nga kënaqësia që merr pas përfundimit të një pune të vështirë, e cila kërkon më të mirën tonë. Nëse shumica e njerëzve thjesht ulen dhe mendojnë për suksesin, të tjerë zgjohen dhe punojnë shumë për të. Ky është motivimi im dhe asnjëherë nuk trembem nga vështirësitë apo ngarkesat në punë, përkundrazi, i shoh si sfida që angazhojnë çdo potencial timin për të dhënë maksimumin.
– Si e fitove ti të drejtën për të qenë prezantuese e “Next”?
– U njoftova nëpërmjet lajmërimit që kishte publikuar emisioni “Next”. Rrufeshëm përgatita një CV, e dërgova nëpërmjet mailit, duke u kujdesur shumë për fjalët që përzgjodha të shkruaja. Më ftuan në audicione, audicione të cilat u zhvilluan në dy seanca dhe ja ku jam, tejet e kënaqur për mundësinë që m`u dha.
– Ishte formula e tillë, për të qenë një bjonde dhe një brune?
– Produksioni nuk e kishte menduar si të tillë; qëlloi që u përzgjodhëm pikërisht ne, njëra brune dhe tjetra bjonde. Pra, ishte e gjitha një rastësi e këndshme.
– Prezanton vetëm në studio apo puna është e ndërthurur me xhirime, brenda dhe jashtë studios?
– Një ndërthurje fantastike, brenda dhe jashtë. Sezoni i ri i “Next” ka startuar me një risi në prezantim, ku dita e premte do t`u dedikohet, në javët në vazhdim, intervistave me personazhe të njohur shqiptarë. Krahas intervistave, inserte të reja i janë bashkangjitur formatit për të sjellë më shumë variacion e informacione interesante për publikun e “Next”.
– Do të kesh edhe një partnere në krah në vazhdimësi?
– Çdo gjë varet nga formula me të cilën do të prezantohet “Next”, në këtë sezon.
– Do të doje të ishte partner apo partnere dhe pse?
– Do të doja të ishte si ish-kolegët e mi, nuk përbën aspak problem fakti i të qenit partner apo partnere. Bashkëpunoj shumë mirë si me njërin, ashtu edhe me tjetrin.
– Në përgjithësi, i ke marrëdhëniet më të mira me vajzat apo me djemtë?
– Rrethi im shoqëror përbëhet si nga vajzat, ashtu edhe nga djemtë. Miti i famshëm që flet për një shoqëri më të mirë mes një djali dhe një vajze, besoj se bie poshtë në rastin tim. Kjo, pasi unë në përgjithësi orientohem drejt mikeshave, te të cilat gjej një natyrë më të ndjeshme e më inkurajuese.
– Kush është mikesha jote më e mirë?
– Mikesha ime më e ngushtë është pa dyshim, motra ime. Ajo është shumë “unë” dhe njëkohësisht, shumë e ndryshme nga unë. Një person ku i gjej të dyja, diçka e ndërmjetme…
– “Shefe” në “Next” është Orinda Huta. Si është ta kesh shefe Orindën?
– Një citat thotë “A leader lead and the Boss drives”. Orindën unë e përkufizoj si një lider dhe jo thjesht një shefe. Ndjehem e privilegjuar që punoj me të, me një vajzë plot vizion dhe pasion, të cilin e përçon pa kursyer, thellë te ne.
– Kjo nuk është eksperienca jote e parë në televizion, apo jo?
– Daljet e mia në televizion kanë qenë shumë të hershme, që në moshën 8-vjeçare në një kompeticion kërcimi, për të vazhduar me dalje në programe të ndryshme për fëmijë dhe eksperienca pune të ngjashme me këtë të “Next”.
– Gjithnjë me emisione për të rinj je angazhuar… Rritja në moshë e audiencës së emisioneve që do të prezantosh, do të jetë paralelisht edhe me rritjen e moshës tënde?
– Nuk është e thënë që gjërat shkojnë sinkron, moshë-audiencë. Megjithatë, e ardhmja varet nga ajo që ne bëjmë tani. E ardhmja fillon sot, jo nesër dhe sot është “Next”!
– Është e ndaluar që një femër të pyetet për moshën, por nëse të pyes për studimet, nuk është problem. Pastaj, kush do, i bën vetë llogaritë e moshës…
– (Qesh) Jam studente pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, ndjek vitin e dytë.
– Ndërsa për të pyetur në lidhje me një histori dashurie, nuk është e ndaluar… Besoj se është e qartë pyetja…
– Momentalisht, jam e fokusuar në studimet dhe punën, të cilat realisht kërkojnë përkushtim maksimal dhe përballimi me sukses i tyre përbën një sfidë. Koha ime nuk favorizon më shumë.
– Nishani i famshëm që ke në buzë, besoj se nuk ka kaluar pa u vënë re nga vëzhguesit e hollë… Komentohet shumë ai?
– Është thjesht një nishan, i cili mund të ishte kudo tjetër në fytyrë.
– Kur je e re në një ambient pune, sidomos kur je edhe një vajzë e bukur, nuk mungojnë komplimentet lart e poshtë. Janë dhe këto pjesë e ditës tënde në punë?
– Komplimentet më të bukura dhe që unë vlerësoj më shumë nga kolegët, janë ato që i drejtohen punës dhe aftësive që unë shfaq. Ambienti në mjediset e Vizion Plus është tejet i ngrohtë dhe nuk kursehen asnjëherë komplimentet për rezultatet e arritura.
– Cili është ai rregull që i përmbahesh me fanatizëm në punë?
– Puna që unë kam zgjedhur është ajo që kam dashur gjithnjë, andaj rregulli im kryesor është të jem vetvetja. Të punoj shumë për të dhënë më të mirën, sigurisht konform rregullave klishe si përgjegjësia, korrektësia, fryma e mirë e bashkëpunimit etj. Gjithashtu, vetëdisiplinimin e konsideroj gjithmonë një parim të rëndësishëm.
– Prezanton një emision në bazë të të cilit është muzika. Po ti vetë, ç’muzikë pëlqen? Cilët janë këngëtarët e tu të preferuar?
– Shijet e mia muzikore kanë shumë varietete, bazuar edhe në gjendjen time emocionale. Dëgjoj çdo lloj muzike, që nga hitet e reja të çdo rryme dhe rikthime pas në kohë të këngëve gold. Këngëtarë të preferuar kam shumë, por mund të përmend: Rihana, Bijonse, Farrel Uilliams, Drejk e shumë e shumë të tjerë.
– E mbyllim me një këshillë që u jep moshatareve të tua, sa i përket punës në televizion…
– Talenti dhe aftësia që karakterizon çdo të ri, për të qenë pjesë e televizionit, duhet të vihet në punë. Ajo që bën dallimin mes një individi të talentuar dhe një tjetri të suksesshëm është puna, shoqëruar me një vullnet të hekurt. Çdo i ri duhet të besojë te vetja dhe të punojë shumë, në mënyrë që të bëhet personi që gjithnjë ka ëndërruar të jetë.
Advertisement