Çfarë ju ngre nervat? Kundër kujt drejtohet zemërimi juaj: Vetes, të tjerëve apo botës, padrejtësive dhe absurditeteve të saj? Ky test do t’ju mundësojë të identifikoni burimin e zemërimit tuaj, për ta vënë më nën kontroll. Psikologu ynë më pas do t’ju japë disa pista, për ta qetësuar…

1. Në restorant, një kamerier nuk ju kushton vëmendje. Mendimi juaj i parë:
a. Nuk e çan kokën për mua.
b. Më ka harruar.
c. Nuk e bën si duhet punën e tij.

2. Për të qetësuar zemërimin tuaj:
a. Flisni me dikë ose shkruani atë që ndjeni.
b. Rrini mënjanë, për t’u relaksuar dhe menduar.
c. Përpiqeni të mendoni për gjë tjetër, të merreni me diçka.

3. Nëse vazhdojnë gjatë, drejt ç’lloj ndjenje do t’ju shtynin zemërimet tuaja:
a. Paranojës (“Nuk mund të kesh besim tek askush”)
b. Depresionit (“Diçka nuk shkon tek unë”)
c. Mizantropisë (“Botë m…”)

4. Deviza juaj:
a. “Nuk dua t’ia di nëse më duan, dua të më respektojnë”.
b. “Nuk dua vetëm të më duan, por edhe të më respektojnë”.
c. “Dua vetëm të më duan”.

5. Një shok nuk ju merr në telefon, me gjithë mesazhet që i keni çuar…
a. Nervozoheni: “Mund të bënte një përpjekje!”.
b. Pyesni veten: “Ç’të keqe kam bërë? Mos i ka mbetur hatri për diçka?”
c. Jeni e zhgënjyer: “Nuk mund të mbështetesh te të tjerët…”

6. Nëse zemërimi juaj ka vajtur shumë larg dhe keni thënë fjalë të ashpra:
a. Zemëroheni ndaj atij që jua ka shkaktuar një gjendje të tillë.
b. Ndjeheni në siklet kundrejt personit që ka pësuar humorin tuaj të keq.
c. Keni frikë se lidhja do të jetë dëmtuar në mënyrë të pandreqshme.

7. Në një plazh të qetë, një familje shumë e zhurmshme vjen e ulet pranë jush. Ju i thoni vetes:
a. Po vete t’i pyes mos duan të ulen edhe në peshqirin tim!
b. Epo mirë, po vete unë pak më larg…
c. Do t’i bëj të largohen duke u hequr si e çmendur: Duke bërë zhurma të çuditshme me gojë, duke folur me vete…

8. Keni qenë dëshmitar/e e një padrejtësie dhe nuk keni ndërhyrë. I thoni vetes:
a. Pse nuk lëvizi asnjeri?
b. Pse nuk bëra gjë unë?
c. Pse njerëzit janë kaq të dhunshëm dhe të këqinj?

9. Në punën tuaj, ju zemëron më shumë…
a. Bllokimi: Ju kanë penguar të flisni në mbledhje.
b. Dështimi: Nuk e keni gjetur dot zgjidhjen e një problemi profesional.
c. Padrejtësia: Një koleg më pak kompetent është ngritur në karrierë në vendin tuaj.

10. Njerëzit që ju zemërojnë më shumë janë:
a. Egoistët (që nuk u kushtojnë vëmendje të sinqertë të tjerëve).
b. Mashtruesit (që i marrin të tjerët për budallenj)
c. Arrogantët (që i shohin të tjerët nga lart-poshtë).

Rezultatet:
Nëse keni më shumë përgjigje a. Ju zemëroheni me të tjerët
Mungesa e respektit, vlerësimit, konsideratës, bile edhe në detajet më të vogla, ju zemërojnë shumë. Keni kërkesa shumë të larta ndaj njerëzve që ju rrethojnë. Nuk kërkoni vlerësim apo admirim (megjithëse nuk e përbuzni këtë!), por mendoni se i detyrohemi njëri-tjetrit një minimum mirësjelljeje në marrëdhëniet njerëzore. Për ju, respekti reciprok është e vetmja mënyrë për të jetuar në shoqëri dhe për të qenë mirë nga gjendja shpirtërore. Kjo, sepse vlerësimi i të tjerëve është burim vlerësimi edhe për veten dhe shumë prej zemërimeve tuaja janë të lidhura me këto lëndime. Nëse nuk ju respektojnë, ju mendoni se nuk ia vlen t’ju respektojnë, gjë që nuk i pëlqen askujt. Ju rrezikoni të futeni shumë shpejt në konflikte. Është normale të mos e pranosh mungesën e respektit, por ka raste që ajo nuk bëhet me qëllim, por për hutim, neglizhencë… Nëse në një situatë zemërimi juaj është i dobishëm sepse e bën lidhjen të evoluojë, ka nëntë situata të tjera ku ai është helmues dhe e dëmton lidhjen, duke e vënë atë mbi bazat e fyerjes dhe mosbesimit reciprok.
Çfarë të bëni: Vazhdoni të jeni të ndjeshëm përsa i përket cilësisë së mirë të lidhjeve dhe respektit reciprok, por në rastin e një lëndimi (ose të ndjenjës subjektive të lëndimit!), përpiquni më parë të kuptoni çfarë e shtyn tjetrin të sillet në këtë mënyrë, të relativizoni deri në ç’pikë është e rëndë për ju kjo dhe të reflektoni në mënyra të tjera veprimi: Duke folur me tjetrin, duke i shprehur ndjenjën tuaj…

Nëse keni më shumë përgjigje b. Ju zemëroheni kundër vetes
Kur dështoni ose mendoni se dështoni, kur ju kritikojnë, ose kur ju është krijuar kjo përshtypje, juve ju pushton zemërimi, sidomos ndaj vetes suaj. Jeni i/e aftë të jeni i/e butë dhe mirëkuptues/e ndaj të tjerëve, por ndaj vetes jeni i/e rreptë dhe kërkues/e. Nganjëherë bile tregoheni të dhunshëm dhe shfaqni dëshirën për të dënuar veten, për t’i bërë keq asaj. Keni kërkesa shumë të larta ndaj vetes. Pas zemërimit tuaj, qëndrojnë frikërat tuaja: Se mos zhgënjeni, se mos nuk jeni në lartësinë e duhur, se do t’ju gjykojnë keq, etj. Nuk është vetëm dëshira për të vepruar si duhet që ju vë në një presion kaq të madh, por edhe frika se mos veproni keq. Nga kjo lind nevoja për t’u mbrojtur, duke mos dështuar kurrë.
Problemi juaj është së pari ai i perfeksionizmit lodhës dhe absurd. Vija e hollë që e ndan të “mirën” nga “e përkryera” do t’ju sjellë shumë stres. Kështu, pra, mund të merrni flakë shpejt, duke ndjekur ekuacionin e njohur: Stres+dështim=zemërim të shpejtë. Kur kjo ndjenjë largohet, ju lë të brishtë dhe të destabilizuar emocionalisht, sepse u hap rrugën gjendjeve shpirtërore të dhimbshme dhe këmbëngulëse (shqetësimit, trishtimit, ndjenjës së fajit…).
Çfarë të bëni: Ruajeni shqetësimin që keni për t’i bërë mirë gjërat, por si një ideal dhe jo si një kërkesë. Pranojini të metat tuaja me buzëqeshje dhe jo si një dënim. Pastaj, nëse është e rëndësishme për ju, përpiquni t’i bëni të evoluojnë, por mos harroni se për një periudhë të gjatë kohe, ndryshojmë më mirë në një mjedis të butë sesa në një klimë dhune. Me një fjalë, më mirë vetëkuptim sesa vetëdënim. Dhe, mos e dhunoni veten, jeta është goxha e dhunshme edhe pa këtë…

Nëse keni më shumë përgjigje c. Ju zemëroheni kundër botës dhe shoqërisë
Ka shumë gjëra në botë që ju nervozojnë dhe ju revoltojnë: Dhuna kundrejt më të dobtëve, padrejtësia dhe budallallëku në të gjitha format e tij… A është ky një lloj idealizmi? A vjen zemërimi juaj nga fakti se do të donit një botë ndryshe? Po, sigurisht, por nuk është vetëm kjo. Ajo që ju zemëron është gjithashtu bindja se mjafton pak gjë, pak përpjekje nga të gjithë ne, që jeta këtu të jetë më e bukur, më e lehtë, më e drejtë. Ju do të donit më pak pasivitet dhe indiferencë përballë egoizmit dhe dhunës. Ju e shihni dhunën si një vegël për të ndryshuar botën: “Nëse askush nuk reagon, nuk thotë gjë, gjithçka do të vazhdojë kështu si është…”.
Ky zemërim mund të jetë i shëndetshëm, me kusht që të kanalizojë shumë shpejt energjinë e tij të madhe në vendim, që bota të ndryshojë dhe jo të kthehet në sharje e stërbetime, të brendshme apo të jashtme. Ne mësohemi shpejt me zemërimet e përsëritura që janë të padobishme. Zemërimi është një sinjal i mirë alarmi, por qetësia më pas, me kalimin e kohës, përfaqëson një karburant më të mirë për veprimet tona.
Çfarë të bëni: Bota është e gjerë dhe e larmishme. Përpiquni të pranoni diversitetin e mendimeve te qeniet njerëzore, ashtu siç pranoni biodiversitetin edhe në natyrë (po, ekzistojnë grenxat, gjembaçët dhe ciklonet) sepse të pranosh, nuk do të thotë të aprovosh apo të dorëzohesh, por të përgatitesh për të vepruar më mirë, pa zemërime dhe gjeste të padobishme, duke e riinvestuar energjinë e zemërimit në motivim dhe angazhim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *