Ciroza është një sëmundje e rëndë e mëlçisë, me evolucion të ngadaltë, zakonisht, pasojë e një patologjie të mëlçisë. Megjithatë, shkaku i saj kryesor mbetet konsumimi i tepruar i alkoolit, bile edhe para hepatiteve virale kronike. Atëhere, cilat janë shenjat paralajmëruese dhe cilat, trajtimet e mundshme? Lexoni përgjigjet e mjekut hepatolog.
– Së pari, çfarë është ciroza?
– Termi “ciroza e mëlçisë” vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë zverdhje. Ciroza është një sëmundje kronike e mëlçisë që vjen si pasojë e një sëmundjeje tjetër hepatike dhe që mund të ndërlikohet, duke u kthyer në kancer të mëlçisë. Ciroza shkakton degjenerimin e indeve të mëlçisë. Hepatocitet, qelizat e mëlçisë, shkatërrohen progresivisht dhe zëvendësohen nga fibroza. Mëlçia bëhet e fortë, zmadhohet dhe, mbi të gjitha, nuk e luan më siç duhet rolin e saj. Një mëlçi e shëndetshme ka për funksion të rikuperojë ushqimet e thithura nga zorrët, për t’i transformuar në energji të nevojshme për të gjitha qelizat e trupit. Ajo gjithashtu prodhon lëngun biliar, që është i nevojshëm për tretjen e yndyrnave. Ciroza e mëlçisë, pra, prek qelizat e saj, duke i kthyer në fibrozë. Për pasojë, kemi pamjaftueshmërinë hepatike. Në mëlçi, gjithashtu, mund të formohen nodulet e rigjenerimit. Këto nodule (grup i çrregullt qelizash) shfaqen kur qelizat e mëlçisë përpiqen të vazhdojnë funksionimin, por nuk ia dalin dot siç duhet dhe rigjenerimi i tyre është anarkik, pa lidhje me enët e gjakut. Kështu, çrregullohet qarkullimi i gjakut, pra, gjithë mikro-qarkullimi. Në një mëlçi normale, gjaku vjen me anë të venës sjellëse deri në qelizat hepatike, para se të niset në venat e zemrës. Në rastin e cirozës së mëlçisë, ky qarkullim pengohet nga fibroza, që krijon një hipertension të venës dhe shkakton daljen e variçeve, kryesisht, të variçeve të ezofagut, tipike të cirozës.
– Cilat janë shkaqet e cirozës?
– a. Shkaku i parë është alkooli. Konsumimi i rregullt i alkoolit për 10-15 vjet është shkaku i parë i shfaqjes së cirozës. Shfaqjen e sëmundjes e përcakton raporti mes sasisë së alkoolit të marrë dhe kohëzgjatjes së helmimit me alkooli. Megjithatë, pragu i tolerancës nuk është i njëjtë për të gjithë, pasi secili reagon në mënyrë të ndryshme.
b. Hepatitet virale, sidomos hepatitet B dhe C në formën e tyre kronike. Ciroza, në këtë rast, është pasojë e një ndërlikimi të vonshëm të hepatiteve kronike.
c. Më rrallë janë sëmundjet metabolike, si hemokromatoza (mbingarkesë e hekurit), ose e sëmundjes së Uilsonit (mbingarkesë me bakër), të cilat mund të shkaktojnë cirozën. Në raste shumë të rralla, ciroza mund të jetë një sëmundje autoimunitare. Është vetë organizmi që e shkatërron mëlçinë, duke e parë si trup të huaj.
– Cilat janë shenjat klinike?
– Shenjat klinike të cirozës janë të shumta, si për shembull lodhja, humbja e oreksit, dobësimi dhe shenja të tjera më të dukshme. Le t’i marrim me radhë:
a. Vëllimi i mëlçisë shtohet. Në gjuhën mjekësore, kjo quhet hepatomegali. Mjeku mund ta vërë re gjatë prekjes së mëlçisë, pasi ajo është e fortë, me një anë të “mprehtë”.
b. Ngjyra e lëkurës dhe e mukozave mund të bëhet e verdhë, me një ikter (verdhëz).
c. Mbi lëkurë mund të shfaqen angiomat stelare, mini-variçe në formën e një ylli.
d. Mund të shfaqet një eritemë palmare: Pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve bëhen më të kuqe.
e. Hipokratizma dixhitale: Deformimi i gishtave dhe thonjve në formën e shkopave të daulles. Thonjtë bëhen të rrumbullakosur dhe të përthyer në majë.
f. Në bark, mund të shfaqen variçe.
g. Në stadin e përparuar, barku mbushet me lëng dhe grumbullohet lëng intra-abdominal, sidomos në kavitetin peritoneal.
h. Mund të ndryshojë gjithë morfologjia e trupit. Në stadin e përparuar, personi që vuan nga ciroza, nuk njihet: Barku fryhet shumë, ndërsa këmbët hollohen.
– Cilat janë shenjat biologjike?
– Gjatë analizës së gjakut, shfaqet:
a. Një pakësim i qelizave të kuqe të gjakut (anemi).
b. Dëmtohet funksioni i koagulimit të gjakut, me një rënie të faktorëve të koagulimit, nivelit të protrombinës dhe faktorit V.
c. Kemi një ulje të albuminës, pra, hipo-albuminemi.
Gjatë analizave mikrobiologjike, mund të tregohet prania e virusit të hepatitit B dhe C, në rastin e një ciroze të lidhur me një hepatit viral. Pasi sheh që bilanci hepatik nuk është në rregull, mjeku do të kërkojë të bëhen edhe analiza shtesë.
d. Një ekografi e barkut tregon rritjen e volumit të mëlçisë dhe ndryshimeve të saj në formë e strukturë.
e. Një endoskopi ose fibroskopi gastrike. Me anë të saj, mjeku kërkon praninë e variçeve në nivelin e ezofagut. Këto variçe, nëse çahen, mund të shkaktojnë hemorragji të rënda. Ato duhen trajtuar, që të evitohet çarja.
f. Për një diagnostikim të sigurtë, nevojitet një biopsi e mëlçisë. Merret një mostër indesh mëlçie dhe analizohet, gjë që bën të mundur të dallohet fibroza dhe nodulet e rigjenerimit.
– Nuk ka ndonjë mënyrë tjetër përveç biopsisë, për t’u siguruar për praninë e cirozës?
– Kohët e fundit po përdoret një metodë moderne për zëvendësimin e biopsisë. Ajo quhet fibroskan. Sa më e fortë të jetë mëlçia, aq më shumë fibroza ka dhe aq më shumë është e përparuar ciroza. Deri tani, vetëm biopsia tregonte praninë e fibrozës dhe noduleve. Fibroskani bën të mundur të verifikohet elasticiteti i mëlçisë. Fibroskani përdor një teknologji të re që quhet elastometria me impulse. Bëhet fjalë për një lloj vibracioni (ultratinguj), dërguar nga aparati, që përhapet në sipërfaqe të lëkurës dhe shkon deri te mëlçia. Sa më i shpejtë të jetë shoku, aq më e fortë është mëlçia. Matja është e shpejtë, pa dhimbje dhe jo invazive (domethënë, jo si biopsia). Matja bëhet për pesë minuta. Me një fjalë shpikja e fibroskanit bën të mundur të ndjekësh evolucionin e cirozës, pra, edhe efikasitetin e trajtimeve të përdorura. I vetmi problem: Në rast obeziteti, ose fryrjeje shumë të madhe të barkut, matja nuk është e saktë, bile është e pamundur.
– Cilat janë ndërlikimet e cirozës?
– Pasi është diagnostikuar ciroza, i sëmuri duhet të ndiqet rregullisht nga mjeku, sepse megjithëse evolucioni i saj është i ngadaltë, ndërlikimet mund të jenë fatale. Tre ndërlikime janë të mundshme, ndër të cilat, më e rëndësishmja është:
a. Ashiti. Bëhet fjalë për një grumbullim të lëngut në bark dhe, më saktësisht, në kavitetin peritoneal, një zonë që normalisht, është bosh. Megjithëse ashiti nuk shkakton dhimbje, ai karakterizohet nga një shtim i madh i vëllimit të barkut. Lëngu mund të shkohë deri në pleurë (cipa që vesh mushkëritë), duke shkaktuar një pleurit.
b. Encefalopatia hepatike. Bëhet fjalë për probleme neuropsikiatrike. Llogaritet që 20% e të sëmurëve me cirozë zhvillojnë një encefalopati hepatike. Ajo mund të shkaktojë probleme me sjelljen, veçanërisht me konfuzion, çorientim dhe inkoherencë, somnolencë (kur do të flesh gjithë kohën) e gjithashtu, me dridhje. Në rastet më të rënda, mund të biesh në koma.
c. Kanceri i mëlçisë. Mund të mos kesh asnjë simptomë për shumë vjet me radhë, derisa shfaqen shenjat e para. Është pra e rëndësishme të ndiqet nga afër evolucioni i cirozës, për ta diagnostikuar sa më herët një kancer të mundshëm mëlçie dhe për ta trajtuar para se të shfaqë metastazat. Duhet patur parasysh se secila nga këto ndërlikime që thamë më lart, mund të ndërlikohet edhe më tej…
– Cilat janë trajtimet mjekësore të cirozës?
– Nuk ekzistojnë deri më sot trajtime që bëjnë të mundur shërimin e cirozës së mëlçisë, pasi dëmtimet e saj janë të pakthyeshme. Megjithatë, është e mundur të ngadalësohet, bile edhe të ndërpritet evolucioni i sëmundjes. Kur ciroza diagnostikohet mjaft herët, indet hepatike nuk janë kthyer ende në fibrozë dhe mund të rigjenerohen. Dëmtimet atëhere mund të stabilizohen.
a. Gjëja e parë që duhet bërë, është ndalimi i menjëhershëm dhe krejtësisht i alkoolit. Kur ndërlikimet janë shfaqur, duhet bërë së pari trajtimi i tyre, për shembull me ilaçe diuretike për të trajtuar ashitin, me ilaçe betabllokues për të kufizuar rrezikun e hemorragjinë në rastin e variçeve të ezofagut, ose trajtimeve antivirale, në rastin e hepatiteve, etj.
b. Kur dëmtimet janë shumë të mëdha dhe mëlçia nuk funksionon fare, duhet bërë transplantimi i mëlçisë.
Duhet ditur se mëlçia është i vetmi organ i trupit që mund të rigjenerohet. Është pra e mundur të bëhet një transplant mëlçie, duke marrë një pjesë mëlçie nga një dhurues i gjallë dhe kompatibël. Megjithatë, në shumicën e rasteve, transplanti bëhet me mëlçinë e një dhuruesi që është në gjendje kome (vdekje cerebrale). Bëhen dy ndërhyrje njëkohësisht: Marrja nga dhuruesi dhe heqja e mëlçisë së sëmurë te pritësi. Atëhere bëhet transplanti i mëlçisë.
– Si mund të parandalohet ciroza?
– Parandalimi i cirozës ka lidhje me parandalimin e shkaqeve të saj. Ndërprerja e konsumimit të alkoolit është i domosdoshëm në rastin e diagnostikimit me cirozë. Mendohet se konsumimi i përditshëm i 2-3 gotave me pije alkoolike te gratë dhe 3-4 gotave te burrave për 10 vjet, është i mjaftueshëm për të provokuar një cirozë. Parandalimi bëhet gjithashtu me përdorimin e ilaçeve antivirale në rastin e hepatitit B ose C. Hepatiti B i patrajtuar, çon patjetër në cirozë. Parandalimi i mirë bëhet edhe duke aplikuar të gjitha masat e parandalimit të hepatiteve: Vaksinimet, marrjen e masave të higjienës për shembull te dentisti, kur bën një tatuazh apo pirsing, si dhe mbrojtjen gjatë marrëdhënieve seksuale.
Në fund, për të mbrojtur mëlçinë, në rastin e cirozës, duhet të mbroheni nga produktet kimike helmuese, duke filluar që nga ilaçet helmuese për mëlçinë, si paracetamoli… Këto duhet t’i diskutoni me mjekun hepatolog, i cili duhet t’ju evitojë ilaçet që dëmtojnë mëlçinë.