– Përshëndetje Dr. Vali! Kam shumë probleme me jashtëqitjen dhe me fryrjen e barkut. U bënë nja tre javë që kam fryrje në bark dhe dal jashtë një herë në tre ditë e me vështirësi. Jam 26 vjeçe dhe s’e kam patur më parë këtë problem. Nuk ha shumë dhe pi pak ujë, por nuk e kuptoj këtë lloj kapsllëku. Kam përdorur një ilaç me emrin Flagyl dhe lëngje të ndryshme apo vajra që jepen për kapsllëkun, por nuk shoh asnjë rezultat. Ju lutem, më thoni, si duhet të veproj? A duhen bërë analiza? Nga se vjen ky kapsllëk? Çfarë e shkakton, zakonisht? Kam filluar të shëndoshem dhe kjo gjë s’më pëlqen aspak.
Dr. Valdete Malaj, gastro-hepatologe: – E nderuar 26 vjeçare! Së pari, duhet gjetur shkaku i kapsllëkut, pra, çfarë ka ndikuar që në këtë periudhë u shfaq, gjë të cilën ne mund ta bëjmë vetëm me anë të vizitës. Nuk e kuptoj se përse e keni marrë flagylin, pasi edhe ai jep konstipacion. Prandaj, është e rëndësishme një vizitë e hollësishme dhe analizat e nevojshme për të ekzaminuar shkakun dhe gjetur diagnozën, në mënyrë që të merrni mjekimin e duhur. Një rëndësi të veçantë duhet t’u kushtoni edhe ushqimeve që konsumoni e të pini sa më shumë lëngje.