Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Arben Ristani: “Kam sakrifikuar për demokracinë”

Kaso Kosa: – Si e përjetuat kongresin e Partise Demokratike?

Arben Ristani: – Ishte një kongres i jashtëzakonshëm! Mbi 7500 delegatë nga e gjithë Shqipëria erdhën në Tiranë. Vetëm 1500 nga ata u futën në sallë, ndërsa të tjerët qëndruan në lulishten rreth pallatit, te Piramida, rreth Europa Park dhe madje disa sfiduan edhe kryeministrinë, sepse qëndruan e fjetën në lulishten prapa Kryeministrisë, duke i bërë sfidë Edvin Ramës që i shikonte e nuk ia mbante të jepte urdhër që t’i largonin, sepse e dinte që do të kishte plasur kryengritja e pëdëistëve. Delegatët që rrinin jashtë sallës së kongresit, ndiqnin zhvillimin e punimeve përmes altoparlantëve dhe me aipade, duke kthyer edhe ndonjë birrë të ftohtë me qofte zgare në tezgat e ngritura posaçërisht nga vetë Basha dhe të paguara nga partia.
– Po votimi, si u bë, se thuhet se vetëm ata që ishin në sallë votuan për këshillin dhe statusin?
– Ishte një votim i mrekullueshëm! Pati pesë risi ky kuvend dhe kjo, në saje të aftësive organizuese të zotit Basha. Së pari, përfaqësimi; nga një delegat për çdo 250 anëtarë që thirreshin dikur, Basha solli një delegat për çdo 10 anëtar. Së dyti, meqenëse salla merrte 1500 delegatë, votimi ishte risi më vete. Çdo delegat që ishte në sallë, kishte siguruar katër prokura nga ata që ngelën jashtë sallës dhe votonte në emër të të katërve. Risia e tretë ishte se komiteti drejtues u freskua me gjak të ri nga punonjësit e bashkisë së Tiranës, nga e cila dolën plot 51 anëtarë që i rekomandoi Odeta e bashkisë. Risia e katërt, ishte fakti që zoti Basha dha urdhër të digjen fletët e votimit, ashtu siç u dogjën fletëvotimet e zgjedhjeve të vitit 2009, për të mos krijuar ankesa të kota nga ndonjë qejfmbetur apo karrigethyer. Risia e pestë ishte se kongresin këtë herë e drejtoi zoti Basha e jo zoti Berisha, siç pritej nga kundërshtarët tanë politikë.
– Ky kongres, vërtet pati shumë prurje të reja në këshillin kombëtar…
– Pati aq shumë sa mendoj se ky këshill do të quhet këshilli i të rinjve të PD-së. Madje pati edhe nga ata që nuk ishin as anëtarë të partisë, por me futjen në këshill, do të marrin edhe teserat e partisë.
– Media shkroi se fjala e Doktorit la më shumë mbresa sesa fjala e Lulzim Bashës…
– Fjala e Doktorit është programi i ardhshëm i partisë, sepse çdo fjalë e fjali, ishte sentencë filozofike dhe që do të studiohet me laps në dorë nga çdo anëtar i partisë. Aq fjalim interesant dhe i mrekullueshëm ishte, sa Lulit që nuk qan kurrë, i rrodhën lot. Kaq u desh dhe filluan të lotonin të gjithë delegatët, sidomos Majlinda Bregu, mbushi disa shami me lot. Erla dhe Silvi nuk përmbaheshin, më keq se më 26 qershor, kur Doktori dha dorëheqjen. Qau edhe Jozefina, ajo grua e hekurt që përballoi tetë vjet me radhë presionin e opozitës socialiste. Të them të drejtën, edhe unë që e mbaj veten për të fortë, gjatë fjalës programatike të Doktorit u mallëngjeva dhe, për të fshehur dobësinë time njerëzore, dola nga salla dhe i futa nja dy dopio uiski sa për qetësim.
– Meqë erdhi fjala te pija, mediat ju akuzojnë se dilni shpesh i dehur në foltoren e Parlamentit dhe në komunikata për shtyp, në emër të partisë suaj. Si qëndron e vërteta?
– Më akuzojnë kot si pijanec sepse unë jam pijetar dhe këto koncepte ndryshojnë shumë nga njëra-tjetri. Por po ju tregoj një histori: Një shofer, pasi piu dy dopio raki, niset me makinë, por rrugës i del përpara një lumë dhe iu dukën dy ura. Nuk dinte se cila ishte e vërteta dhe cila e rremja. Si u mendua pak, i ra hiles. Me dy dopio dalin dy ura. Po pi një të tretë, tha dhe e ktheu. Hapi sytë dhe i dolën tre ura. I lumtur u fut në urën e mesit dhe doli përtej. Edhe puna ime me pijen kështu është; kur jam esëll, ose kam pirë vetëm dy dopio, ato që më shkruan Doktori më dalin të dyzuara. Kur i fus dopion e tretë, dalin tre rreshta. Unë lexoj të mesit dhe del tamam ajo që shkruan Doktori.
– Me zotin Rama ju patët një konflikt në takimin e nivelit të lartë që drejtohej nga zoti Stefan Fyle. Si ndodhi?
– Unë po lexoja përpara zotit Fyle ato që më dërgoi Doktori me mesazh, ku thuhej se pozita e ka mbushur parlamentin me njerëz të inkriminuar, kur Rama më quajti “burgaxhi” duke më ulur prestigjin në sy të mikut çek. Aty nuk u përmbajta dhe e shava vendçe. Mirëpo ai është konfliktual i lindur. Ai e ka në gjak dhunën që e ka treguar edhe kur rrahu Kastriot Islamin, edhe kur i dha veshin në dorë Egin Cekës në mes të Vjenës, por edhe kundër meje. Rama, në sy të mikut çek, jo vetem më tha “burgaxhi”, por edhe ngriti grushtin të më godiste. Shyqyr që u ndodh mes tij dhe meje Majlinda Bregu që me vigjilencë u ngrit në këmbë dhe i mbajti dorën, se desh e hëngra si Strazimiri dhe Egin Ceka. Më ruajti Zoti! Ndërkohë, zoti Stefan Fyle u hutua, por edhe u skandalizua nga grushti i Ramës që ngeli pezull, kurse Edi Halimi u revoltua dhe desh hipi mbi tavolinë që të godiste Ramën. Shyqyr që unë jam gjakftohtë dhe e frenova Halimin, të cilit i hipi gjaku në tru dhe për pak mund të kishte ndodhur një kasapanë e vërtetë. Aty unë u binda se Doktori ka të drejtë kur thotë se ka një skenar jo thjesht për ndëshkim fizik të opozitës, por edhe për eleminimin e saj nga skena politike shqiptare…
– Socialistët ju akuzojnë, madje kanë ribotuar edhe një intervistë të Martin Lekës lidhur me burgun tuaj…
– Unë kam qenë vërtet në burgun 313, siç shkruan Leka, por jo si i burgosur i vërtetë. Kam qenë i infiltruar nga Gazidede dhe Doktori për të parë nga brenda se cilët ishin armiqtë e betuar të Doktorit dhe cilët ishin të penduarit. Me këta të dytët, ai veproi me dashamirësi, sepse i rimori në parti, u dha poste e detyra e i mbajti pranë, siç ka bërë me Imamin, Cekën, Islamin, Pollon apo së fundi, me Edi Selamin. Edhe Martinin dhe Aleksandrin i fali dhe madje i shpërbleu. Mua më revolton pikërisht fakti se pozita e sotme nuk ma di për nder shpirtin patriotik dhe sakrificën që bëra për demokracinë, duke vajtur vullnetarisht në burg, po përkundrazi, mundohen të më përbaltin.

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

ATA QE NUK INTERVISTUAM DOT KETE JAVE. Nga Artan KRISTO

Next Post

Më ka hyrë në zemër një i panjohur

Advertisement