Amina nuk është një emër krejt i panjohur për publikun sepse me siguri, fytyrën e saj e keni parë nëpër sete fotosh, kalendarë apo sfilata mode. Por, me pamjen e saj engjëllore, Amina nuk mund t’i shpëtonte syrit përzgjedhës të Agon Channel, që e ka bërë pjesë të tij, si njërën nga velinat e emisionit “Ça thu”…
M.B.: – Amina, zgjedhja si velinë, ishte rastësore apo diçka që po e kërkoje?
Amina Shena: – Rastësore! (Buzëqesh)
– Ishte moda ajo që “përdore”, për t’u futur në televizion?
– Po, sepse si moda, ashtu dhe televizioni, janë të lidhura me njëra-tjetrën.
– Çfarë të dha Agoni?
– Mundësinë për të qenë pjesë e tij dhe për të hedhur hapat e parë në një televizion.
– Çfarë pret të të sjellë kjo përvojë?
– Një eksperiencë të bukur dhe të paharruar.
– Genti apo Saimiri të ngacmon më shumë me batuta?
– Të dy, gjatë gjithë kohës. (Qesh)
– Ti, prej kohësh, je fejuar me Adonisin, i njohur ndryshe me emrin e artit Lazy. Duke patur të fejuarin këngëtar, je joshur në ndonjë moment për të kënduar edhe ti?
– Më pëlqen shumë muzika, por s’e kam menduar ndonjëherë të jem pjesë e saj.
– Edhe motra jote, Elia Shena, është këngëtare. Do të ishte interesant një bashkëpunim mes motrash në muzikë…
– …po, në fakt, na thonë të bëjmë një këngë bashkë, por nuk kam dashur t’i hyj asaj rruge.
– Si do të ishin Elia modele dhe velinë, ndërsa Amina, këngëtare?
– Elia është marrë me balet e modeling dhe besoj se i shkon se ka tipare të veçanta, kurse unë si këngëtare, s’e di, s’e kam provuar akoma.
– Kishte një periudhë që, për ju të dyja, nisur nga paraqitja e jashtme, thuhej se jeni me origjinë aziatike…
– (Qesh) E vërteta e origjinës sonë është që jemi nga Tirana!
– Këngën “1 në 1 milion” në klipin e së cilës je ti vetë pjesëmarrëse, thuhet se ta kanë kushtuar ty. Po ti, kërcimin me koreografinë e cilës këngë do t’i kushtoje Lazyt?
– Të gjitha kërcimet do t’ia kushtoja. (Buzëqesh)
– Imazhi i cilës prej kopertinave do të doje të ishe?
– I kopertinës “Vogue”.
– Nëse thuhen barcaleta për biondet, i kundërshton apo bën indiferenten?
– Në të vërtetë, unë jam brune, kështu që nuk më bëjnë përshtypje.
– Me një shkop çudibërës në duar, çfarë do të doje të ndryshoje rreth teje?
– Asgjë, jam e lumtur me çka më rethon.
– Cila është dhurata më e veçantë që ke marrë?
– Dhurata më e veçantë që kam, është familja ime.
– Sfilata në të cilën e ke ndjerë veten një modele të mirëfilltë?
– Sfilatën e parë, atë e kujtoj gjithmonë si të veçantë.
– Është moda një biznes këtu te ne?
– Jo, këtu te ne, nuk funksionon.
– Je më shumë engjëll apo djall?
– Engjëll.
– “Djalli vishet me Prada”… Po Amina?
– Amina, me çdo gjë që është e bukur dhe që e tërheq; nuk është e thënë të jetë firmato.
– Çfarë shkakton te ti vëmendja e të tjerëve?
– Kur është e tepruar, normal që bezdi, ndërsa kur është e patepruar, ndihem mirë. Fundja, ku ka më mirë sesa të jesh në qendër të vëmendjes?
– Kur je në një bar apo klab, ulesh në qoshe apo pranë banakut?
– Aty ku do të ndihesha rehat.
– Çfarë natyre është Amina në dashuri?
– E qetë, e përkushtuar dhe besnike.
– Cili është komplimenti më i bukur që ke marrë pas skenës?
– E ndriçove skenën e “Ça thu”…
– Je nga ato vajzat që i marrin gjërat lehtë në jetë?
– Jo. Jam e vendosur kur marr përsipër diçka.
– Kur ishe e vogël, çfarë mendoje për televizionin dhe çfarë shihje në të?
– Më ka pëlqyer të jem pjesë e tij.
– Festa që të pëlqen më shumë?
– Të gjitha festat më pëlqejnë shumë.
– Je dehur ndonjëherë aq sa të mos kesh mbajtur mend shtëpinë?
– Jooo, deri tani, jo! Shpresoj të mos më ndodhë, madje. (Qesh)
– Cila stinë i përshtatet natyrës tënde?
– Stina e pranverës.
– Çfarë do të ishe nëse do të ishe një kafshë, një lule, një ushqim?
– Nëse do të isha kafshë, mace. Nëse do isha një lule: orkide, ndërsa nëse do isha ushqim, me siguri, picë pikante! (Qesh)
E vërtetë apo e gabuar?
– I ha shumë ëmbëlsirat… E vërtetë
– Kam një orar të caktuar për t’u kthyer në shtëpi… E gabuar
– Unë jam nevrikja e familjes… E gabuar
– Sa herë që zihemi, është Adonisi ai që flet i pari… E gabuar
– Vonohem shpesh për në punë… E gabuar
– Kur isha e vogël doja të bëhesha balerinë… E vërtetë
– Jam shumë e organizuar… E vërtetë
– Tani, djemtë më ngacmojnë më shumë… E gabuar
– …dhe Lazy, është më tepër xheloz… E gabuar. (Buzëqesh)