Unë jam Klaudia, e lindur dhe e rritur në Tiranë. Aktualisht jam 28 vjeçe dhe më parë, jetoja me familjen time në Greqi. Akoma mbaj kontakte me shoqërinë time këtu, veçanërisht me shoqen time që me kalimin e viteve u bë edhe motër për mua, duke qenë se jam vajzë e vetme. Njohja me të ka nisur fare rastësisht, kur familja ime vendosi që të ktheheshim në Shqipëri. Ndryshimi i vendit për mua ishte diçka e mërzitshme, por me kalimin e kohës u mësova me gjithçka. Shkolla ku do të filloja mësim ishte gjithashtu e re dhe e gjithë kjo ndodhte për shkak të punës së prindërve të mi, të cilët duhej të lëviznin nga njëri shtet në shtetin tjetër. Kësaj radhe, qëndrimin këtu nuk e mora shumë seriozisht. “Nuk do të zgjasë shumë, mendoja me vete. Do qëndrosh vetëm një vit këtu sepse një vend tjetër po të pret”. Isha mësuar që, sapo krijoja shoqëri diku, vinte momenti që duhet të ndahesha dhe kushedi se kur mund t’i takoja përsëri. Kontaktet me ta, i mbaja vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, por as kjo nuk zgjaste shumë. Me pak fjalë, nuk kisha një shoqëri të qëndrueshme dhe kjo më bënte të isha një person i vetmuar. Kisha parë shumë vende të botës, por pa patur dikë pranë për t’i treguar aventurat e mia.

Ishte verë dhe ne sapo ishim futur në shtëpinë tonë të re. Në shtator do të regjistrohesha në shkollën aty pranë, si nxënëse e vitit të parë në gjimnaz. Isha një fëmijë që doja të dilja, të shoqërohesha dhe të njihesha me moshatarët e mi, por kjo ishte e pamundur. Mendimi se për një kohë të shkurtër do të shkëputesha prapë nga ata, më bënte të mos e merrja mundimin fare për t’i njohur. Mungonin pak ditë që të fillonte dita e parë e shkollës dhe kuptohet që emocionet kishin filluar të shtoheshin pak nga pak. Pyetje të njëpasnjëshme më vinin në mendje. Edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që provoja të njihesha me njerëz të rinj, çdo rast kishte emocionet e veta. “A do të përshtatem me ata? A do të gjej një shoqe tek e cila mund të kem besim?”, mendoja.
Ishte dita e parë në atë shkollë, në klasë shikoja grupe që ishin mbledhur e bisedonin, djem dhe vajza që hynin e dilnin sikur të ishte një paradë mode, disa të tjerë ishin ulur e nuk flisnin fare. Hodha sytë përreth klasës, që ishte pothuajse plot. U mundova të kërkoja për një vend bosh, por e pamundur. Zhurma që ishte krijuar aty, më bënte më shumë nervoze. “Ç’kemi?!”, dëgjova një zë. Ishte vajza që ishte ulur në bangën përballë meje. “Ti je e re në këtë zonë, shtëpia jote ndodhet një kat sipër shtëpisë time, jetojmë të dyja në një pallat, por tani jemi edhe në të njëjtën klasë. Unë jam Amela”, më tha.
“Ndërsa unë, Klaudia”, iu përgjigja me një buzëqeshje.
“Mund të ulemi bashkë. Kështu, të ndihmoj edhe të ambientohesh”…
Ishte një ditë e zhurmshme, njerëz që hynin e dilnin, por unë s’e kisha marrë mundimin të flisja e as të afrohesha me ndonjë. Atë ditë, rrugën për në shtëpi e bëmë bashkë dhe kështu bënim çdo ditë. Amela ishte një vajzë e thjeshtë, simpatike, e zgjuar, nuk i interesonte mendimi i të tjerëve, lexonte shumë dhe kishte një buzëqeshje që çdokush do ta kishte zili. Shoqëria jonë, pa e kuptuar, filloi të bëhej më e ngushtë, rrinim bashkë, më tregonte sekretet e saj dhe fundjavat na gjenin gjithmonë bashkë. Babai im, në atë kohë, kishte një kontratë pune tre vjeçare këtu në Shqipëri dhe ky ishte lajmi i parë i gëzueshëm që merrja nga puna e tij. Kjo tregonte shumë për mua: Tre vite në një shkollë, pa patur merakun se nga momenti në moment do të shpërngulesha! Këtë lajm, ia dhashë patjetër edhe Amelës. Tashmë ishim bërë aq shoqe sa e kishim të vështirë të ndaheshim. Gjatë verës, më ftonte t’i kalonim pushimet bashkë e kështu, nuk ishim më vetëm. Ato tre vite kaluan shumë shpejt, vitit të tretë po i vinte fundi dhe ky fakt, na mërziste të dyjave. I kishim premtuar njëra-tjetrës që kudo që të ndodheshim, do t’i ruanim kontaktet. Këtë herë, Greqia ishte destinacioni i radhës. Vetëm dy orë na ndanin dhe kjo na ngushëllonte, por mendimi që s’do ishim më aty për njëra-tjetrën kur të kishim nevojë, më bënte të ndjehesha fajtore. Ndarja me të ishte e vështirë, por ky ishte fati im, nuk mund ta ndryshoja. Ditën kur do të nisesha, mora një dhuratë simbolike nga ajo; një byzylyk me emrin e saj të gdhendur. “Dua që me këtë të më kujtosh”, më tha ajo mes lotëve që i mbuluan fytyrën. Ishte një dhuratë fantastike, por s’e mendoja kurrë që vetëm ai do të mbetej kujtim nga shoqëria jonë. Greqia ishte një vend i bukur, por unë nuk kisha asgjë që të më lidhte me të. Çdo herë e njëjta gjë, shoqëria, vendet, njerëzit, por nuk më interesonte shoqëria e askujt pasi mendjen e kisha tek Amela, kur të flisnim dhe t’i tregoja se si po më shkonin gjërat. Ishin muajt e parë që ishim larg dhe çdo gjë shkonte mirë. Ajo fitoi shkollën për Stomatologji, ndërsa unë zgjodha degën e Arkitekturës. Por, me kalimin e kohës, gjërat filluan pak nga pak të ndryshonin, studimet na merrnin një pjesë të mirë të kohës dhe kjo na largoi pak. Ndërkohë, mua shkolla më kishte dhënë mundësi për të punuar në një kantier ndërtimi si arkitekte në periferi të zonës. Isha studente me nota shumë të mira dhe kjo më kishte ngritur në detyrë me më shumë përgjegjësi. Këto arritje të miat, Amela nuk i dinte. Kishte javë kur pothuajse nuk flisnim fare, por unë, nga ana tjetër, mundohesha të mos e humbisnim edhe atë pak komunikim që kishim. Kisha frikë ta pranoja, por kjo gjë po ndodhte. Iu përkushtova punës që kisha, por një gabim i vogël ndryshoi gjithçka. Pas një viti në atë punë, pësova një aksident shumë të rëndë. Një ndërtesë e vogël u shemb dhe na zuri brenda mua dhe kolegët e mi. Ajo ditë ishte një tmerr për mua dhe për të gjithë të afërmit e mi. Gjendja ime ishte kritike për jetën dhe doktorët nuk më jepnin më shpresa, kisha thyerje të këmbëve dhe të krahut, me pak fjalë, kjo që po jetoj është jeta ime e dytë. Ky lajm u përhap në të gjitha mediat, në lajme doli madje që kishte edhe të vdekur, por fatmirësisht, nuk isha unë njëra prej tyre. Qëndrova pothuajse gjashtë muaj në spital dhe kisha ndërprerë kontaktet me të ata që më rrethonin. Këtë lajm, e kishte parë edhe Amela që ishte përpjekur të lidhej me mua më kot.
Ajo nuk mori më asnjë përgjigje nga unë, asnjë mesazh për t’i shpjeguar gjendjen time. Doja të shërohesha sa më shpejt, doja të harroja çdo gjë nga ai aksident dhe për këtë luftova shumë, iu përkushtova punës së lodhshme për të ecur sërish dhe ia dola. Pas një viti, unë isha kthyer përsëri në jetën time. Duhet të flisja me Amelën, t’i tregoja çdo detaj, por ajo kishte ndryshuar çdo kontakt dhe adresë, nuk më kishte mbetur gjë tjetër veçse të prisja të kthehesha në Shqipëri për ta takuar. Kishim ndryshuar të dyja dhe këtë e vërtetuam kur u gjendëm përballë njëra-tjetrës. Me të arritur në Shqipëri, shkova ta kërkoja në shtëpinë e saj, e frikësuar nga mendimi se si do të ishte tani shoqëria jonë. Në ato momente, hapet dera… Ajo shokohet kur më shikon aty të gjallë dhe mirë, më përqafonte fort dhe lotët s’i ndalonin. “Ti qenke gjallë?!”, më tha, ndërsa qante… Dukej sikur përballë saj kishte një fantazëm dhe s’po u besonte syve. Më ftoi të futesha brenda…
Kishim aq shumë për të folur saqë nuk do të na mjaftonin ditët, por ishim të lumtura që e rigjetëm njëra-tjetrën. Tani për mua nuk ishte më e nevojshme të largohesha aq shpesh si më parë, larg saj. Sa herë që kthehem me pushime, shkojmë te vendi ynë i preferuar dhe flasim për dëshirat dhe problemet tona. Ajo është akoma shoqja ime, por këtë herë, përgjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *