Kur zemra jonë belbëzon në fillim të një lidhjeje, është e vështirë të kuptosh nëse ajo flet gjuhën e dashurisë, por janë disa gjëra që mund të na e tregojnë këtë. Katër psikologë na zbulojnë sjelljet që tregojnë se «unë dashuroj vërtet». Sigurisht, është dashuria me shikim të parë, befasuese, por që nganjëherë zgjat fare pak. Pastaj është edhe dashuria që lind ngadalë, e cila do pak kohë të zbulohet. Kjo lloj dashurie nuk është më pak premtuese, por më e dyshimtë në shfaqjet e saj. Është ajo për të cilën i themi një shoqeje/shoku në vesh: «Mendoj se kam rënë në dashuri…». Kjo pasiguri tregon luftën që bëhet brenda nesh. «Janë të shumtë elementët që na tërheqin te tjetri: Mirënjohje, besim, ndjenjë paqeje, gëzimi dhe po aq, edhe ato që na largojnë prej tij: Frikë nga refuzimi, varësia, se nuk jemi gati», konstaton një psikolog. Nga kjo rrjedh edhe «kërcimi» ynë në dashuri, tre hapa para, një pas, një lloj valsi-hezitim që tregon shpesh një shkallë të lartë interesimi! Ja, pra, ju dëshifrojmë shenjat e kësaj dashurie që lind dhe që ende belbëzon…

1. Faqet e kuqe
Shpesh, në dashuri, është trupi ai që flet i pari, megjithëse ne përpiqemi të injorojmë shenjat që ai na dërgon. «Ankthi nxit prodhimin e adrenalinës, që shkakton një përshpejtim të ritmit të zemrës, një djersitje të tepruar. Por, në të njëjtën kohë, ndjenja dashurore bën që trupi të çlirojë dopaminën, serotoninën, endorfinën, të kundërtat e adrenalinës. Këto hormonë dashurie shkaktojnë zgjerim të enëve të gjakut, gjë që skuq faqet, bile edhe qafën. Këto skuqje tërheqin vështrimin, sidomos qafa, që është një zonë e brishtë te njerëzit. Në mënyrë të pavetëdijshme, kur ne biem në dashuri me dikë, i paraqesim tjetrit këtë zonë, duke përkulur kokën: Shenjë braktisjeje dhe besimi.
Zëri, gjithashtu, ndryshon. Gratë kanë tendencë të ngrenë tonin, të flasim me një zë më të mprehtë, ndërsa burrat flasin me zë më të ngjirur, me qëllim joshjen reciproke. Në rast dyshimi, jini të sigurtë se «trupi ka arsyet e tij, që arsyeja i injoron», siç thoshte Paskali.

2. Ngathtësia
Ne përpiqemi të tregohemi interesantë dhe bëjmë gafa nga më të ndryshmet. Ne duam të biem në sy dhe derdhim gotën… «Një mbrëmje do të darkoja më një burrë që më pëlqente shumë, në një restorant indian. Mbi tavolinë kishte perime edhe një spec të vogël djegës, që unë e mora për spec të zakonshëm. E kafshova dhe gjuha m’u fry menjëherë si tullumbace. Atë natë përfunduam në urgjencë!», tregon një grua. Psikologu sheh në këtë dëshmi forcën e dëshirës në formë bruto, ndërsa në gjuhën që ka marrë flakë, një mënyrë të shkëlqyer për të penguar daljen e fjalëve, për të lënë emocionet të flasin vetë. «Të gjitha këto «aksidente» janë një mënyrë jo e drejtpërdrejtë për t’i thënë tjetrit se na turbullon, se na bën të humbasim vetëdijen në atë që bëjmë. Është një sinjal i fortë që dërgojmë, megjithëse në pamje të parë kjo duket si diçka që na ul pikë», thotë një psikolog.
«Është ndërgjegjja jonë që luan me ne, duke na bërë numra!», thotë një tjetër.

3. Taktikat
Dashuria që lind është e mbushur me dyshime e vuajtje dhe nganjëherë, me taktika qesharake për t’i maskuar këto. Ne bëjmë sikur nuk e dëgjojmë zilen e telefonit, pretendojmë se jemi të zënë atë mbrëmje, ndërkohë që nuk kemi asgjë për të bërë dhe pastaj mërzitemi. Çfarë fshehin këto inskenime? «Frikën se mos zbulohemi, se mos na refuzojnë. Këtu është në lojë narcizizmi ynë. Këto takika tregojnë shpesh një nënvlerësim të vetes». Shtojmë këtu se ne ecim në terren të panjohur, të detyruar të mendojmë në vend të tjetrit, të sillemi ashtu si ne mendojmë se ai do të donte të silleshim, gjë për të cilën nuk jemi të sigurtë! Në këtë rast, nuk jemi të natyrshëm. Për fat të mirë, psikologu na qetëson: «Asnjë strategji nuk i reziston dashurisë. Indiferenca funksionon vetëm nëse jemi relativisht të shkëputur».

4. Rezistenca
«Jo, nuk është e mundur, nuk është tipi im! Pastaj është shumë herët, shumë vonë, shumë…». Kjo është një shenjë e pagabueshme, ose pothuajse e tillë, e një dashurie që lind: Rezistenca që tregojmë ndaj saj. «Kur jemi përballë një partneri që nuk u korrespondon kritereve tona të ndërgjegjshme, por që na destabilizon në mënyrë të pandërgjegjshme, ne e humbasim dhe përpiqemi me të gjitha forcat të rikthehemi në «rrugën e drejtë» duke arsyetuar». Shtojmë këtu se jemi të trembur edhe nga dëshira jonë, së cilës nuk kemi tendencë t’ia vëmë veshin në shumicën e kohës, prandaj duam të largohemi me vrap. Kjo marramendje shoqërohet me një ndjenjë paniku: “Kjo që po më ndodh është shumë e bukur, na pëshpërit një zë i vogël… Po sikur të mos zgjasë? Më mirë të largohemi nga kjo lumturi që, mendojmë ne, nuk e ka jetën e gjatë”…

5. Përfytyrimi i së ardhmes
Një tjetër shenjë e dashurisë që lind është ta mendojmë veten në një të ardhme të lumtur, qoftë ajo edhe prozaike. «Duke e menduar veten në një situatë ku tjetri na do dhe dëshiron, kapërcejmë pengesat e pasigurisë që karakterizon një dashuri që është duke lindur». Megjithatë, psikologët na këshillojmë të jemi të kujdesshëm ndaj këtyre imagjinatave, që tregojnë më shumë një dëshirë për të dashuruar sesa një dashuri të vërtetë. «Nuk kam besim te këto skenare ku tjetri nuk zë shumë vend dhe duhet të hyjë në një kuadër të përcaktuar. Të duash do të thotë të jesh gati t’i lësh vend edhe tjetrit, jo vetëm në kanape!».

6. Zbukurimi i situatës
Kur ne takojmë dikë që na pëlqen, kemi tendencë të minimizojmë pengesat dhe të zmadhojmë gjërat pozitive. «Vështroni dy partnerë, te të cilët është duke lindur dashuria. Ata habiten me pikat e përbashkëta të njëri-tjetrit: «Kur ishe i vogël, i kaloje pushimet në Durrës? Edhe unë!» dhe të shohin te kjo një shenjë të dërguar nga qielli», thotë psikologu. «Dashuria ka aftësinë të zbukurojë lidhjen, por edhe të na bëjë të dukemi më të bukur, me anë të një procesi të idealizimit të tjetrit. Një efekt dytësor që rrezikon të na bëjë të verbër».
Megjithatë, ne nuk duhet ta mbushim kokën me përrallat e princit të kaltër dhe të mos e vëmë re realitetin. «Ka vajza që më thonë se, nëse partneri i tyre nuk u thotë kurrë «të dua», kjo do të thotë se ai nuk e mendon… Edhe verbëria ka kufijtë e saj!». Shumë vetë e kujtojnë veten të dashuruar, ndërkohë që janë të dashuruar me konceptin e dashurisë. Në këtë rast, tjetri ndodhet aty për të përmbushur një nevojë. Si ta kuptojmë atëhere nëse bëhet fjalë për dashuri? Kjo ndjenjë i shpëton gjithmonë kontrollit tonë. «Nëse ndjejmë se situata është jashtë kontrollit tonë, nëse ajo na bën të verbër, apo na budallalleps, atëhere është e sigurtë se është dashuri. Kjo ndjenjë është eksperienca më interesante e jetës sonë njerëzore. Atëhere, ta lëmë mënjanë rezistencën dhe ta lëmë veten në «mëshirën» e saj», na inkurajon psikologu. Një dashuri që lind, ka gjithmonë brenda edhe aventurën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *