U deshën “Ethet e së premtes mbrëma” që ajo të shfaqte talentin e saj dhe që atëhere, gjithçka mori mbarë për vajzën bukuroshe e cila falë punës dhe ideve të qarta, tani shkel në skenë me sigurinë e dikujt që noton mirë në ujërat e thella të muzikës. Besi, muzika dhe imazhi janë fjalët kyç në këtë intervistë me këngëtaren, tek e cila, kombinimi perfekt i zërit me paraqitjen, nuk mund të gjeneronte veçse sukses, njësoj si në rastin e klipit “Vespa”, që sapo ka nxjerrë në treg…
– Xhensila, “Vespa” është ndoshta kënga me klipin më interesant këtë verë… Të është dashur kohë që nga ideja e deri te realizimi?
– Në fakt, është lançuar këto ditë, kënga për të cilën që në prill, punohet intensivisht. Fatmirësisht, kanë qenë shumë komponentë që e kanë bërë këtë klip të ecte mbarë. Ka qenë ideja e Julinda Ludovicës për klipin, teksti është shkruar nga Endrit Mumajesi, muzika nga Elgit Doda dhe klipi është realizuar nga Pro video. Dhe, që të gjithë këta, justifikojnë atë shprehjen e bukur: “Bashkimi bën fuqinë”. (Buzëqesh)
– Krahas këngës, ato që tërheqin vëmendje janë edhe komentet dhe unë do të veçoja: “Ngushëllime Elvanës, Tunës, Dafinës etj. Xhensila, je super!”. Janë përkëdhelëse apo nxitëse komente si këto?
– Unë, që në fillimet e karrierës sime nuk kam bërë krahasime me asnjë këngëtare. Nëse i kam hapur sfidë, i kam hapur vetëm vetes sime dhe nuk jam shumë për krahasimet, qofshin ato edhe dashamirëse.
– Prania dhe zëri i Endrit i japin akoma më tepër vlera dhe ngjyra këngës. Një zgjedhje e zgjuar për bashkëpunim… Në fakt, kush e zgjodhi tjetrin?
– Unë e zgjodha Endrin. (Buzëqesh) Në fakt, dëshira ka lindur që në Top Fest. Më pëlqenin që të dy vëllezërtit korçarë, por Endri m’u duk më i përshtatshëm për “Vespën”, për nga vetë ngjyra e zërit, por edhe si figurë, pasi Endri ka shumë karizëm, kështu që ia bëra me shumë dëshirë ftesën.
– Do të të tërhiqte Besi po aq, nëse do të të vinte nga pas me një Vespa dhe jo me Benz E Classin e tij?
– Besi do të më tërhiqte edhe sikur me biçikletë të vinte, edhe sikur me patina ose në këmbë. (Buzëqesh) Në fakt, ideja e këngës me Vespën ka qenë pikërisht për këtë, për të treguar se në dashuri nuk ka nevojë për marka, por për modesti. Unë jam dashuruar me Besin dhe jo me profesionin, rolet apo Benz E Classin e tij, ndaj nëse do të ishte i njëjti siç është tani, patjetër që po.
– Edhe nëse Vespa do të rezultonte e vjedhur?
– (Qesh) Në këtë rast, që në momentin që do ta merrja vesh, nuk do të isha dakord fare edhe do t’i vija shumë minuse.
– Falë dëshirës për të kënduar, Besi ka hyrë në njëfarë mënyre në territorin tënd… Ti, ke menduar ndonjëherë t’ia “zaptosh” skenën e “Portokallisë”?
– Jo, s’e kam menduar ndonjëherë, nuk di nëse do të mund të kisha një rol në karakteret e Besit. Jam e sigurtë që nuk do ta kisha atë talent. Edhe pse “kurrë mos thuaj kurrë” thonë, por jam shumë modeste dhe luftoj vetëm për gjërat që di të bëj mirë.
– Po ecën kaq mirë në muzikë sepse ke punuar fort apo se ke patur mbështetjen dhe frymëzimin e duhur?
– Nuk e di, ndonjëherë gjërat ecin mbarë, rrjedhin vetë. Zoti kishte këtë plan për mua. Sigurisht që në një moment suksesi do të vinte, por mendoj se gjeti rrugën e duhur për të ardhur sepse muzika është një gjë që e kam dashur që fëmijë dhe është çështje energjie ndonjëherë. Unë e kam menduar dhe projektuar kaq shumë këtë sa ishte e pashmangshme të ndodhte. Por, sigurisht, është edhe prej faktit që ke pranë njerëzit e duhur… Besoj se kam ditur të zgjedh bashkëpunëtorët e duhur.
– Deri ku arrin ambicia jote për këngën?
– Mendoj se një pjesë e suksesit tim ka ardhur sepse jam me këmbë në tokë. Nuk kam ëndrra të synoj tregun ndërkombëtar dhe jo se nuk do të më pëlqente, por se është e vështirë për t’u arritur. Nuk kënaqem shumë me veten time dhe, në çdo produkt që sjell, do të dalë dicka që nuk do të më pëlqejë, por jam gjithnjë në proces përmirësimi dhe, me rritjen time, shpresoj të rritet edhe karriera ime.
– Duke gykuar nga fotot tuaja, nuk janë të pakta udhëtimet që keni bërë bashkë… Cili ka qenë udhëtimi që të ka lënë më shumë mbresa?
– Është e vërteë që kemi udhëtuar shumë. Më pëlqejnë jashtëzakonisht udhëtimet. Nuk kam një që më ka lënë më shumë mbresa. Edhe në një vend fare të zakonshëm të isha, mua do të më mjaftonte të isha me miqtë e mi dhe t’ia kalonim bukur, kështu që ndonjëherë nuk ka të bëjë ambienti sesa njerëzit me të cilët i kalon këto pushime.
– Si do të ma përshkruaje ambientin ku ndodhesh për momentin?
– Ndodhem përballë detit në Sarandë dhe po pi një gotë verë me miqtë e mi… Është pak freskët, por gjithsesi, kjo koha kështu më pëlqen, si dhe kam një muzikë shumë të bukur në sfond, një nga këngët e David Guettës.
– Si do ta përshkruaje mënyrën se si je rritur?
– Çdo peridhë e jetës më ka mësuar e më ka dhënë diçka. Në fëmijëri jam argëtuar dhe kam luajtur shumë, adoleshenca më ka njohur me njeriun e zemrës, kurse tani, angazhimi në muzikë, më ka bërë shumë më të përgjegjshme për kurimin dhe ruajtjen e imazhit tim, për miqtë dhe njerëzit që mbaj pranë. Një nga ngjarjet që ka shenjuar jetën time ka qenë pa diskutim “Ethet e së premtes mbrëma”, që përveçse më ka rritur artistikisht, ka ndikuar edhe në karakterin tim.
– Cila ishte loja që të pëlqente më shumë në fëmijëri?
– Loja me peta, madje mbahesha për këtë. (Buzëqesh)
– Defekti më i madh që i njeh vetes?
– Nuk do ta personalizoja pasi njeriu nga vetë natyra që ka, nuk është asnjëherë i përmbushur. Nëse flasim për mua, unë si natyrë nuk jam neglizhente, por ndodh ndonjëherë që idetë të më vijnë pasi gjithçka ka mbaruar ose them: “Pse nuk e bëra më mirë?!”…
– Ke më shumë miq apo mikesha?
– Kam nga të dyja palët, edhe miq, edhe mikesha, por mikesha kam pak më shumë.
– Çfarë nuk do t’i thoje kurrë një shoqeje?
– Nuk kam patur asnjëherë sekrete aq të mëdha sa të mos ia thoja kurrë askujt. Ato që mendoj se kanë qenë sekrete, ia kam thënë një grupi shumë të vogël që e di me siguri se do ta ruanin po me aq siguri sa edhe unë.
– Si të pëlqen t’i kalosh pasditet?
– Varet, tani që jam me pushime është ndryshe, por zakonisht, ku më zë një pasdite, nuk më zë tjetra, nuk janë asnjëherë njësoj, dalin gjithë kohës të papritura. (Buzëqesh)
– Mund të thuhet se Xhensila është më shumë një vajzë e druajtur apo e vetëpërmbajtur?
– E druajtur jo, e vetëpërmbajtur jam dhe mendoj se kjo është një ndër cilësitë më të mira që kam sepse nga vetëpërmbajtja them se fillojnë të gjitha. Duke qenë impusive nuk e ruan dot veten dhe imazhin tënd kështu që mendoj se vetëpërmbajtja është zanafilla, mëma e çdo të mire që vjen pas.
– Diçka që mund të të prishte punë në karrierë tani…
– S’e di! Ndoshta asgjë s’do të më prishte punë se i kam ndërtuar të gjitha vetë dhe i kam ndërtuar në atë lloj mënyre që të mos më prishin punë. (Qesh)
– Në c’rast të pëlqen më shumë të dëgjosh një këngë sesa të këndosh një këngë?
– Të këndoj është gjëja që bëj më me shumë dashuri dhe nuk dua të jem larg saj. Kudo që të jem, qoftë edhe duke ngrënë, dicka mërmëris nën zë (Buzëqesh). Nuk dua të ndalem për asnjë cast.
– Cila do të ishte një pyetje retorike?
– A e do muzikën?
– Edhe ëndrrat, me muzikë i shikon?
– Në të shumtën e rasteve, po. (Buzëqesh)
– Cili është çmimi që do të doje ta shihje në shtëpinë tënde?
– Në fakt, kjo është një gjë që unë e kam me merak dhe jam pak supersticioze se më duket sikur gjërat për të cilat shprehem, nuk do t’i realizoj. E kam edhe unë një lloj pikësynimi, por nuk do të doja ta thoja.
– Një gjë që ka kërkuar guxim të jashtëzakonshëm tek ti dhe e ke bërë?
– Nuk jam shumë guximtare, kjo vetëpërmbajtja ime më ka bërë ndonjëherë që edhe të mos guxoj shumë.
– Nga se ke frikë?
– Frikë kam errësirën, mbaj gjithmonë ndezur diçka. Vetëm kur kam Besin pranë, s’e kam problem. Më mbyt shumë errësira!
– Një talent tjetër me të cilin të ka bekuar Perëndia?
– Edhe aktrimin e kam shumë qejf, madje kam patur edhe oferta, por nuk i kam parë shumë të përshtatshme. Kam patur edhe oferta për në teatër, në një periudhë që për mua ka qenë shumë e ngarkuar. Gjithsesi, mund të thuhet që jam në pritje të diçkaje me vlerë për të eksploruar edhe në këtë drejtim.
– Jemi në fund të kësaj interviste…
– I kam shumë xhan lexuesit e kësaj interviste dhe uroj t’u pëlqejë…