Kam dashur disa herë ta shkruaj historinë time në gazetën tuaj, por nuk kam pasur guximin e plotë për ta bërë diçka të tillë. Historia ime është një histori shumë e ndërlikuar (të paktën kështu e gjykoj unë) dhe mund të paragjykohet nga një pjesë e mirë e shoqërisë sonë. Unë jam një vajzë që kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Nuk më ka munguar asnjëherë asgjë sepse jam e zonja e vetes dhe mendoj se, nëse një person ka dëshirë dhe vullnet për të përfunduar diçka, ia arrin. Aktualisht, punoj në një firmë prestigjoze dhe paguhem mjaft mirë, falë shkollës që kam mbaruar dhe eksperiencave të ndryshme që kam pasur në fushën time profesionale. Ajo për çka dua të flas në këtë letër është jeta ime personale. Në familjen time, nuk para flitej për këtë pjesë të jetës, madje as në marrëdhënien nënë-bijë, pasi në moshën e adoleshencës, kur femra kalon një periudhë paksa të vështirë, nuk e kam pasur një mbështetje nga ana e nënës sime për këtë çështje. Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë shumë të vendosur dhe shumë të rreptë në qëllimin që unë të mbaroja një shkollë të lartë dhe specializime të ndryshme. E kalova si e kalova periudhën e gjimnazit; isha një nxënëse e shkëlqyer dhe kjo më bënte të ndjehesha mirë, por nuk ishte gjithçka. Unë nuk i frekuentoja si pothuajse të gjithë shokët dhe shoqet e mia diskot apo lokalet ku ata organizoheshin dhe dilnin të argëtoheshin. Këtë gjë e vuaja shumë, por ajo periudhë kaloi dhe nuk dua ta kujtoj shumë. Vazhdova studimet e larta për Ekonomik. Vazhdoja të kisha rezultate të shkëlqyera dhe paralelisht me shkollën, punoja me orar të reduktuar, gjë që më ndihmonte të hiqja pak a shumë shpenzimet e shollës dhe për të qenë që në atë moshë, e pavarur nga prindërit.
E them pa ndrojtje që puthjen e parë e kam dhënë në moshën 24 vjeçare, kur kam qenë e ftuar në ditëlindjen e shoqes sime dhe ajo organizoi diçka të bukur në një lokal ku ishim disa nga shoqëria e saj. Atë natë më pëlqeu një djalë të cilin ma prezantoi kushërira e shoqes sime dhe gjatë festës kërcyem bashkë. Në momentin që u ulëm, ai më puthi shkarazi. U ndjeva mirë atë natë, por kur u largova, vetëm sa u përshëndeta me djalin, asgjë më shumë. Si për çudi, në ditët në vazhdim, nuk më bëri përshtypje fare se si ndodhi ajo gjë atë natë. Jeta ime vazhdonte si gjithmonë, shkollë, punë dhe shtëpi. Një ditë po lexoja një revistë dhe pashë që diku afër shtëpisë sime organizohej një kurs kërcimi që frekuentohej nga mosha të ndryshme 3 herë në javë. Vendosa të regjistrohesha sepse gjithmonë më ka pëlqyer kërcimi dhe mendoja se kjo është një mënyrë e mirë edhe për të mbajtur trupin në formë. Nuk hezitova dhe u regjistrova. Ishte shumë bukur, një organizim i përkryer dhe ia kalova mjaft mirë.
Kaluan disa muaj dhe unë vazhdoja ta ndiqja këtë kurs. Instruktorja një ditë na tha se kishin vendosur që si grup të organizonin një ekskursion në Kosovë dhe do të qëndronim atje 3 ditë. Vendosa të shkoja. Grupi ynë ishte i përbërë nga 4 vajza dhe 2 djem. Njëri nga djemtë ishte mjaft i ri, ndërsa tjetri nuk dallohej shumë për moshën kishte. Gjatë rrugës për ekskursion, u njoha më nga afër me këtë të dytin; ishte një njeri që lexonte shumë dhe e kishte me shumë pasion këtë gjë. Pothuajse gjatë gjithë udhëtimit dhe qëndrimit në Kosovë, ne biseduam bashkë dhe, të them të drejtën, pasi u kthyem në Tiranë, më dukej sikur kisha kohë që e njihja atë njeri. Më pas, e ruajtëm miqësinë dhe u bëmë miq të mirë, dilnim gjithmonë për kafe, shkonim fundjavave bashkë në teatër apo në kinema dhe ia kalonim me të vërtetë shumë bukur. Një ditë, ai më tha se duhet të ishim më tepër se miq, se ai nuk mund të vazhdonte më kështu e donte një përgjigje nga unë. Në të vërtetë, edhe mua më pëlqente ai djalë i shkolluar, inteligjent dhe njeri i mirë, kështu që vazhduam si dicka më shumë atë që lindi si një miqësi e sinqërtë. Ditët kalonin dhe gjithcka shkonte shumë bukur kur një ditë ai më mori në telefon dhe më tha se duhet të takoheshim patjetër sepse kishte diçka shumë të rëndësishme për të më thënë. Nuk e kisha idenë se çfarë mund të më thonte. Ai ishte shumë i mërzitur dhe më tha menjëherë kur u takuam, se i vinte shumë keq që nuk ishte treguar i sinqertë që në fillim me mua, por kishte pasur gjithmonë frikën se mos më humbte. Ne, kishim një diferencë moshe prej 12 vjetësh, por kurrë nuk e kisha menduar se ai, para 6 vjetësh kishte qenë i martuar dhe se kishte një vajzë 4 vjeçe. U trondita në fillim kur e mora vesh, por pasi ai nisi të arsyetonte se pse nuk ishte treguar i sinqertë me mua, arrita ta kuptoja. E vetmja gjë që më tha ishte se vendimi ishte i imi tani dhe se unë isha ajo që do vendosja nëse do ta vazhdonim këtë lidhje apo jo. Isha në një situatë të vështirë. E doja pafund, por nuk dija se si të veproja. Nuk dija si të veproja edhe në familjen time, sepse pasi t’ua tregoja, problemi i parë do të ishte diferenca e madhe e moshës që kishim, pastaj që ai kishte një fëmijë… Nuk e dija si do ta prisnin prindërit e mi këtë gjë. Isha në një situatë të vështirë. Kaloi më shumë se një muaj dhe bashkë nuk kishim kontaktuar që pas ditës kur ai ma la në dorë mua të merrja një vendim për ne të dy.
Vendosa të flisja me prindërit e mi; e dija përgjigjen që do të merrja prej tyre, megjithatë, ua tregova. Ata më thanë se isha në një moshë kur vendimet për jetën time i merrja vetë, por kjo gjë ishte e papranueshme për ta. Nuk dija si të veproja. U thashë prindërve se unë e doja dhe se si diferenca në moshë, ashtu edhe vajza që ai kishte, nuk e pengonin aspak dashurinë time dhe se unë do të shkoja të jetoja me të. Ata nuk e pranuan, megjithatë, unë, edhe unë sot e kësaj dite, bashkëjetoj me djalin që dua dhe jemi shumë të lumtur. Prindërit e mi shkoj dhe i takoj, por ata asnjëherë nuk kanë qenë dakord që ta njohin djalin që unë dua. E rëndësishme është që unë jam e lumtur dhe mendoj se një ditë, prindërit e mi, do të më kuptojnë për zgjedhjen që kam bërë.